'Impresione urbane’, në Galerinë e Arteve në Vlorë, prezantohen punimet e 4 arkitektëve të njohur

26 Tetor, 15:41| Përditesimi: 26 Tetor, 15:47

  • Share

‘Impresione urbane’, ka zbritur mbrëmjen e së premtes (25 tetor) në Galerinë e Arteve, Vlorë, ndërsa janë prezantuar punime në pikturë të 4 arkitektëve të njohur, Mitrojorgji, Voshtina, Stefa dhe Plasa.

Në ceremoninë çelëse ishin të pranishëm njerëz të artit dhe kulturës në Vlorë, arkitektë dhe piktorë vlonjatë, si edhe kryetari i bashkisë Ermal Dredha dhe konsulli i Italisë në Vlorë.

Kuratori i Galerisë së Artit Edi Kojani në fjalën e tij ka bërë një ekspoze të individualitetit artistik të 4 protagonistëve të ekspozitës.

Kryetari i Bashkisë Ermal Dredha e ka quajtur prezantimin e punimeve në pikturë të 4 arkitektëve, një  kombinim unik të dizajnit modern dhe ndikimit urban, që sjell një reflektim të thellë mbi zhvillimin dhe transformimin e hapësirave tona publike.

“Punimet bëjnë një diferencë të madhe. Ju përgëzojë shumë dhe uroj që kjo ekspozitë sot të ketë suksesin që meriton. Duhet që njerëzit kë kuptojë që aty ku ka vlera ka histori, vlera dhe qytetari”, tha ai.

Ekspozita të jep një impresion të bukur e të veçantë, është shprehur konsulli i Italisë në Vlorë.

Më pas të pranishmit kanë vizituar ekspozitën, 120 punimet në 4 teknika, akuarel, vaj, pastel dhe grafika me ngjyra, të gjitha subjekte të peizazhit urban nga ndërtesat, rrugicat e deri tek qytetet.

Vetë arkitektët të pranishëm janë shprehur për emocionet në Vlorë, për të rinjtë që duhet të përfshihen, ndërsa, Luljeta Bozo, profesore e arkitekturës, shkon dhe më tej dhe kërkon më shumë investime për artin.

Ekspozita ‘Impresione urbane’ e Maksim Mitrojorgjit, Valentin Voshtinës, Pirro Stefës dhe Olsi Plasës, do të qëndrojë e hapur për disa ditë në Galerinë e arteve figurative në qytetin bregdetar.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?