Kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje emigrantëve gjatë takimit në Kretë që të investojnë në tokat e tyre në Shqipëri. Rama tha se ata kanë dijet dhe eksperiencën e duhur, dhe se nëpërmjet Paketës së Maleve, nëse përfshihen në 500 aplikantët e parë, nuk do të kenë detyrime ndaj shtetit për 10 vite.
Kreu i qeverisë përmendi gjithashtu edhe linjën e kredisë prej 250 milionë eurosh nga Banka e Shqipërisë në mbështetje të investimeve të tilla.
“ Nëse ka një mundësi jo doemos për t’u kthyer përgjithmonë por duke pasur edhe pasaportën evropiane për të jetuar edhe këtu edhe atje. Për të gjithë ata që janë këtu në Greqi apo edhe në vende të tjera dhe që kanë një tokë në fshat, një shtëpi të rrënuar të gjyshit apo që njohin miq ose kanë të afërm në fshat ku mund të bëhet një investim, kemi kaluar në parlament për emigrantët një ligj që sot është në fuqi, që thotë se çdokush që zotëron një tokë për të cilën mund të mos e ketë akoma dokumentin e pronësisë po ka dëshmitarët në fshat që është toka e të parëve të tij, mund të marrë një vërtetim nga këshilli bashkiak dhe të marrë leje për të rindezur oxhakun në shtëpinë e gjyshit dhe për ta kthyer shtëpinë e gjyshit në një agroturizëm apo për të investuar atje në çfarëdo lloj rruge që zhvillohen investimet në fshat, për blektori, agropërpunim, gjëra që i bëni këtu dhe keni eksperiencë. Takova një djalë para pak javësh nga ky ishull që merrej me grumbullimin e produkteve bujqësore dhe nxjerrjen e tyre në treg.
Keni shumë eksperiencë dhe dije, keni parë shumë dhe për këdo që do të kthehet ose të investojë atje, duhet të keni parasysh se ligji thotë se për 500 aplikantët e parë janë 10 vite pa taksë, TVSH dhe asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit. Po ashtu, e di që ky ishull ka një turizëm shumë të zhvilluar por të gjithë ata që presin sezonin këtu për të punuar, i ftoj që të interesohen edhe në Shqipëri, të pyesin se si janë pagat në turizëm, s’kanë nevojë të më dëgjojnë mua, mjafton të interesohen dhe të shikojnë se kam përshtypjen se në të shumtën e herës iu del më mirë atje sesa këtu. Megjithatë kjo është në dorën e secilit që të interesohet dhe ta shohë vetë nëse është kështu si them unë. Për të mbështetur investimet në fshat, BSH ka hapur edhe një linjë kredie që fillon me 250 mln euro në total, dhe cilido që do të ketë akses në atë linjë kredie, që 70 për qind të kolateralit garantohet nga shteti, është i ftuar ta bëjë”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Mos prisni 15 vite për dokumentet greke, më 11 maj mesazh BE dhe Greqisë se duam të jemi të barabartë! Për 1 vit hapim konsullatën shqiptare në Kretë (VIDEO)
Xh.D/ReportTv.al
