Incidenti me arbitrin, tre ekipe braktisin kampionatin kombëtar të boksit! Irritohet presidenti i federatës, boksieri: Erdha nga Gjermania, por s'garova

10 Tetor 2022, 11:55| Përditesimi: 10 Tetor 2022, 16:32

  • Share

Kampionati kombëtar i boksit për të rritur këtë vit, i zhvilluar në fundjavë në qytetin e Vlorës, e humbi misionin e tij. Një incident me protagonist arbitrat bëri që ekipet e Tiranës, Teutës dhe Studentit të tërhiqeshin nga gara. Për rrjedhojë pati fitues fiktivë dhe sportistë të zhgënjyer, të cilët kishin udhëtuar nga Gjermania për këtë aktivitet.

“U përgatita shumë. Më vjen shumë keq që kundërshtarët ikën. Jam përgatitur në Gjermani prej 1 viti dhe kam shpenzuar shumë. Në fund vjen në Shqipëri dhe nuk del ajo për të cilën ke ardhur,”-u shpreh Kristjano Hoxhaj, boksier i Flamurtarit.

Ekipet e tërhequra nga gara i dënoi edhe presidenti i federatës Florend Kalivopulli.

“Mua më vjen keq për ato ekipe që e lanë në mes kampionatin. Në sport dy gjëra janë të patolerueshme. E para dopingu dhe e dyta braktisja e garës,”-deklaroi Florend Kalivopulli, president i Federatës së Boksit.

Sa i përket aspektit sportiv në kampionat shkëlqyen ekipet e Flamurtarit dhe Vllazninë, por trajnerët e tyre e pranuan se garës i munguan ekipet e tërhequra që kishin elementët shumë kualitativ.

“Dhe në Serbi trajnerët nuk e kanë braktisur garat në këto gjëra. Është incidenti më i rëndë në sportin shqiptar që një trajner të tërheqë ekipin në këtë mënyrë,”-tha Gëzim Zeneli, trajner i Flamurtarit.

“Unë doja tu ndeshja me të fortët. Më tepër me Tiranën. I kisha përgatitur sportistët e mi që të ndesheshin me boksierët e ekipit kombëtar,”-deklaroi Zef Gjoni, trajner i Vllaznisë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?