"Sulmi iranian është shkelje flagrante – na rezervojmë të drejtën për përgjigje”
Katar ka reaguar ashpër ndaj sulmit iranian ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid, duke e cilësuar atë si “një shkelje flagrante të sovranitetit të vendit dhe të hapësirës së tij ajrore, si dhe një shkelje të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, theksoi se “Shteti i Katarit i rezervon vetes të drejtën për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt në mënyrë proporcionale me natyrën dhe përmasat e kësaj agresioni të hapur, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Ndërkohë, autoritetet e Katarit konfirmuan se sulmi iranian është kapur me sukses nga mbrojtja ajrore dhe nuk ka asnjë viktimë apo të plagosur. Lajmi është konfirmuar edhe nga rrjeti televiziv CNN.
"Shteti i Katarit dënon ashpër sulmin ndaj bazës ajrore Al-Udeid nga Garda Revolucionare iraniane
Shteti i Katarit dënon me forcë sulmin që kishte në shënjestër bazën ajrore Al-Udeid, i kryer nga Garda Revolucionare Iraniane. Ne e konsiderojmë këtë si një shkelje flagrante të sovranitetit të Shtetit të Katarit, të hapësirës së tij ajrore, të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Rikonfirmojmë se Katari i rezervon vetes të drejtën për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt, në një mënyrë që i përputhet natyrës dhe përmasës së këtij agresioni të guximshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sigurojmë opinionin publik se mbrojtja ajrore e Katarit e ka penguar me sukses sulmin dhe ka kapur raketat iraniane. Një deklaratë e detajuar në lidhje me rrethanat e sulmit do të bëhet publike më vonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Theksojmë gjithashtu se vazhdimi i veprimeve të tilla ushtarake përshkallëzuese do të minojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke e futur atë në zhvillime që mund të kenë pasoja katastrofike për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha veprimeve ushtarake dhe për një rikthim serioz në tryezën e negociatave dhe dialogut.
Gjithashtu, Shteti i Katarit ka qenë një nga vendet e para që ka paralajmëruar për rreziqet e përshkallëzimit izraelit në rajon. Ne kemi bërë vazhdimisht thirrje për prioritizimin e zgjidhjeve diplomatike dhe kemi theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe shmangies së përshkallëzimeve.
Ripohojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të kapërcyer krizat aktuale dhe për të garantuar sigurinë e rajonit dhe paqen për popujt e tij.
Baza ishte evakuuar më parë, në përputhje me masat e vendosura të sigurisë dhe kujdesit, për shkak të tensioneve në rajon. Janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e personelit të vendosur në bazë, përfshirë anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit, forcat aleate dhe të tjerët. Konfirmojmë se nuk ka pasur të lënduar apo viktima nga ky sulm",- thuhet në deklaratë.
Lajmi kryesor:
Irani i përgjigjet SHBA-ve, sulmon bazat amerikane në Katar e Irak! Trump: Reagim i dobët, faleminderit që na paralajmëruat! 13 nga 14 raketa u rrëzuan! Asnjë i lënduar (VIDEO)
K.M/ReportTv.al