PARIS, Francë - PSG dhe Arsenal përballen sot (e mërkurë) në orën 21:00 në aktin e dytë gjysmëfinal mes tyre në Champions League. Francezët janë më të avantazhuar në këtë sfidë, pasi veç fitores 0-1 në Londër kanë mbështetjen e tifozëve në shtëpi.
Nga ana tjetër 'Topçinjtë' do kërkojnë të bëjnë surprizën dhe të harrojnë paraqitjen zhgënjyese të tetë ditëve më parë në "Emirates". Trajneri Mikel Arteta rikthehet në Paris si kundërshtar, pasi në vitin 2001 ka qenë pjesë e PSG-së si futbollist dhe ndan kujtime të bukura.
HISTORIA - Dueli mes tyre do jetë i shtati në histori, ndërsa PSG-ja ka vetëm një fitore, atë të tetë ditëve më parë. Në gjashtë përballjet e mëparshme Arsenali i ka mposhtur dy herë francezët, teksa tre ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim dhe një fitore për PSG-në. Dy skuadrat janë përballur edhe në fazën e Ligës këtë edicion, teksa 'Topçinjtë' triumfuan me rezultatin 2-0.
Kushdo që kalon më tej e di kundërshtarin e finales. Më 31 maj në Munich pret Interi që të martën rezervoi finalen pasi eliminoi Barcelonën.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique ka folur në prag të ndeshjes kundër Arsenalit në gjysmëfinalen e kthimit në Champions League. Këtë të mërkurë (21:00) në "Parkun e Princave" vendasit presin "Topçinjtë" me avantazhin e një goli.
Në Londër skuadra e Enriques iu fal golit të Dembele, me anësorin e sulmit që ka lënë pas dëmtimin dhe do jetë i gatshëm.
“Dembele? Ai u stërvit me grupin për dy ditë. Do ta kem në dispozicion”, fjalë këto që gëzojnë çdo tifoz të PSG-së.
Trajneri spanjoll ka fjalë të mira edhe për Kvicha Kvaratskhelia.
“Kur patëm mundësinë ta nënshkruanim një ose dy sezone më parë, nuk ia dolëm. E njihnim mirë. Është i ri, por ka shumë përvojë. Më duhet të them se për një lojtar që ndryshon vendin, që ndryshon futbollin, është e vështirë. Ai iu afrua këtij procesi me një mendje të hapur. Cilësitë e tij janë mbi mesataren, jam shumë krenar për paraqitjet e tij, i kënaqur me atë që bën me dhe pa top”, vijoi ai.
"Arsenali? Sigurisht që do të vuajmë sepse kundërshtarët tanë nuk kanë një rezultat të favorshëm. Duhet të përsërisim sa më shumë paraqitjen e ndeshjes së parë për të fituar ndeshjen e kthimit dhe t’u qëndrojmë besnike ideve tona. Ndeshja të jetë e vështirë. Është e komplikuar në letër, por ne do të përpiqemi të përsërisim atë që kemi bërë që nga dita e parë”.
Trajneri foli edhe për sakrificat deri në këtë pikë.
"Jam djersitur duke menduar për këtë gjysmëfinale. Unë dua vetëm një gjë për finalen, që PSG të jetë atje", tha Enrique.
Fituesi i këtij çifti do përballet me Interin në finalen e Champions League, duiel që luhet më 31 maj në Munich.
Trajneri Mikel Arteta thotë se Arsenali është gati të bëjë diçka të jashtëzakonshme dhe të fillojë historinë e vet duke mposhtur Paris Saint Germain dhe duke arritur në finalen e Ligës së Kampionëve.
Arsenali përballet sot (21:00) në ndeshjen e dytë të gjysmëfinaleve kundër kampionëve francezë duke qenë një gol në disavantazh, pas humbjes së tetë ditëve më parë në "Emirates" me golin e Dembele.
Nëse Arsenali kalon PSG-në, kjo do jetë hera e dytë që "Topçinjtë" luajnë në një finale, pas asaj të sezonit 2005-06 e humbur kundër Barcelonës 2-1 më 17 maj 2006 në Paris.
"Për të fituar finalen e Ligës së Kampionëve, duhet të bësh diçka të jashtëzakonshme gjatë gjithë turneut. Kemi bërë shumë gjëra të mëdha, por në Paris kundër këtij ekipi është momenti për ta bërë këtë. Ne duam ta rrisim nivelin e këtij ekipi dhe të fillojmë të bëjmë histori.
Kjo është mundësia që kemi përpara nesh për ta bërë këtë. Ne jemi më shumë se të aftë. E kemi bërë në Evropë kundër shumë vështirësive. Ndoshta askush nuk do të thoshte se do të ishim në këtë pozicion. Kjo ishte gjithashtu kundër historisë. Pra, le ta bëjmë historinë tonë.
Jemi në gjysmëfinale në qytetet më të bukura në botë kundër një kundërshtari të madh. Nuk ka më mirë se kaq. Jemi këtu për të bërë histori. Kemi një mundësi të madhe. Ne sjellim një rezultat që na jep shumë qartësi në lidhje me atë që duhet të bëjmë.
Shumë mësime nga ndeshja e parë, gjithashtu se sa të vogla janë diferencat midis dy ekipeve. Rezultati, sipas mendimit tim, duhet të kishte qenë shumë i ndryshëm. Pra, është një tjetër mundësi për ta vërtetuar këtë dhe për të fituar të drejtën për të qenë në finale", tha Arteta sa i takon përballjes.
Ndërkohë që spanjolli rikthehet pas shumë vitesh në Paris, këtë herë si kundërshtar, pasi në sezonin 2001-02 ka qenë pjesë e PSG-së si futbollist.
"Isha shumë me fat që kalova 18 muaj këtu ku e shijova vërtet dhe kam kujtime interesante dhe është mirë të jem përsëri këtu. Dua të them, është një klub me një histori të madhe, një qytet, një ekip" , tha Arteta gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes në 'Parc des Princes' të Parisit.
Komente
