Ekonomi

INTERVISTA/ Banka e Shqipërisë përjashton një valë rritjeje të çmimeve! Turizmi 'motor' për rritjen ekonomike

4 Korrik, 15:41| Përditesimi: 4 Korrik, 17:04

  • Share

Mes kohëve të trazuara për mbarë botën sa nga lufta me tarifa e sa nga konfliktet ushtarake në Lindjen e Mesme apo më afër në Ukrainë, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit, nga 2.75% që ishte prej nëntorit vjet në 2.5%.

“Kemi konstatuar, që inflacioni ka vijuar të mbetet nën objektiv për një kohë të gjatë gati 1 vjeçare, duke u luhatur midis 2-2.2% dhe këto tendenca kanë inerci më të lartë se pritjet tona”, pohon Erald Themli.

Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli, tregon se 2 janë faktorët kryesor që po e mbajnë inflacionin nën 3% që është objektivi i tyre.

“E para, inflacioni në eurozonë ka pasur një rënie të shpejtë, që përkthehet në ekonominë shqiptare. Faktori i dytë që ka ndikuar është niveli fortë i kursit të këmbimit me euron”, përgjigjet ai.

Çfarë efekti pritet të ketë ulja e normës bazë të interesit edhe në ekonomi, në kreditim?

“Ulja e normës së interesit tenton të pasqyrohet në norma më të ulta interesi për kredinë për ekonominë shqiptare. Pra është një stimul shtesë për rritjen e kreditimit, rritjen e konsumit dhe të investimeve. Është premisë për stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit, në raport me një diferencë të madhe”, thotë Themeli.

Lufta me tarifa mes SHBA dhe Evropës, rrezikon të prekë edhe vendin por deri më tani thotë Banka e Shqipërisë  pasoja e vetme është vetëm ‘pasiguria’.

“Këto tensione për momentin kanë prodhuar më shumë zhurmë dhe paqartësi sesa vendime konkrete. Megjithatë ekziston një rrezik jo i vogël që ky konflikt verbal dhe deklaratash të transferohet në vendime konkrete të cilat në fund janë barriera për tregtinë. Këto zhvillime me çmimet në eurozonë mund të përcillen edhe në çmimet në Shqipëri”, theksoi drejtori i Politikës Monetare.

A do të kemi përsëri çmime si në 2022-2023, a rrezikohemi nga një valë inflacioni të lartë?

“Jo. Jo. Ka fare pak të ngjarë që të përballemi me një valë çmimesh si ajo e 2022-shit. Por në afatgjatë do të jetë një presion për rritje çmimesh nëse këto barriera do të rezistojnë në kohë”, pohon Themeli.

Tensione të tilla tregtare nuk duhen parë vetëm si kërcënim por edhe si mundësi, për investime në sektorë të ‘lënë pas dore’.

“Intensifikimi i luftërave tregtare mund të jetë edhe premisë për rritjen e investimeve të huaja në sektorë të caktuar të ekonomisë siç është industria. Blloqet tregtare dhe ekonomike që perceptojnë vështirësi, mund ta rikthejnë vëmendjen në periferinë ku është Shqipëria që do të ishte mirë për ne”, tha ai.

Edhe pse ‘dallgët e këtyre tensioneve mund të ndjehen edhe në Shqipëri, Banka Qendrore vlerëson se deri në vitin 2027 ekonomia do rritet.

“Për vitet 2025-2026-2027 e më tutje ne presim një rritje ekonomike mes 3.5-4% në këtë hark kohorë”, vlerëson drejtori.

Turizmi thotë Themeli pritet të jetë motor kryesor edhe për këtë vit në rritjen ekonomike edhe pse në ngadalësim krahasuar me vitet e kaluara.

“Ne kemi një vëmendje të shtuar nga ekonomia e huaj drejt sektorit të turizmit në Shqipëri, i cili ka një ritëm rritje në ngadalësi. Kjo është natyrale nuk mund të rritet gjithmonë me norma 30 apo 50%, por gjithsesi pritet të japë kontribut në rritjen ekonomike”, tha Themeli.

Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit, me ndikimin kryesor nga rritja e pagave të administratës, sektori i pasurive të paluajtshme dhe ai i turizmit.

Ora 16:59
Lufta tarifore nuk sjell vetëm krizë por edhe mundësi, BSH: Mund të shtojë investimet në sektorë të lenë jashtë vëmendjes


Deri më tani lufta me tarifa e nisur nga administrata e Donald Trump ndaj Evropës apo Kinës thotë Banka Qendrore ka sjellë vetëm pasiguri, por pa dhënë efekt direkt negativ në ekonomi.

“Këto tensione për momentin kanë prodhuar më shumë zhurmë dhe paqartësi sesa vendime konkrete, megjithatë ekziston rreziku që ky konflikt të kthehet në vendime”, thotë Themeli.

Drejtori i Politikës Monetare sqaron se nëse konflikte të tilla jo vetëm ky me tarifa por edhe ato ushtarake si në Lindjen e Mesme përshkallëzohen vendi do të prekej vetëm pasi goditet Evropa, që është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë. 

“Ka tre drejtime përmes të cilave ekonomia shqiptare mund të ndikohet. I pari është ndikimi direkt i shkëmbimeve që ne kemi me Amerikën, por siç e kemi thënë ne nuk kemi shumë shkëmbime, eksportet drejt SHBA janë më pak se 1% e eksporteve totale. Kanali i dytë me ndikim potencial dhe negativ në ekonomi e çmime, ka të bëjë me impaktin që do të ketë ekonomia e eurozonës, partnerja jonë kryesore tregtare ndaj barrierave tregtare dhe tarifave.

Analistët që studiojnë situatën kanë vlerësuar se ndikimi i parë do të jetë inflacionist, por në një moment të dytë në varësi të faktit sesa këto barriera do të tkurrin aktivitetin ekonomik në eurozonë në periudhën afatmesme ekonomia e eurozonës pritet të ketë ngadalësim për të mos thënë recension, por edhe inflacion mjaft të ulët. Këto zhvillime mund të përcillen edhe me çmimet në Shqipëri. Kanali i tretë është ai tregjeve financiare. Bankat qendrore do të reagojnë ndaj zhvillimeve në ekonomi dhe çmime që do të thotë që mund të kemi lëvizje të paparashikuara të normave të interesit dhe potencialisht edhe turbulenca në tregjet financiare”, deklaron Themeli. 

Themeli shton se tensione të tilla nuk duhen parë vetëm si situata që sjellin kriza por edhe si mundësi.

“Intensifikimi i luftërave tregtare mund të jetë edhe premisë për rritjen e investimeve të huaja në sektorë të caktuar të ekonomisë siç është industria. Sektorë të cilët nuk kanë pasur atë vëmendje për investitorët e huaj. 

Pyetje: Një krizë mund të kthehet në një mundësi?!

Erald Themli: Po. Blloqet tregtare dhe ekonomike që perceptojnë vështirësi në shkëmbimet tregtare, flas Evropë-SHBA-Kinë, mund ta rikthejnë vëmendjen në periferinë e tyre ku është Shqipëria dhe të rikthejnë vëmendjen në ekonominë e brendshme që do të ishte në interes edhe të Shqipërisë”, shton ai.

Ora 16:24
Ulja e normës bazë, Themeli: Do i bëjë kreditë më të lira, rrit investimet dhe forcon valutat

 

Drejtori i Politikës Monetare Erald Themeli shpjegon në Report TV efektet që do të japë lehtësimi i normës bazë të interesit. Ulja nga 2.75% në 2.5% sipas tij ndikimin e parë do ta ketë mbi kreditë pasi do të ulë interesat për huatë e reja. Pra qytetarët apo bizneset që do ti drejtohen bankave për të marrë kredi, do të kenë interesa më të ulta.

“Transmetimi i politikës monetare në ekonomi dhe në çmime, ka disa kanale. Së pari është kreditimi, pasi ulja e normës së interesit tenton të pasqyrohet në norma më të ulta interesi për kredinë për ekonominë shqiptare. Pra është një stimul shtesë për rritjen e kreditimit, rritjen e konsumit dhe të investimeve dhe kjo kërkesë agregate e shtuar ndikon edhe në nivelin e çmimeve në ekonomi”, tha Themeli.

Po ashtu kjo ulje e normës bazë pritet të forcojë disi edhe pozitat e valutave përballë lekut.

“Kanali i dytë është kursi i këmbimit. Një diferencë më e vogël normash interesi midis atyre që aplikon Banka e Shqipërisë dhe atyre që aplikon Banka qendrore Evropiane është premisë për stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit, rreth niveleve aktuale raport me një diferencë të madhe. Kanali i tretë ka të bëjë me administrimin e pritjeve të agjentëve ekonomik dhe të tregut financiare mbi ecurinë e inflacionit në të ardhmen”, pohon Themeli.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?