Intervista e plotë/ Denaj për Report TV: Buxheti i vitit 2021 fokus rindërtimin, shëndetësinë e arsimin! S’ka dyfishim të pagesave të koncesioneve

24 Tetor 2020, 10:24| Përditesimi: 24 Tetor 2020, 10:40

  • Share

Zonja ministre, kemi një projektbuxhet të hartuar në nivelin e 479 miliardë lekëve. Çfarë pritshmërish apo çfarë objektivash kryesore keni për vitin 2021?

Projektbuxheti i vitit 2021 është në raport me investimet kapitale, një nga projektbuxhetet më ambicioze. Dhe sigurisht në vitet e fundit është fondi më i lartë i investimeve që pritet të realizohet vitin që vjen. Ju e thatë me të drejtë që në një vështirësi si kjo që po kalojmë, duket ambicioz por të fokusuar në tri shtylla kryesore, ajo që është rindërtimi pas tërmetit, që është shëndetësia dhe arsimi jo vetëm për rritjen e pagave por edhe për të vijuar me projektet infrastrukturore, sikurse edhe projektet e infrastrukturës. Mendojmë që të tria do të kontribuojnë edhe në rritje ekonomike. Ndërkohë, nëse do të shkojmë në zëra të veçantë, unë do të thosha që projektbuxheti parashikon një shumë të konsiderueshme në fondin e rindërtimit. Në vitin 2020 kemi alokuar 310 milionë dollarë ose 31 miliardë lekë të rinj. Këtë vit që vjen parashikojmë 28 miliardë lekë të rinj ose afërsisht 275-280 milionë dollarë, sepse që të fillosh procedurat e prokurimit duhet të alokosh fonde sipas rregullave të prokurimit publik dhe duhet që këto procedura, të cilat marrin kohë, të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që viti që vjen t’i gjejë sa më shumë banorët që janë jashtë, brenda shtëpisë së tyre. Edhe në raport me fondin e bonusit për banesat të cilat një pjesë e mirë e personave që janë të pkomoduar kanë gjetur si zgjidhje. Në vitin 2020 ne kemi një shpenzim prej rreth 3 miliardë lekësh të rinj ose 30 milionë dollarë. Vitin tjetër parashikojmë 15 milionë dollarë sepse mendojmë që një pjesë e banesave do të zëvendësohen nga banesa me qira në banesat e tyre.

Së dyti, pjesa e shëndetësisë dhe e arsimit besoj që është artikuluar disa herë në raport me çështjen që lidhet me pagat, ajo për funksion, paga për funksion për mjekësinë, e cila rritet 40% dhe për arsimtarët me 15%.

Kemi edhe shpenzimet e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat rriten me rreth 4 miliardë lekë.

Ne dje kemi përfunduar takimet vjetore me Bankën Botërore dhe me FMN-në, bashkë me guvernatorin Sejko. Dhe ishte një tregues shumë i rëndësishëm që u përmend nga niveli më i lartë drejtues i FMN-së, që për çdo 1% investim në infrastrukturë pritet 2,2% rritje në periudhë afatmesme. Dhe mendojmë që fokusi në infrastrukturë është jo vtëm për të përfunduar rrugët publike të nisura dhe për të përmirësuar interkonjeksionin në Shqipëri, por edhe për të sjellë një rritje ekonomike.

Së fundi, në raport me bujqësinë sepse nuk është më pak e rëndësishme, është anoncuar nga kryeministri edhe një skemë e re mbështetjeje për fermerët, për çështjen e subvencionit të një pjese të konsiderueshme të shpenzimeve në çmimin e karburantit, gati në masën 50%, ku do të përfitojnë 83-85 mijë fermerë, të gjithë ata që kanë nipt fermeri, me një kosto buxhetore 1 miliard lekë të rinj.

Analistët dhe njohësit e ekonomisë, pra zërat kritikë, e kanë quajtur si një buxhet elektoral. Sigurisht që Ministria e Shëndetësisë ka buxhetin më të lartë, por fakti që ka të ardhura shtesë për infrastrukturën dhe duke ditur edhe orientimin politik, a kemi të bëjmë edhe me një lloj orientimi të politikave duke qenë se prioritetet tashmë janë bërë publike.

Unë do të thosha që fondi i rindërtimit, që është fondi më i konsiderueshëm, nuk është thjesht një politikë, por është ekonomi për të siguruar njëkohësisht edhe mbështetje sociale për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti. Dhe ne këtë dëm e kemi të artikuluar që në fillim të këtij viti dhe të bërë publik edhe në Konferencën e Donatorëve. Së dyti, në raport me investimet në infrastrukturë, të gjitha projektet të cilat janë të listuara në projektbuxhet duke filluar nga financimet e akseve nacionale, ato të Rrugës së Arbrit, Milot-Fier dhe Orikum-Dukat, sikurse edhe kompletimin e shumë bypass-eve, ai i Delvinës, i Kardhiqit, i Shkodrës, i Tepelenës, janë punë publike të nisura dhe e vetmja punë publike që do të nisë do të jetë tuneli i Llogarasë, por që është anoncuar më parë. Sigurisht janë edhe dy bypass-e të tjera, që financohen me ndihmën e financimit të huaj, Qukë-Qafë Plloçë dhe bypass-i i Fierit dhe i Vlorës, të cilat kanë nisur më parë por duhen përfunduar. Pra, këto janë të mbash premtimin dhe të përfundosh një punë publike që ndihmon ekonominë dhe lëvizjen e njerëzve, por nuk është një projekt i cili nisi sot.

Menjëherë pas prezantimit të këtij projektbuxheti ne patëm edhe akuza të cilat çojnë te dyfishimi i pagesave për koncesione, ndërkohë që koncesionet ne biem dakord janë kryefjalë dhe politika zien të paktën për atë se çfarë realisht ka ndodhur. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?

Të gjitha palët në politikë duhet të shikojnë tabelat që ne publikojnë në Ministrinë e Financave dhe në raport me shpenzimet që lidhen me kontratat koncesionare. Unë dua të them që në vitin 2021 ne kemi të parashikuar 14,4 miliardë lekë nga 14 miliardë që ishin këtë vit, por ne i zvogëluam në 7,8 sepse arritëm të negocionim dhe ulëm me rreth 40% këtë fond me koncesionarët dhe 13,7 miliardë lekë që ishin në vitin 2019. Pra, të thuash dyfishim sepse kemi ulur për arsye negocimi, është e gabuar, por sigurisht ka një rritje sepse janë tri kontrata të cilat kanë një rritje nga njëri vit në tjetrin. Sipas kontratave të mëparshme të firmosura kemi Rrugën e Arbrit, e cila ka një rritje nga njëri vit në tjetrin, nga 3,9 në 2019-n në 4,1 më 2021; kemi mirëmbajtjen, operimin dhe ndërtimin e rrugës Milot-Morinë nga 570 në 800 dhe sigurisht që nuk shikoj dyfishim. Kjo është një kontratë në vijim, e cila zbatohet. Por dyfishimi vjen dhe analizohet vetëm kur krahasohet me uljen që i bëmë këtë vit shumës totale. Pra, të kursesh në një vit dhe pastaj të të kthehet që po e dyfishon, duhet bërë një analizë më e mirë nga të gjitha palët. Por tabelat janë në faqe dhe mund të shikohen nga të gjithë.

Në fakt jo vetëm politika, por edhe ekspertët e kanë konsideruar si dyfishim pjesën e pagesave për koncesionet. Por është edhe një detaj në tabelë që thotë se pragu për pagesat e koncesioneve do të jetë 3,7%. Pra ne respektojmë nivelin apo tavanin që ju keni vendosur prej 5%. Po nëse nuk realizohen të ardhurat tatimore do të ketë përsëri rishikim të pagesave?

Së pari, në lidhje me ekspertët. Me gjithë respektin për ekspertët, mendoj që të gjithë ekspertët duhet të vijnë me argumente dhe të japin fakte. Unë jam e gatshme që, në qoftë se diku duket dyfishimi, ta riformuloj kontekstin. Por besoj se këto janë materiale të cilat Ministria e Financave i prodhon dhe janë publike.

Së dyti, në raport me tavanin. Po, ne jemi në 3,7% këtë vit dhe shkojmë në 3,5% në vitin 2022, sepse ju e dini që të gjitha kontratat nuk parashikohen për një vit, por parashikohen për të gjithë jetëgjatësinë e tyre dhe ne, në projektbuxhetin afatmesëm, të paktën në atë 3-vjeçar, shkojmë dhe analizojmë që të mos ketë tejkalim të tavanit që është 5%. Dhe sigurisht, realizimi i të ardhurave, i cili edhe këtë vit synohet që të jetë në përputhshmëri me aktin normativ të korrikut, dhe vitin tjetër është më i shtuar, ju e dini që totali i të ardhurave rritet me 10,6%, pavarësisht uljeve që i kemi bërë tatimit të fitimit për biznesin e vogël dhe rritjen e pragut të TVSh-së, ne mendojmë që e gjithë puna që ka nisur për miradministrimin fiskal do të kompensojë të paktën vitin tjetër më pak sesa të gjitha vitet e tjera, por konsiderueshëm për të arritur këtë rritje dhe për të mos u vënë në rrezik. Dhe nuk mendojmë që do të ketë një arsye, vetëm nëse do të kemi një situatë pandemie të njëjtë me atë të vitit të kaluar që do të hyjmë prapë në negocim dhe sigurisht me palët kemi gjetur gjuhën dhe do të negociojmë sërish, por jo për arsye të tjera.

Në projektbuxhetin e sapomiratuar kemi dy nisma lehtësuese për bizneset, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimfitimi, por në fakt të ardhurat janë përsëri në rritje edhe pse kemi përjashtime të shumë bizneseve. Kjo do të vijë si pasojë vetëm e miradministrimit të të ardhurave, lufta ndaj informalitetit? Çfarë do të bëhet më shumë në vitin 2021?

Ne nuk flasim për politika fiskale apo miradministrim fiskal në një vit. Ne flasim të paktën për 3-5 vite dhe kjo gjuhë në ministri ka ndryshuar prej vitit të kaluar, ku edhe së bashku me një ekip ekspertësh nga FMN-ja, ne kemi bërë një projekt sesi edhe miradministrimi fiskal me instrumente të caktuara, edhe disa politika, mund të shikohen në afatmesëm. Për vitin 2021 besojmë që puna që është bërë në dy vitet e shkuara dhe materializimi i saj me sistemet e reja, do të fokusojë vëmendjen te biznesi i mesëm dhe i madh, ku edhe transaksionet në sektorë të caktuar mund të sjellin një hapësirë më të madhe në vlerë absolute, kur evazioni ndodh. Ndërsa biznesi i vogël është lehtësuar, pasi jo vetëm që është e nevojshme për këtë periudhë që po kalon, është biznesi në numër janë një numër i konsiderueshëm por në vëllim është një vëllim i ulët, por për ata, për atë ekonomi familjare, heqja e tatimfitimit dhe rritja e pragut të TVSh-së është e konsiderueshme. Dhe e bërë kjo në 8 vite, sigurisht që ka vlerë për ata. Ndërsa në buxhetin e shtetit rritja e luftës ndaj evazionit ndodh te biznesi i mesëm dhe i madh. Dhe do të ketë kontribut. Është përllogaritur që, në qoftë se të gjitha instrumentet vendosen në 100% të kapacitetit, që unë dua të jem këtu shumë e qartë, nuk mund të ndodhë brenda një viti, pra nëse më 2021 ne i vendosim të gjitha sistemet do të duhet edhe viti 2022, por parashikohet që 1,5% e produktit të brendshëm bruto do të jetë vetëm nga miradministrimi fiskal.

Herë pas here kanë ardhur akuza nga PD-ja për borxhin publik, duke iu referuar eksponentëve që njohin fushën e ekonomisë, por edhe ekspertëve të tjerë që gjithashtu flasin për borxhin publik, mbi 80% të prodhimit të brendshëm bruto. Kam bërë një llogaritje dhe del mbi 4.000 euro detyrim që një qytetar duhet të paguajë. I adresohet këtyre viteve të fundit të PS-së. kemi një përgjigje? Çfarë po ndodh, zonja ministre?

Është e vështirë që të japësh përgjigje në 3 minuta për këtë çështje. Do të doja mirëkuptimin e të gjithë ekspertëve, që kur të flasin për çështjen e borxhit, të mos flasin vetëm në vlera absolute, por të flasin me të gjithë komponentët e tjerë, duke përfshirë edhe rritjen e shpenzimeve dhe të buxheteve, sepse që të flasësh për vlerë absolute, pa marrë parasysh sesa janë rritur shpenzimet në investime kapitale apo në shpenzime operative, është e pamundur që të marrësh vetëm një pjesë të medaljes, duhet që t’i shikosh të dyja. E dyta, ne flasim për të kompensuar këtë mungesë kohe apo debati me të gjithë ekspertët, ne flasim e përqindje. Dhe sigurisht përqindja është e rritur në krahasim me një vit më parë, ku sigurisht në 5 vite po të shikoni trajektoren e raportit të borxhit mbi produktin e brendshëm bruto, erdhi dhe u ul sepse ishin pjesë një procesi për konsolidim fiskal. Tani, nëse neve na bie edhe tërmeti, edhe pandemia dhe të pretendojmë që përtej luftës ndaj evazionit, për një informalitet që nuk dua ta artikuloj në përqindje, por shpesh e themi është 35-40%, krijimit të lehtësirave, shtyrjes së detyrimeve dhe të mos rrisësh borxhin, po e bëjnë vendet e tjera më të zhvilluara se Shqipëria, pse të mos e bëjë Shqipëria. Ne kemi arritur të mendojmë që ky është një proces që do të zgjasë në dy vite, por brenda dy viteve, 2020 dhe 2021, raporti i borxhit mbi produktin e brendshëm bruto do të jetë në trajektore rënëse dhe në projektbuxhet ju e keni në 78% nga 80,4%. Ndërkohë deficiti që është një tregues shumë i rëndësishëm i raportit të borxhit, në kumulativ do të jetë me të njëjtët parametra për dy vite, siç ishte i parashikuar, në gati 12,5%. Ne mendojmë që në fund të vitit 2021 do të jetë një vit ku konsolidimi fiskal do të ndodhë dhe kemi detyrimin ligjor më 2023 që të dalim me një bilanc primar pozitiv. Tani, sigurisht nga një vit në tjetrin ne monitorojmë të gjithë parametrat që premtojmë. Dhe është detyrë jo vetëm e Ministrisë së Financave, por edhe e organizatave ndërkombëtare, kështu që të jemi të sigurt që ulja e borxhit është detyrim në radhë të parë për Ministrinë e Financave, por duhet të mirëkuptojmë që dy vite ne duhet të konsolidojmë këto investime për të mundësuar kthimin e njerëzve nga çadrat në shtëpi, mjekët dhe arsimtarët me paga më të mira dhe përfundimin e punëve publike.

Në fakt një çështje shumë e rëndësishme që ju e prekët edhe tani janë investimet. Ju keni parashikuar edhe investime të shtuara, jo vetëm ato që do të bëhen me paratë e buxhetit të shtetit, por edhe tërheqje të investitorëve të huaj. Kjo është një ambicie e kahershme e qeverisë. Cilat janë pritshmëritë tuaja për investimet e huaja në vitin 2021, duke qenë se këtë vit si pasojë edhe e pandemisë kemi pasur disi luhatje.

Pandemia mund të sjellë edhe disa oportunitete. Dhe faktikisht ne, përtej dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme që firmosëm dy javë më parë me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, që ishte një nga marrëveshjet më historike për ekonominë shqiptare në raport me marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me SHBA-të, firmosëm edhe një marrëveshje për një nga projektet madhore në infrastrukturë, atë të energjisë, që lidhet me Skavicën dhe që një firmë amerikane ka marrë angazhimin në këtë memorandum të mirëkuptimit për ta realizuar këtë projekt. Dhe kemi një plan pune sesi të sjellim më tepër investitorë të huaj nga SHBA-të dhe ambasadorja e ka artikuluar këtë shumë fort. Ndërkohë, para disa ditësh kemi bërë një diskutim me ministren e Industrisë në Francë. Edhe ata shumë të hapur për të parë marrëveshjet tona dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit. Ndërkohë, pse mendojmë që shumë vende do të kenë interes për Shqipërinë dhe jo vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin Perëndimor dhe në këtë kuadër edhe brenda MAPREA-s, që është një organizëm që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria bën pjesë. Ne po përpiqemi që të jemi një treg kompetitiv nëpërmjet fuqisë punëtore të kualifikuar, të mirëpaguar dhe të trajnuar, për ata investitorë të huaj të cilët duan të sjellin industrinë e tyre nga vendet e largëta, kryesisht në Azi, në një distancë më të vogël, në Ballkan, sepse pandemia tregoi që jo vetëm distancat por edhe disa konflikte të vogla mund të krijojnë bllokim për vendet e Evropës Perëndimore, për furnizimin me disa pajisje. Kështu që distanca më e ulët do t’i bëjë këto furnizime më të mundshme për këto vende dhe sigurisht që janë duke parë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.

Po zonat e lira ekonomike, a mund të shikohen edhe këto si një mundësi e mirë për zhvillim?

Është pjesë e të njëjtit proces dhe po diskutohet me të gjithë të interesuarit. Por edhe duhet ta kuptojmë drejt që ky nuk është proces që ndodh në një ditë dhe është i orientuar totalisht drejt investimeve të huaja, të cilat do të sjellin në Shqipëri investitorë që kanë interes për të investuar jo vetëm në zonat e lira ekonomike, por edhe në vende të tjera, por në pjesën e tërheqjes së industrisë së tyre aktualisht në nevojë për tregjet pas pandemisë, por për t’i sjellë më afër. Dhe Shqipëria po lobon fuqishëm për të sjellë investitorë në këë aspekt.

E kuptojmë që jemi në një situatë të pazakontë dhe të pasigurt se çfarë do të na sjellë e ardhmja. Po familjarët, çfarë duhet të presin nga buxheti i vitit 2021? Të ardhurat për frymë janë në rritje në vitin e ardhshëm, por konkretisht çfarë mund të presin më mirë në gjendjen e tyre të jetesës?

Është e vështirë të flasësh për mirëqenie në një vit të vështirë krize, e cila vjen nga këto dy goditje. Duhet të jemi të qartë që ne nuk po flasim për mirëqenie, por rritja vjen dhe duhet të markohet nga fakti që të gjitha këto investime publike, sigurisht që do të sjellin punësim, sepse do të realizohen nëpërmjet kompanive të cilat do të kërkojnë fuqi punëtore. Në këtë aspekt ne

kemi projektuar që konsumi, që kontribuon me gati 90% në rritjen e produktit të brendshëm bruto, do të vijë duke u rritur. Dhe produkti i brendshëm bruto rritet me gati 5,5% vitin tjetër, pothuajse pak më shumë sesa e ka projektuar edhe Banka Botërore. Por thelbi është dhe e përkthyer në fjalë më të thjeshta që, do të kesh nevojë për këto investime, paratë buxhetore janë vendosur, atëherë ke nevojë për të punësuar, punësimi do të thotë një rrogë më e shtuar. Ne tani edhe rrogën minimale e rritëm që të ketë pak më tepër konsum. Rritja e pagave për mjekët dhe arsimtarët ndikon pak më shumë në konsumin e tyre. Pra, nëse do të ketë më shumë konsum, do të ketë edhe një rritje të mirëqenies së tyre. Sigurisht, ne flasim për kategori të ndryshme dhe është e vështirë që t’i përfshish të gjitha kategoritë, prandaj flasim me mesatare. Sigurisht që kemi diskutuar edhe për çështjen e pensioneve, të cilat edhe këtë vit janë të limituara vetëm tek indeksimi dhe nuk ka një rritje siç mund të pritej. Megjithatë ky është një proces që do të dojë një kohë më të gjatë analize. Indeksimi këtë vit do të jetë përsëri në vleftën e 2,4 miliardë lekëve ose 24 milionë dollarë.

Të rikthehemi te çështja e borxhit publik. Në muajin qershor ne patëm një arritje të suksesshme në fakt, siç u konsiderua, marrja e një eurobondi në tregjet ndërkombëtare në situatë pandemie dhe me një normë interesi tepër të favorshme. Është vendosur në punë aktualisht eurobondi?

Ne faktikisht në nëntor paguam një pjesë të rëndësishme nga kjo shumë për të kthyer pjesën e marrë disa vite më parë. 650 milionë euro ishin parashikuar, që kur filluam tratativat dhe procedurat, që i kemi filluar në vitin e kaluar në tetor, para rënies së tërmetit. Në fakt kishim parashikuar 500-600 milionë dhe në momentin që jemi futur në eurobond, ne nuk e kishim llogaritur të gjithë buxhetin e vitit, kështu që nuk mund të kërkonim nga tregu ndërkombëtar dyfishin, sepse do të ishte e gabuar edhe për procedurë. Megjithatë nga 650 milionë, 250 milionë shkojnë për të paguar një detyrim huaje, pjesa tjetër është dhe absorbohet për shpenzime buxhetore, të cilat sidomos në muajt e fundit të çdo viti kanë likuiditet të shtuar sepse faturat fillojnë dhe paguhen dhe përfundojnë në periudhën nëntor-dhjetor.

Do të kërkohet eurobond tjetër vitin e ardhshëm nëse do të ishte e nevojshme?

Jo në fillim të vitit dhe procedurat për një eurobond duhet të fillojnë disa kohë më përpara. Ne kemi disa parametra sesi realizojmë financimin, duke filluar nga ai i brendshmi, me tregun tonë të brendshëm financiar, ku dua të theksoj që të gjitha daljet tona në tregun e brendshëm kanë rezultuar me një mbulim më të madh se 1 herë. Nuk dua të flas për eurobondin që ishte gati 4 herë dhe të dyja këto tregojnë që ka një interes për të blerë bonde shqiptare dhe norma e interesit edhe në tregun e brendshëm nuk është rritur, sikurse shumë mund të pretendonin, pasi edhe tregu është likuid dhe performanca e qeverisë në aspektin financiar dhe menaxhimi është e mirë. Ndërkohë ne do të shikojmë sesi do të ecin të gjitha projektet infrastrukturore, të gjitha fondet e rindërtimit dhe nëse do të kishte nevojë për një proces tjetër, nuk mund t’i vë emrin eurobond, por dalje në tregun ndërkombëtar përsëri, do ta gjykojmë në atë moment. Është shumë herët për ta diskutuar.

Ne jemi në një situatë të pasigurt, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me Covid-19, nuk e dimë se çfarë ndodh në botë. Çfarë do të ndodhë me ekonominë, nëse do të duhet që si pasojë e rritjes së shifrave do të kemi nevojë për biznesin, për palët në nevojë, të kemi një paketë të tretë. A jemi të përgatitur pavarësisht se kryeministri, me sa e kemi ndjekur, ka lënë të kuptohet që ne nuk jemi aktualisht duke e menduar një gjë të tillë. Por ju që keni çelësat e financës, e keni një plan B, e keni menduar, e keni diskutuar me ekspertët duke qenë se ajo çfarë ne kemi përpara është e paditur, është e panjohur?

Ne jemi më të përgatitur për një situatë, për analizë dhe për skenar, sesa ishim në periudhën janar-shkurt të këtij viti, ku asnjë nuk e parashikoi pandeminë. Dhe projeksionet mbështeten vërtet mbi parashikueshmëri të limituar. Por ne sot jetojmë me një situatë pandemie dhe me një situatë që ndodhi dhe që reflektoi një kosto nga tërmeti. Por e kemi menaxhuar dhe njësoj do ta menaxhojmë. Parashikueshmëria për plan të dytë dhe të tretë është më e madhe sesa ishte në fillimin e vitit dhe kjo është përgjigjja ime e parë. Së dyti, nëse do të jemi përpara një fakti, ku do të na duhet të rialokojmë shpenzime, do t’i bëjmë ato siç e bëmë këtë vit dhe kur ishim të vendosur në një proces më të madh jo vetëm të parashikueshmërisë, por edhe të presionit kohë. Ne sot kemi hapësira për të negociuar, jo vetëm në aspekt të atyre kontratave që ju thatë, të cilat sigurisht unë do të doja që të mos i shikonim si e vetmja alternativë, kemi shpenzime operative, kemi shpenzime të tjera që do të duhet t’i rishikojmë dhe t’i shtyjmë. Buxheti është i tillë, në varësi të asaj që të ndodh do të vendosësh prioritet, do ta adresosh, duke filluar si në raport me shëndetësinë në qoftë se do të jetë pandemia prioriteti i parë, ashtu edhe me të gjitha shtresat në nevojë apo me fondin e papunësisë, të cilin edhe këtë vit ne e dyfishuam gjatë kohës së paketave. Njësoj do ta bëjmë në qoftë se do të jemi në ato kushte, por unë shpresoj vërtet për shëndetin e të gjithëve ne që të mos jemi në ato kushte.

Paketat që keni miratuar deri tani, ju i keni konsideruar si dy garanci veçmas dhe pjesën e pagës veçmas, por janë katër në fakt, tri pagat nga 26.000 lekë, bonusi 40.000, garancia e parë pa normë interesi dhe e dyta me një normë interesi në varësi deri në 5%. Sa të suksesshme ishin? Sa përfituan bizneset? A janë mbyllur proceset deri tani?

Suksesi përcaktohet nga fakti se a ka shkuar së pari tek ata që është premtuar. Dhe po, janë më shumë se 255 mijë përfitues sipas kategorisë që vendosëm dhe për paketën e parë 35 mijë, për paketën e dytë 60 mijë biznese, të cilat nuk janë veçmas nga personat, prandaj nuk duhet t’i mbledhim. Janë brenda kategorive të ndryshme. Ndërkohë, për garancinë e parë sovrane është disbursuar 60% e shumës. Unë mendoj që asnjë biznes nuk do të shkojë të marrë një kredi edhe sikur ajo të jetë me interes 0 nëse nuk parashikon që të jetë në treg. Kjo është përgjegjshmëri ndaj huas, kështu që ne kur themi që s’është përdorur 100% do të thotë dy gjëra: e para, ato biznese të cilat kanë menduar që do të jenë në treg dhe kanë pasur nevojë për likuiditet, kanë shkuar dhe ato biznese të cilat janë refuzuar nga banka, janë refuzuar sepse ose risku i tyre ishte i madh ose kanë një histori kreditimi në vite të gabuar. Dhe unë e quaj garancinë e parë sovrane të ezauruar sepse duke qenë se ishte për marrëdhënie pagash dhe emergjence, ne do ta rialokojmë atë fond, pra diferencën. Po bëhemi gati për një garanci të tretë sovrane, e cila do të jetë më e targetuar. Unë vijoj t’i bëj referencë takimit të djeshëm sepse edhe dje, në forumin ministerial me drejtuesit e FMN-së u orientua biseda që të kalojmë nga ndihma universale te ndihma e targetuar dhe kjo është sidomos pas kalimit të emergjencës. Garancia e dytë sovrane është një garanci që jepet për kapital qarkullues dhe aktive fikse. Është një garanci e ndarë në risk. Ne kemi 60%, bankat kanë 40%. Analiza është më e thellë sepse në rastin konkret edhe banka do të duhet të marrë 40% mbrapa të parasë që do të vendoste dhe ka rregulla strikte. Ndërkohë, kjo nuk do të thotë që bankat nuk janë duke analizuar, janë 575 biznese. Unë sot kam firmosur shtyrjen e afatit sepse edhe afatet paraprake që ne kishim vendosur, ishin shumë të ngushta dhe në komunikim me bankat, ato kanë kërkuar shtyrje të afatit, ç’ka tregon që kanë akoma interes dhe ka biznese. Ne afatin e kemi shtyrë dhe do ta shtyjmë sa kohë kanë nevojë bankat, kjo është e sigurt.

Garancia e tretë që ju përmendët është një lajm i ri edhe për biznesin dhe mund të jetë njëmundësi e mirë edhe për t’u shfrytëzuar. Do të fokusohet përsëri te biznesi për investime?

Në fakt ne jemi duke monitoruar se për çfarë ka nevojë biznesi tani, pas kalimit të emergjencës. Kështu që të themi se ku do të fokusohet, pa mbaruar diagnozën, e kemi të vështirë. Në këtë diagnozë ne kemi parë paraprakisht që një pjesë e mirë e bizneseve, të cilat kanë lidhje dhe marrëdhënie me eksportin e mallrave, kanë nevojë për likuiditet sepse një pjesë produkteve shkojnë por likuiditeti nuk u vjen dhe në këtë aspekt janë më të ngurtë dhe duke qenë se edhe bankat në garancinë e dytë janë akoma të ngurta, çështja kohë vlen, që të jetë pak më e shpejtë. Jemi duke menduar diçka që lidhet me eksportet kryesisht, në kapital qarkullues, por duhet ta përfundojmë dhe pastaj të japim të gjitha detajet.

Ju do të rialokoni fondet që kanë mbetur nga dy garancitë e para, por a ekziston mundësia për ndonjë rishikim?

Jo, nga garancia e dytë nuk do t’i rialokojmë fondet, kemi shtyrë afatet. Fondet e garancisë së parë që i ka mbaruar objekti i veprimtarisë dhe të tjera që mund të ketë nevojë, pra ne nuk do të marrim çfarë ka mbetur për të bërë një produkt të tretë. Ne po bëjmë diagnozën që, ajo që nevojitet për atë segment të biznesit që ka nevojë dhe shikon perspektivë zhvillimi, të japim një instrument të ri përsëri nëpërmjet sistemit bankar për të mundësuar çëshjen e likuiditetit që sot i kanë jo vetëm të brendshme, por edhe të ndërlidhura edhe me bashkëpunëtorët e tyre. Prandaj e lidha me eksportet. Mund të ketë edhe një të katërt, që mund të lidhet me sektorë të caktuar. Dua të them që do të shkojë e targetuar. Nëse situata e pandemisë menaxhohet si një proces postpandemie, pra jo emergjence, atëherë do të jemi duke folur për produkte të targetuara dhe jo për paketa. Dhe gjithmonë kemi thënë, edhe në raport me diskutimet që bëhen apo debatet në opinione të ndryshme, pse nuk ka paketë të tretë apo të katërt, sepse ne thamë që paketat, në mënyrën sesi i projektuam, ishin të lidhura me situatën e emergjencës. Kishim paketë të parë, të dytë. Më 18 maj u hap ekonomia. Nuk ka paketë të tretë, por ka masa, ka skema të nxitjes së punësimit, ka një skemë për biznesin që po e diskutojmë, ka garanci të tretë që po e diskutojmë. Do të ketë procese të cilat ne i konsultojmë edhe me kolegët tanë ndërkombëtarë dhe jemi duke shkuar drejt një targetimi për nevojat që ka çdo sektor. Nëse do të fuhet që të futemi përsëri në emergjencë, sigurisht që do ta trajtojmë në të njëjtin format.

Do të ketë rishikim tjetër të buxhetit të këtij viti?

Në fund të nëntorit do të duhet ta shikojmë. Duam të shikojmë sesi punët publike dhe fondet e alokuara për to kanë ecur. Nëse do të shikojmë në fund të nëntorit që punët publike në një autoritet konktraktor janë më të ngadalësuara dhe do të duhet të rialokohen për shërbime të cilat kanë ecur më mirë, që është objektivi i çdo akti normativ në fund të vitit, do ta bëjmë. Por duhet të presim nëntorin për të bërë këtë analizë dhe për të sjellë pastaj pranë Kuvendit aktin normativ, në qoftë se do të ketë. Mund të ketë.

Kemi pasur një sërë kërkesash nga biznesi, por ajo që është më aktualja, që është edhe bojkot nga ana e Ligës së Futbollit. Ata kërkojnë edhe një herë ndryshimin e Ligjit për Sponsorizimet dhe madje sot presin një përgjigje. Do të ketë ndërhyrje që të përfshihet edhe privati?

Marrëdhënia me biznesin që vjen nga shumë sektorë të ekonomisë dhe këtë vit të intensifikuara në komunikim, kanë treguar që sigurisht kërkesat e çdo sektori janë të rëndësishme. Jo të gjitha mund të plotësohen. Dhe kur flasim për sektorë si ndërtimi, turizmi, bujqësia, fasonët, sigurisht ndahen. Dhe në çdo rast, çdo kërkesë është parë në aspektin mundet apo nuk mundet, në logjikë dhe në fond. Rasti i Ligës së Futbollit është një rast që ne e kemi diskutuar disa herë, edhe së brendshmi, në një periudhë 2-vjeçare. Pra, nuk lindi sot. Dhe kemi shpjeguar pse të gjitha kërkesat sipas tyre, në logjikë të fiskales nuk qëndrojnë. Kjo përtej situatës së pandemisë. Por po t’i shtosh edhe situatën e pandemisë, kjo logjikë bëhet edhe më e fortë për të negociuar dhe për të mos qëndruar në pozita të moskomunikimit. Por ndërkohë unë konstatoj me kënaqësi që ne jemi ulur para disa ditësh me përfaqësues të Ligës, pra kemi arritur që të komunikojmë, kemi dhënë propozimin tonë brenda të njëjtit format që është ajo e nxitjes së ligjit të sponsorizimit në një dimension që të jetë atraktiv për bizneset për të sponsorizuar. Kërkesa e Ligës që të marrë një përqindje të caktuar nga tatimi i fitimit, neve në kontekst logjik, nuk na duket një politikë e saktë fiskale, por nxitja fiskale nëpërmjet Ligjit të Sponsorizimit, ku çdo biznes ka lehtësira në qoftë se sponsorizon dhe shkon në të njëjtën masë sikurse masa e propozuar, mendojmë se është një procedurë më e qëndrueshme, është më transparente për bilancet e atyre kompanive që kanë lidhje me sponsorizimin dhe po të monitorohet mirë mund të sjellë investime në sport për atë që kërkojmë edhe për fëmijët etj. Kemi arritur që të negociojmë për TVSH-në e shërbimeve, të mos harrojmë që është një direktivë e BE-së, dhe ne duhet t’i qëndrojmë direktivave të BE-së, por kemi marrë mirëkuptimin e tyre. Kemi parë sesi të nxisim monitorimin e afatit 2-vjeçar, ndërsa çështja e gjobave është në çështje që shikohet në aspekt të ndryshimit ligjor për të gjitha gjobat dhe jo vetëm për Ligën.

Si jeni ndier në dy vite në drejtimin e ministrisë, me dy goditje të mëdha, tërmetin dhe pandeminë?

Përgjegjësia në këtë detyrë është e madhe edhe pa këto dy goditje. Sigurisht, unë mendoj që kjo ministri ka një staf shumë të aftë dhe kemi bashkëpunuar me të gjitha ministritë në një mënyrë perfekte për të përballuar edhe emergjencat, edhe aktet juridike, edhe analizën dhe them me bindje që ka qenë një punë në grup dhe shumë orë të vona.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?