Katër aparatura moderne DEXA për matjen e densitetit kockor janë vënë në funksion për herë të parë në sistemin shëndetësor publik, ku një prej tyre është vendosur në poliklinikën e Vlorës. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha nga Vlora se kjo aparaturë e re do të jetë një ndihmë e madhe për personat që vuajnë nga ostoporoza, ndërsa shtoi se aparatura të tilla do të instalohet për herë të parë edhe në Tiranë dhe Shkodër.
"Është një investim i ri, i cili tashmë ka ardhur në Vlorë por edhe në Shkodër dhe Tiranë dhe janë aparaturat e reja që ndihmojnë ekzaminimin e densimetrisë kockore, në funksion të ekzaminimeve që bëhen për kontrollin e osteoporozës, kështu që besoj që ishte më se e pritur nga të gjithe ju dhe është hera e parë që këto aparatura instalohen në sistemin publik. Janë 4 aparatura të reja në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër", deklaroi Manastirliu.
Gjatë inspektimit në Poliklinikën e Vlorës, Manastirliu bëri apel për vaksinimin me dozën e tretë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të mjekëve të familjes për informimin e qytetarëve, me qëllim vijimin me intensitet të procesit të vaksinimit antiCOVID.
"Viti i shkuar ka qenë i vështirë, edhe ky vit që ka hyrë me rritjen e rasteve me omicron, me çfarë shihet ka një situatë e cila është e qëndrueshme, por falë vaksinimit ia kemi dalë. Doza e tretë dhe sidomos në personelin mjekësor ka siguruar një mbrojtje vërtetë efektive dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë detyrë të madhe që ne kemi ndaj gjithë popullatës, pra për të rritur mbulesën vaksinale edhe për t'u siguruar që ju mbi të gjitha, të jeni të shëndetshëm e të siguroni kujdesin shëndetësor për ta, sepse jeni të mbrojtur tashmë me dozën e tretë. Por edhe ata që nuk e kanë bërë ende dozën përforcuese të mund të binden nga ju sepse tek ju kanë besim qytetarët dhe jo të dëgjojnë teoritë konspirative", theksoi Manastirliu.
Investim i qeverisë shqiptare për pajisjen e poliklinikave dhe spitaleve me pajisjen mjekësore për matjen e densimetrisë kockore për personat që vuajnë nga ostoporoza, një investim në vlerën 15.4 mln lekë.
Aparaturat do të instalohet në Polikliniken Qendrore në Tiranë, në QSUT, Poliklinikat e Spitaleve Vlorë dhe Shkodër. Dexa është aparat që përdoret per diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës, e cila ndodh më tepër te gratë mbi moshën 50 vjeç dhe në meshkujt mbi 60. Nga të dhënat e OBSH-së, 13%- 18% e grave pas moshës 50 vjeç kanë gjasa të vuajnë nga osteoporoza dhe 70% e moshës mbi 80 vjeç.