TIRANE - Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku humbën jetën dy punonjës e u plagosën 3 të tjerë si pasojë e rrëzimit të skelës së firmës Syla, policia ka vënë në pranga dy drejtues teknikë të dy kompanive, e ndërsa shpalli në kërkim pronarin e firmës Syla, Petrit Syla. Për Report Tv, inspektori Armand Loga shprehet se kësaj firme i janë vërejtur mangësi gjatë inspektimeve, e ndërsa në pallatin 13 katësh ku po punohej prej më shumë se një muaji, nuk është kryer asnjë inspektim.
***
Vihen në pranga 2 drejtues teknik të kompanive që po punonin në fasadën e pallatit 13 katësh, ku nga shembja e skelës së firmës “Syla”, ku ata po punonin prej më shumë se një muaji, u mori jetën dt punonjësve e plagosi rëndë 3 të tjerë.
Në pranga policia vuri Xhimi Tarushi me detyrë Drejtues Teknik i punimeve në firmën “Xhimi” si dhe Ilir Bendo me detyrë Drejtues Teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”.
Ndërkohë që në kërkim shpallën pronarin e njëkohësisht administratorin e kompanisë së skelave 'Syla', Petrit Syla.
Nga një vëzhgim që Report Tv bëri në faqen e tyre zyrtare, kjo firmë jep të dhënat që kanë marrë për sigurinë e punëtorëve, e nëse ato janë mbajtur ose jo, do ti duhet policisë e prokurorisë t'i verifikojë.
“Siguria e para! Siguria është prioriteti ynë kryesor. Për ne nuk është vetëm një slogan por është mënyra se si ne punojmë. Punëtorët tanë instruktohen rregullisht çdo muaj. Skuadrat tona dinamike janë të kualifikuara për të punuar në të gjitha rrethanat që nga hapësirat e kufizuara deri te projektet e niveleve të mëdha. Ne përgatisim ambient pune të sigurt për punonjësit tanë bazuar në: punën në grup, bashkëpunimin, dinjitetin, integritetin dhe me e rëndësishme besimin”, citohet në faqen e tyre zyrtare.
Mbi dy të arrestuarit dhe pronarin e 'Skela Syla' i cili është shpallur në kërkim, rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu për këtë ngjarje filloi procedimi penal për “Shpërdorimi i detyrës“, për punonjësit e Inspektoratit të Punës Tiranë, pasi punonjësit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës.
Në një intervistë për Report Tv, Armand Loga, inspektor pune pranë drejtorisë rajonale Tiranë shprehet se nga inspektimet e bëra në firmës Syla, janë vërejtur mangësi në kushte, e ndërsa në pallatin 13 katësh ku ndodhi ngjarja, nuk ka pasur inspektim.
"Skela “Syla” ka një histori inspektimesh pranë Inspektoriatit të Punës. Inspektorët e punës kanë kontrolluar rregullisht inspektime pranë këtij subjekti. Në çdo rast janë lënë shkelje dhe detyra për përmirësimin e kushteve të punës. Në rastin konkret, ky pallat ka një muaj e gjysmë që po kryhen punime. Nuk ka pasur inspektim në këtë pallat. Inspektimi i fundit ka qenë në një zonë tjetër për subjektin skela “Syla”. Subjekti skela “Syla”, vetëm për vitin 2018-2019 ka 7 inspektime", tha Loga.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, ku humbën jetën 31-vjeçari Ergys Brahimaj punëtor ndërtimi në firmën "Xhimi”, si dhe Orjan Kodra, 36 vjeç, punëtor i firmës skela “Syla”.
Po nga rrëzimi i skelës u plagosën edhe tre punëtorët e firmës Syla, Genti Bardhi, Euglidios Lika dhe Altin Marku.