MAQEDONI E VERIUT- Ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka reaguar pas incidentit të rëndë, ku një polic hoqi flamurin shqiptar të vendosur për festat e nëntorit dhe e hodhi atë në tokë. Ambasadori shqiptar thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet dhe se po veprohet në përputhje me praktikën diplomatike.
Meidani në një postim në ‘Faecbook’ shkruan se “diplomacia nuk është një reality show”, ndërsa thekson se “qetësia dhe maturiteti mbeten udhërrëfyesit tanë”.
“Po ndjekim me vëmendje situatën, jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, gjithë faktorin politik shqiptar dhe partnerët tanë. Ju siguroj që po veprojmë në përputhje me praktikën diplomatike.
Diplomacia nuk është një reality show, marrëdhëniet mes shteteve nuk ndërtohen mbi emocionet e individëve, çështjet shkojnë përtej asaj që duket. Qetësia dhe maturiteti mbeten udhërrëfyesit tanë”, shkruan ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Prokuroria e Maqedonisë së Veriut nisi hetimet për incidentin në Kumanovë ku polici hoqi dhe hodhi në tokë flamujt shqiptarë që ishin vendosur për festat e nëntorit. Pas këtij akti Zv.ministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni njoftoi se do të nisë një procedurë disiplinore ndaj policit.
Për skandalin me flamurin shqiptar reaguan edhe partitë politike opozitare duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe dënimin e policit maqedonas.