Kandidatja e PS në Vlorë, Teuta Ramaj

Politikë

Intervista/ Kërkon të përfaqësojë komunitetin çam në Kuvend, Teuta Ramaj: PS ka treguar përgjegjshmëri, ja pse dua mbështetjen e vlonjatëve

3 Prill 2021, 15:19| Përditesimi: 3 Prill 2021, 15:21

  • Share

Teuta Ramaj me origjinë nga Konispoli, përfaqësuese e komunitetit çam i është bashkuar në këtë fushatë elektorale, skuadrës së Partisë Socialiste si kandidate e listës për deputetë të Vlorës, ku gratë dhe vajzat mbajnë një peshë të rëndësishme.
Ramaj thekson se kjo është një mundësi që përkrah partisë socialiste si mbështetëse e komunitetit çam për adresimin e nevojave dhe sfidave të tij, të jetë një përfaqësuese e denjë në Kuvendin e Shqipërisë për këtë komunitet, që sipas saj, është pjesë domethënëse e shoqërisë shqiptare.

“Përsa i përket realitetit vlonjat duhet te kemi parasysh gjithashtu që Çamët janë pjesë domethënëse e shoqërisë e për këtë arsye nuk mund të na mungojë kurrësesi përfaqësimi në parlament. Jo vetëm kaq por për vetë specifikat që ka si komuniteti ashtu edhe Çështja Çame, ne duhet domosdoshmërisht të jemi partnerë të ngushtë në vendimarrje me qeverinë dhe të ushtrojmë trysni pozitive ndaj institucioneve shtetërore pasi çështja jonë kërkon vazhdimisht vëmendje për të ardhur në binarët e zgjidhjes. Këto mendoj që janë arsye të mjaftueshme për mbështetjen nga ana e komunitetit tim dhe shoqërisë vlonjate’, thotë Ramaj.

Ajo thekson se investimet strategjike të qeverisë shqiptare në Vlorë kanë sjellë një bilanc pozitiv, punësh të mira në shërbim të banorëve të Vlorës, të cilat do të duhet të vijojnë në mandatin e tretë të Partisë Socialiste.

INTERVISTA:

 Jeni një vajzë vlonjate e komunitetit çam që tashmë hidhni një hap të të ri, angazhimin me Partinë Socialiste. Pse zgjodhët pikërisht tani Partinë Socialiste?

Angazhimi im politik daton herët nga radhët e PDIU-së, për çka ndihem krenare dhe rezervoj mbresa. Përsa i përket angazhimit aktual nga radhët e PS mund të them që është reflektim i natyrshëm i nevojës sonë për të adresuar si duhet vëmendjen publike, si qeveritare dhe shtetërore qoftë ndaj sfidave të Çështjes Çame, si pjesë e pandashme e çështjes kombëtare, qoftë ndaj sfidave sociale që ne kemi po njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë. Më vjen shumë mirë që në Partinë Socialiste unë kam gjetur vullnetin dhe gadishmërinë për të qëndruar në mbështetje të nevojave dhe sfidave që komuniteti im ka.

– Si do ta gjykonit angazhimin e deritanishëm të kësaj force në qeverisje, veçanërisht për Vlorën?

Panorama e përgjithshme e qeverisjes 8 vjeçare të PS-së flet për suksese, sidomos po të kemi parasysh edhe sfidat madhore si tërmeti i para dy viteve apo pandemia me të cilën vazhdojmë të përballemi. Kjo nuk do të thotë që çdo gjë është bërë mirë. Padiskutim ka boll për të përmirësuar ashtu siç ka ende gjëra pa përfunduar apo të tjera akoma pa filluar. Por për mua vlen të theksohet që kjo forcë politike në qeverisje ka treguar qëndrueshmëri, ka treguar forcë reagimi para vështirësive dhe për më tepër ka një vizion të qartë se ku po shkojmë. Nëse ndalemi te Vlora mund të them që si qytet ka ndryshuar fytyrë, kjo edhe sepse qeveria i ka të qarta prioritet strategjike të zhvillimit të qytetit, çka vërehet edhe nga natyra e investimeve të bëra në infrastrukturë. Megjithatë, duke qenë qytet me potenciale të mëdha Vlorës i duhet dhënë një shtysë edhe më e madhe sidomos përsa i përket zhvillimit të turizmit.

– Si është pritur angazhimi i ri politik nga komuniteti juaj dhe pse ky komunitet do të duhet që t’ju mbështesë juve masivisht?

Perceptimi në komunitet i ka të dyja anët e medaljes, si pro dhe kundër angazhimit tim politik në radhët e PS. Por unë këtë e vlerësoj pozitive pasi kjo garë për mua do ketë funksion të dyfishtë: të përmbush detyrën ndaj atyre që besojnë tek unë dhe t’u jap arsyet e duhura për të besuar tek unë atyre që janë skeptikë. E kam përmendur edhe më herët që komuniteti i Shqiptarëve të Çamërisë në tërësi ka potencialet dhe vlerat e tij. Përsa i përket realitetit vlonjat duhet te kemi parasysh gjithashtu që Çamët janë pjesë domethënëse e shoqërisë e për këtë arsye nuk mund të na mungojë kurrësesi përfaqësimi në parlament. Jo vetëm kaq por për vetë specifikat që ka si komuniteti ashtu edhe Çështja Çame, ne duhet domosdoshmërisht të jemi partnerë të ngushtë në vendimarrje me qeverinë dhe të ushtrojmë trysni pozitive ndaj institucioneve shtetërore pasi çështja jonë kërkon vazhdimisht vëmendje të vazhduar për të ardhur në binarët e zgjidhjes. Këto mendoj që janë arsye të mjaftueshme për mbështetjen nga ana e komunitetit tim dhe shoqërisë vlonjate.

– Si e shihni ju të ardhmen e këtij Qarku me potencial të madh dhe si mendoni se do të kontribuoni ju me zërin tuaj në Kuvendin e Shqipërisë për zhvillimin e zonës?

Kur thua Vlora i ke thënë të gjitha sepse siç e përmenda ky qark ka potenciale të mëdha. Vlora është vendi ku ndërthuren klima, gjeografia, resurset natyrore, historia e kultura prandaj mendoj që destinacioni final i zhvillimit është turizmi me të gjitha format e tij.
Si deputete e qarkut të Vlorës synimi im do të jetë që të ngre problematikat që lidhen me zhvillimin e qarkut e njëkohësisht të bëhem promotore dhe mbështese e iniciativave që sjellin zgjidhje, zhvillim e mirëqënie për banorët tanë. Fillimi është i mbarë, investimet strategjike të qeverisë shqiptare kanë zgjuar potencialet turistike dhe ekonomike të zonës sonë, e cila është në fakt një hapësirë strategjike në aspektin ekonomik, por rruga duhet të vazhdojë dhe për këtë duhet që qytetarët e Vlorës t’i besojnë vendimarrjen Partisë Socialiste si forca politike që pushtetin e ushtron gjithmonë për punë dhe zhvillim në interes të qytetarëve./ Lexo.al

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?