Inflacioni dhe kursi i këmbimit, rrezik për buxhetin e 2024-ës! Rënia e euros dhe dollarit redukton hyrjet nga importi

5 Nëntor 2023, 09:59| Përditesimi: 5 Nëntor 2023, 11:13

  • Share

Rreth 6.6 miliardë euro pritet të mblidhen vitin e ardhshëm nga tatimet dhe taksat, nga rreth 6.3 miliardë euro që është plani për këtë vit.

Mirëpo ky objektiv i vënë në projektbuxhet, rrezikohet nga dy faktorë kryesorë, inflacioni dhe zhvlerësimi i monedhave kryesore të huaja, euroja dhe dollari. Inflacioni që për konsumatorët është një barrë e rëndë për shkak se duhet të paguajnë më shumë për produktet që konsumojnë pasi janë shtrenjtuar, për arkën e shtetit gjeneron më shumë para.

Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se një ulje më e fortë e inflacionit nga ajo që është planifikuar për një nivel prej 3%, do të cenonte realizimin e të ardhurave kryesisht të atyre nga TVSH-ja e Akciza, që parashikohen në 274,8 miliardë lekë.

Në projeksionet për tatimet indirekte për të cilat zbatohen tarifa ad valorem janë parashikuar të ardhurat shtesë nga rritja e indeksit të cmimeve për 3%. Nëse niveli i projektuar do rezultojë më i ulët, nuk do realizohen të ardhura shtesë në nivelin e projektuar.'- thuhet në relacion.

Po ashtu mbiçmimi i lekut përkundrejt monedhave Euro e Dollar do të rrezikojë më shumë të hyrat buxhetore, pasi do të ulte TVSH-në në import.

“Ulja e kursit të këmbimit të monedhave Euro apo USD tej nivelit të parashikuar, do impaktojë TVSH në mbi importet e mallrave për shkak të uljes së vlerës së mallrave”, thuhet në relacion.

Zhvlerësimi i monedhave të huaja është skenar më i rrezikshëm për shkak edhe të rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Ky vendim i bankës shtrenjton më shumë lekun, e për pasojë nënvlerëson Euron e Dollarin. Ndërkohë përsa i përket inflacionit, në asnjë nga parashikimet e deritanishme nuk flitet për rënie të inflacionit poshtë shifrës 3% në vitin 2024.

Tjetër rrezik i të ardhurave i evidentuar në relacion është edhe rritja ekonomike, nëse nuk arrin në shifrën e parashikuar prej 3.8%, pasi reduktimi i kësaj rritje, do të tkurrë edhe të hyrat e buxhetit të projektuar.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkodrani-Belgjike: 05/11/2023 11:03

    Çfarë gënjeshtre, rënia e euros dhe dollarit ska lidhje me rënien e importit, rënia e valutës është në të mirë te importuesve blejnë më lirë jashtë vendit me rënien e valutës, sepse leku është më i fortë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?