Arqipeshkvi Imzot George Frendo nga Katedralja e Shën Palit në Tiranë drejtoi meshën për Pashkët, por si asnjëherë më parë pa asnjë besimtarë për shkak të koronavirusit, të cilët i ndoqën ritet nga televizori. Imzot George Frendo dha disa mesazhe në fjalën e tij. Ai tha se kjo është nata që ka fuqinë të shndërrojë errësirën në dritë.
"Ndërsa zakonisht ju takoj në këtë kishë katedrale sonte nëpërmjet televizorit. Cdo vit kremtojmë festën e Pashkëve, por në një situatë të ndryshme. Më kujtohet kur kam kremtuar pashkët për herë të parë në Shqipëri, marsi i 1997, gjatë kremtimit kam parë disa besimtarë duke qarë, por unë kujtova fjalët e Jezusit, që ai tha pak orë para se ushtarët ta kapnin për ta çuar drejt kryqit u tha apostujve, ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.
Kur gruaja është duke lindur hidhërohet, se i erdhi ora e lindjeve, por kur lind foshnja ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka sjellë një njeri në botë. Sot po bëjmë shumë sakrifica por le të hedhim me shpresë një shikim drejt një të ardhmeje që do të kurorëzojë të gjitha sakrificat që po bëjmë këto ditë. Kjo është nata që ka fuqinë të shndërrojë errësirën në dritë. Kjo natë na mëson domethënien e sakrificave me agjërimet apo të tjerave, që kemi hequr dorë nga gjëra që na pëlqejnë. Kjo natë na shndërruar dëshpërimin në shpresë, vdekjen në jetë" tha ai.
Një mesazh arqipeshkvi e kishte edhe për ata që duan të largohen nga vendi. "Kush ëndërron të largohet nga Shqipëria mendon se është guximtar, por ai që vendos të qëndrojë duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë kënaqen të jenë guximtarë, por kërkoni më shumë të jeni heronj, Shqipëria ka nevojë për ju" tha ai.
Lajmi kryesor: