TIRANE- Një incident i rëndë që mund të rrezikonte seriozisht jetën u shënua para godinës së bashkisë së Tiranës paraditen e sotme (28 maj) teksa po mbahej protesta e organizuar nga grupi i PD-së së Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë së Lirisë.
Në një moment një bombë Molotov e hedhur nga një militant i Berishës apo i Metës - që duket se ka shkuar keq - përfundoi në afërsi të kordonit të policisë, ku ndodheshin qytetarë, operatorë dhe gazetarë dhe jo drejt godinës së bashkisë
Këto ishin momente paniku e tmerri pasi rrezikoi seriozisht jetën e atyre që ndodheshin aty për të ndjekur protestën lejen e të cilës në polici e merr "Aleanca për Mbrojtjen e qytetarëve".
Në video duket njerëzit që në panik e sipër përpiqen të largohen me vrap para se të shpërthejnë flakët. Një burrë tërheq me vrap bicikletën dhe janë vetëm sekondat të cilat i kanë falur jetën. Një tjetër që ishte afër zjarrit duket që në pantallona e ka prekur pasi ai përpiqet ta shuajë me dorë, ndërsa një djalë i shkon në ndihmë.
Menjëherë ndërhyri policia me fikëse zjarri për të shuar flakët të cilët mrekullisht nuk pësuan djegie.
Protestë pas proteste, numri i pjesëmarrësve sa vjen e pakësohet, siç ndodhi edhe në këtë tubim të nëntë. Pamjet me dron tregojnë para vetëm një grusht militantësh para bashkisë. Në protestë ishin të pranishëm përfaqësues të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë. Pas një jave mungesë, në tubim u rikthye e bija e Sali Berishës, Argita Berisha, në bluzën e së cilës sërish ishte stampuar thirrja për lirimin e babait.Pas protestuesve që u larguan me vetëm 1 orë e 20 minuta revoltë, vendin ua lanë ekspertëve të kriminalistikës për të dokumentuar vandalizmin.
Kjo ishte protesta e 9-të ndërsa takimin e radhës e lanë të martën, ku do të kërkojnë sërish dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, me protagonist ish-rivalin i tij në zgjedhjet vendore të 1 viti më parë, Belind Këlliçi.
Të papranushëm e quan Autoriteti i Mediave Audiovizive incidentin e ndodhur sot në protestën e opozitës para bashkisë së Tiranës, ku pranë gazetarëve u hodh molotov duke rrezikuar jetën e tyre.
“Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, përcolli me shqetësim sot paradite (28.05.2024), incidentin para godinës së Bashkisë së Tiranës, ku siguria e grupit të reporterëve dhe kameramanëve të medias u vu në rrezik si pasojë e përdorimit të lëndëve shpërthyese (molotov). Pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut", thuhet në reagim.
AMA u kërkon autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës.
"Autoritetet ligjzbatuese të rendit, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve. Ju kërkojmë autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës”, deklaron AMA.
Shoqata e gazetarëve Europian seksioni shqiptar ka shprehur shqetësimin për protestën e sotme para bashkisë kur protestues të Rithemelimit dhe PL-së hodhën molotov në drejtim të gazetarëve dhe kameramanëve. AEJ bën thirrje që policia të vendosë para drejtësisë autorët e këtij incidenti që mund të merrte përmasa fatale.
'Shoqata e gazetarëve Europian seksioni shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjet e sotme, ku persona të panjohur hodhën molotov në drejtim të gazetarëve dhe kameramanëve gjatë protestës para bashkisë Tiranë, organizuar nga opozita dhe “Aleanca për teatrin”.
AEJ Shqipëri, i bën thirrje aktorëve politikë që kenë kujdes dhe të respektojnë gazetarët dhe kameramanët që ndjekin protesta dhe aktivitete të tilla. AEJ i bën apel policisë së shtetit, që ti vendos para drejtësisë autorët e këtij incidenti që mund të merrte përmasa fatale.'- thuhet në reagimin e AEJ.
Deputeti Erion Braçe ka reaguar për incidentin e rëndë që ka ndodhur në protestën e Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë para bashkisë së Tiranës, ku militantët hodhën molotov drejt gazetarëve dhe qytetarëve. Ndërsa ka publikuar pamjet nga incidenti, Braçe shkruan se kjo protestë po kthehet në rrezik për shqiptarë dhe të huaj që lëvizin në qendër të Tiranës.
"Bashkia e Tiranës, qendra e Shqipërisë; Zona më e populluar në qytet! Molotov që për pak pjek të gjallë njerëz! Shikojeni edhe një herë; Kjo është tentativë vrasje, me dashje apo pa dashje, do ishte vrasje! Është hera e dytë në pak javë! Një armë-si molotovi, në dorë të kalamajve të papërgjegjshëm, me urdhër të partisë me kriminale ne vend, bën gjëmen! Kjo nuk ka me lidhje me Erion Velinë! Herën e tretë, me dashje apo nga budallallëku, kanë për të vrarë njerëz! Ndaleni! Kjo proteste po kthehet ne kriminale e rrezik për shqiptare e te huaj qe lëvizin në qendër të Shqipërisë! Ndaleni sa nuk kanë vrarë njeri!", shkruan ai.
Foto: Molotovi qe u hodh para bashkise, 28 maj 2024
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar njëzëri hedhjen e molotovëve nga opozita në drejtim të gazetarëve dhe operatorëve teksa po mbulonin një protestë përpara godinës së bashkisë.
"Përmes një postimi në rrjete sociale, ata ftojmë autoritetet që të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të medias. Protestuesit hodhën koktejle molotovi të cilat përfunduan aty ku ishin duke punuar punonjësit e medias, të cilët ishin qartazi të identifikuar si të tillë" thuhet në njoftim e AGSH
AGSH dënon ashpër aktin, dhe ju bën thirrje drejtuesve të protestës që të mbajnë nën kontroll mbështetësit e tyre.
Ne i ftojmë autoritetet që të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të medias”thuhet në deklaratën e Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.