Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet dhe investimet e bëra në Tepelenë dhe në kalanë e Ali Pashës që sipas tij po del më në fund në pah pasi ishte pushtuar nga ferrat dhe abuzimet me ndërtimet. Kryeministri Rama inspektoi ecurinë e punimeve në kalanë historike të Ali Pashë Tepelenës, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Kryeministri ka dhënë disa këshilla se si projekti duhet të zbatohet edhe në lagjen pranë kalasë ku të gjithë elementët dhe detajet duhen pasur parasysh që të jenë në harmoni me mikpritjen që do të risjellë trashëgimin kulturore. Rama tha se duhen ndërhyrë në rrugë, oborre dhe gardhet rrethuese të banesa për ti risjellë siç duhet me fondin e shtetit.
E gjitha kjo bëhet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social, me synim kthimin e potencialit turistik në burim fitimi për individët, komunitetet e për ekonominë kombëtare.
“Te gjitha duhet të pastrohen, këto gardhe duhet të rikonstruktohen me fondin tonë. Projekti duhet marrë element për element dhe duhet të bëhet inventari të sistemojmë dhe portat rrugët dhe gardhet edhe të banesave në fshat në mënyrë që të jenë në harmoni me projektin që do të nxjerr në pah kalanë e Ali Pashës. Duhen pastruar gjithçka, tela, shtylla dhe të hiqen të gjithë elementët që prishin këtë panorame dhe trashëgimi kulturore”, tha Rama.
Gjatë inspektimit Rama nuk kurseu dhe batutat me qytetarët ku njëri prej tyre tha se është i mirëpritu në shtëpinë e tij edhe pse ishte demokrat.
Ndërkohë që Kryeministri ia ktheu se na duhen disa demokratë që të mos na marrim mësysh.
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet që po kryhen për segmentin e fundit prej 14km, në Salari, Tepelenë, segment ky që do të lidhë me rrugë turistike qytetin poshtë me lartësinë e Nivicës.
Kreu i qeverisë nënvizoi se investimet në infrastrukturë e në mbështetje të agroturizmit, u kanë dhënë shpresë e optimizëm emigrantëve që kanë nisur të investojnë kursimet e tyre për kthimin e shtëpive të rrënuara në bujtina mikpritëse.
Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe batutat ndërmjet Ramës dhe kreut të bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçit. Rama i tha Peçit se ai bën vetëm fitore publicitare, por nuk bën publicitet për punën që kryhet.
Rama: Ore a ka mundësi që tu thuash njerëzve se bëhen rrugë fshati apo jo?
Peçi: Këto ç'janë!?
Rama: Leje se nuk i dinë njerëzit këto. Ti bën fitore publicitare, por nuk bën publicitet për punën, se je i fitoreve, nuk je i asaj reklamimit të punëve të përditshme.
Peçi: Ky është një investim i shumë pritur...
Rama: Tepelena nga një xhep fals, që e lanë anash, është kthyer tani në epiqendrën e një harte turistike ku përfshihet Gjirokastra, Vlora dhe Himara. Tani oferta turistike e integruar bën që faktikisht gjithë kjo mrekulli e madhe, kthehet në një park natyror tematik dhe turistik.