Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka marrë zyrtarisht detyrën pas betimit në mesditë tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Hasani, u prit në ambientet e MEPJ nga paraardhësja, Olta Xhaçka dhe stafi diplomatik, ku u mbajt edhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës, në prani edhe të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh se prioritet kryesor i MEPJ do të vijojë të jetë integrimi evropian, teksa theksoi se kryesimi shqiptar i OSBE-së dhe angazhimi në Këshillin e Sigurimit e kanë rritur cilësisht rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Na takon neve të gjithëve që të përpiqemi të sjellim më shumë investime në vendin tonë, që ta ndihmojmë këtë progres cilësor që ka marrë ky vend kaq i bukur. Jam shumë i bindur që së bashku do të krijojmë modalitetet e duhura për të avancuar edhe më tej në rrugën që kemi përpara”, tha ai.
Ish-Ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e trupës diplomatike, gjatë këtyre viteve që ajo i cilësoi si mjaft sfiduese por mjaft të suksesshme për diplomacinë shqiptare.
“Jam shumë krenare për avancimin e procesit të integrimit në BE dhe afrimin e ëndrrës së shqiptarëve për t’u rikthyer në Evropë dhe jam veçanërisht krenare për angazhimin e palodhur në mbështetje të Kosovës. Shqipëria sot gëzon një reputaciodn të amirueshëm në arenën ndërkombëtare sepse kemi ditur të përballemi me sfida të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Prej nëntorit 2021, Hasani, ka shërbyer si Koordinator i Dimensionit Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së. Ndërsa më herët ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, ku ka drejtuar Misionin e Shqipërisë në OSBE, nga janari i vitit 2018 deri më nëntor të 2021, kohë gjatë së cilës Shqipëria pati edhe kryesinë e radhës së OSBE-së.
Hasani bashkë me katër ministra të tjerë të rinj bënë sot betimin në presidencë një ditë pas votëbesimit në Parlament. Arbian Mazniku si ministër shteti për Pushtetin Vendor, Albana Koçiu si ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ministre e Arsimit dhe Anila Denaj si ministre e Bujqësisë u betuan një nga në para Presidentit Begaj. 5 ndryshimet në qeveri u miratuan nga mazhoranca në një seancë ku opozita kundërshtoi ashpër dhe kërkoi debat. Ndërkohë kujtojmë se në seancën e kësaj të hënë në Kuvend nuk u votua për dekretin për emërimin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete, për shkak të detyrës së tij si anëtar i bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Bashkë me Meten mbetet për tu votuar edhe emërimi i Delina Ibrahimajt si ministre shteti për për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Lajmi kryesor:
Pesë ministrat e rinj betohen tek Presidenti! Marrin detyrat! Hasani: Të sjellim më shumë investime në vend! Koçiu: E vetëdijshme për sfidat, të vazhdojmë me ndryshimet!
B.K/ReportTv.al