Florenc Gjikuria

''Investitor strategjik'', Qeveria i kalon mbi 9000 metra katrorë në bregdetin e Drimadhes biznesmenit Florenc Gjikuria! Do të ndërtojë një hotel dhe 150 vila

8 Shtator 2022, 17:00| Përditesimi: 8 Shtator 2022, 19:31

  • Share

Kompania ‘White Roads Hotel’ me pronar Florenc Gjikuria ka marrë 9000 metra katror në Dhërmi nga shteti si investitor strategjik. Përmes një vendimi të miratuar ditën e djeshme Këshilli i Ministrave finalizoi kalimin e kësaj sipërfaqeje të toke në bregdetin e Drimadhës me qira simbolike prej 1 euro në favor të projektit të Gjikurisë për ndërtimin e një fshati turistik – pasi i kishte dhënë më parë statusin e investitorit strategjik.

Biznesmeni ka marrë statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike pasi do të ndërtojë një hotel dhe 150 vila në fshatin  Gjilekë të Bashkisë së Himarës.

“Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “WHITE ROADS HOTEL”, sh.p.k., me NUIS M02407023J, si qiramarrës, për pronat e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale 1739, me numër pasurie 68/122, 5240/5 dhe 68/51/2, të llojit “truall”, me sipërfaqe totale 9 157.2 m2 (nëntë mijë e njëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë dy), në pronësi “shtet”, me vendndodhje në Gjilekë, Bashkia Himarë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, planvendosjes, dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe shoqëria “ËHITE ROADS HOTEL”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Kjo kontratë vjen pas vendimeve të mëparshme të qeverive shqiptare  në një Akt Normativ të qeverisë “Berisha” të vitit 2008  ‘Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…” si dhe një vendim i qeverisë “Rama” i vitit 2019, “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshme vendore”.

K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?