Bota

VIDEO/ Instalohet oxhaku dhe soba ku do të digjen votat e kardinalëve në Konklavë mbi 'Kapelën Sistine'

2 Maj, 16:24| Përditesimi: 2 Maj, 16:55

  • Share

Në Kapelën Sistine, ku do të zhvillohet konklava, kanë mbërritur sobat ku do të digjen fletët e votimit dhe po vijon përgatitja e mjedisit. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i sallës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni. Në konklavën e ardhshme do të marrin pjesë edhe kardinalë që nuk flasin italisht:

“Besoj se ndërmjet kardinalëve do të mund të ndihmohen mes tyre,” tha Bruni, duke sqaruar se në Sistine nuk do të ketë përkthyes profesionistë, ndërsa në “kongregacionet e përgjithshme ofrohet përkthim simultan në gjashtë apo shtatë gjuhë.”

Katër kardinalë ende nuk kanë mbërritur në Romë. Megjithatë, mbeten aktualisht 133 kardinalë që do të hyjnë në Sistine, pasi mungesat e njoftuara janë vetëm ato të dy kardinalëve që kanë raportuar probleme shëndetësore: spanjolli Antonio Cañizares Llovera dhe keniani John Njue. Lidhur me këtë të fundit ekziston një paqartësi mbi moshën, ashtu si edhe për kardinalin e Burkina Fasos, Philippe Ouédraogo. Kohët e fundit, data e tyre e lindjes është korrigjuar në Anuarin Papnor. Praktikisht, ata janë “rëfreskuar” në moshë, duke u bërë sërish të përshtatshëm për të votuar, pasi sipas datave të mëparshme do të ishin tashmë mbi 80 vjeç dhe për rrjedhojë jashtë trupës zgjedhëse. Megjithatë, Njue nuk do të marrë pjesë për shkak të sëmundjes, ndërsa Ouédraogo ruan të drejtën për të hyrë në Sistine.

“Jo të gjitha vendet kanë të njëjtën cilësi të shërbimeve të gjendjes civile,” shpjegoi Bruni, dhe deklaratat fillestare mbi datat e lindjes “janë modifikuar në bazë të një dokumenti të vlefshëm.”

“Rreziku i kundër-dëshmisë”, pra temat e abuzimeve seksuale dhe skandaleve financiare, kanë qenë ndër çështjet qendrore të diskutimeve nga kardinalët në kongregacionin e përgjithshëm që u mbajt këtë mëngjes, bëri të ditur Bruni gjatë një konference me gazetarët.

Ndër temat e tjera të trajtuara sot nga kardinalët përmenden: ungjillëzimi si qendër e një pontifikati, Kisha dhe vëllazërimi i përbashkët, misionariteti, komunikimi i Ungjillit veçanërisht ndër të rinjtë, Kisha e Lindjes me vuajtjet dhe dëshmitë e saj, uniteti, qendra e liturgjisë, sinodaliteti dhe kolegjialiteti, si dhe vijimësia midis Gjon Palit II, Benediktit XVI dhe Françeskut, raportoi Bruni.

Vendosur oxhaku mbi Kapelën Sistine

Zjarrfikësit e Vatikanit kanë qenë në punë që prej mëngjesit për të vendosur oxhakun mbi Kapelën Sistine, aty ku kardinalët do të mblidhen për konklavën që nis më 7 maj.

Ky do të jetë kanali i vetëm përmes të cilit konklava do të komunikojë me pjesën tjetër të botës për të dhënë lajmin e zgjedhjes së pasardhësit të Bergoglios.

Oxhaku do të lidhet me dy soba: një prej gize, dhe një tjetër më moderne.

Sobë e parë, e ndërtuar më 1939, do të shërbejë për djegien e fletëve të votimit, ndërsa e dyta, më e re dhe në përdorim që prej vitit 2005, do të përdoret për djegien e fishekëve të tymit që japin tym të zi në rast se nuk ka zgjedhje, dhe tym të bardhë në momentin kur është zgjedhur pasardhësi i Papës Françesku.

Historia e tymit ka pasur plot anekdota, sepse në të kaluarën ngjyra nuk ka qenë gjithmonë e qartë, të paktën në fillim të daljes së tymit. Prandaj, që nga koha e zgjedhjes së Ratzingerit në vitin 2005, është vendosur që tymi i bardhë të shoqërohet edhe me tingujt e kambanave të Bazilikës, për ta bërë të qartë dhe të padiskutueshëm mesazhin se “kemi një Papë të ri.”

Si zakonisht, oxhaku do të ketë një kamer të medias vatikane të drejtuar nga afër, dhe pritet të jetë i pajisur edhe me ndriçim, në mënyrë që edhe një tym i mundshëm në mbrëmje të jetë lehtësisht i dukshëm./ ANSA

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?