Intervista/ Mit’hat Fagu: Jeta ime nga regjisor, në 12 vite traktorist

15 Tetor 2018, 16:24| Përditesimi: 15 Tetor 2018, 17:20

  • Share

Mit’hat Fagu rrëfen për kamerën e “Report TV” rrugëtimin e tij artistik në ish-Kinostudion “Shipëria e re”. Një udhëtim në kinematografi, në të cilën më shumë kujton vuajtje sesa gëzime, që prej realizimit të filmit të parë dokumentar “Tregim për naftëtarët”, deri tek filmi artistik “Prita”.

Por si nisi ky rrugëtim? Që fëmijë filmat e animuar, që shihte e afruan edhe më tepër me kinematografinë. Pasi kreu liceun për skulpturë, rrugëtimi i tij në art nuk ndali me kaq. Konkurroi sapo lexoi një lajmërim për bursë për kino-regjisor në Moskë. Nga 500 veta përzgjidhet i pari.

“Shkova direkt në institutin e kinematografisë së Moskës për regji filmi artistik. Jeta është e çuditshme, gjëja e parë që kam parë kam parë në kartolinë sheshin e Kuq. Kam shkuar atje, ku ishte vënë kamera, dhe i thashë vetes: Eh more Mit’hat Fagu arrite që të mbërrish më Moskë. Kam pasur pedagoge Tamara Makarovën, gruan e mjeshtrit Sergei Gerasimov. Unë rrija i mahnitur që pata fatin pedagoge. Ajo se kuptonte që unë po nxirrja mallin e femërisë sime, që po arrija jo vetëm në institut, por edhe të shihja Makaraovën nga afër”.

Por fati nuk deshi që artisti të mbronte diplomën në Rusi. Pasi bëri tre vite diplomën e dha në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë

“Bëra tre vite andej dhe provimin e kam dhënë në ILA në Tiranë, por duhet theksuar që kam bërë Institutin e Kinematografisë së Moskës dhe mbrojtjen e dhashë me “Tregim për Naftëtarët”, por që në fillim jam kritikuar”.

Kineasti mendon se disa njerëz donin të më eliminonin që në vitin 1963, në realizimin e dokumentarit “Tregimit për naftëtarët”, dëshirë që u përforcua edhe me filmin “Prita”.

“Ka qenë puna më e vështirë edhe më e rëndë e jetës sime. Për vet luftën janë bërë vetëm dy filma, një prej tyre është “Prita””.

Pas të parit edhe të vetmit film artistik më metrazh të gjatë “Prita”, në vitin 1968 rikthehet sërish në sferën e filmit dokumentar, sepse s‘kishte rrugë tjetër.

“Edhe aty kam pasur pengesa. E kam mister ta zbuloj: Përse më pengonin? Kam punuar për tre-katër vite, si regjisor, operator skenarist, edhe jam paguar gjithnjë, si asistent regjisor, një kategori më e ultë. Pas tetë vitesh luftë më dhanë titullin regjisor. Pas një viti që më dhanë këtë titull më dënuan për riedukim”.

Çuditërisht byroja e partisë së kinostudios mori vendim që do ta çonte për specializim Mit’at Fagun për filmim multiplikativ në Rumani. Lajmin ia dha Xhanfize Keko, në orën 11 të natës, por nuk ndodhi kështu. 

“Shkuan dokumentet për në Rumani. Janë bërë prapaskena për çdo gjë. Këtej ishte mbledhur këshilli për dokumentarët. Viktor Gjika më kap në korridorin e Kinostudios ku ishte afishuar plani i vitit: Si Mit’hat do të hash bukën e Partisë për 5 muaj kot. Jo i thashë, unë do ta ha me djersën time. Mira tha: Do bëni një film dokumentar”.

Pas filmit “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor” me skenar të Vangjush Gambetës, u lexua sentenca që thoshte: “Kjo ishte vepra më armiqësore ndaj partisë edhe popullit”.

“Lexoi sentencën. Kërkova leje edhe thashë: Nëse janë të vërteta këto që thotë sekretari i partisë së Kinostudios, unë meritoj plumbin ballin, se nuk ia lejoj jo në mënyrë koshiente, por as në mënyrë inkoshente që të kem bërë një vepër armiqësore. Në nëntor më dënuan me punë fizike dhe në janar më çuan në punë fizike. Tirana ziente. As për punëtor krahu s’më pranonin”.

Shkoi punëtor krahu në bujqësi për 12 vite. Por, jeta gjatë kësaj pune e njohur me njerëz të mirë.

“Timi Tona, më tha: Partia nuk kërkon falje. Por do bësh një kërkesë që me mundësim e partisë t’i u riedukove edhe do të bësh një kërkesë, që të kthehesh”.

Pasi u kthye ndodhi sërish e njëjta gjë, nuk e futën as tek filmi dokumentar, as artistik, por tek multiplikacioni.

“Pas 12 vitesh filmi i animuar ‘Orët e Gentit’ që u sulmua, u shemb dhe më tha që s’ka haber nga filmi, u vlerësua me çmim të parë”.

Në vitet ’90, filmi që do ta bënte kineastin  të hiqte dorë nga vendi  i tij, është “A erdhi demokracia?”

“Ky film më detyroi që të iki edhe të braktis atdheun tim. Për këtë vend vuaj shumë, përlotem shumë. Mendova se më erdhi mundësia, që të xhiroj edhe unë një film qoftë për në filmin dokumentar, që e kam plagë. Por, ngela sërish me gisht në gojë në këtë periudhë demokracie...”.

Regjisori Mit’hat Fagu edhe pse në këtë udhëtim ka pësuar vetëm goditje, vazhdon akoma që të ëndërroi, se një ditë do të realizoi një film tjetër.  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?