Bota

Irani i përgjigjet SHBA-ve, sulmon bazat amerikane në Katar e Irak! Trump: Reagim i dobët, faleminderit që na paralajmëruat! 13 nga 14 raketa u rëzuan! Asnjë i lënduar (VIDEO)

23 Qershor, 07:14| Përditesimi: 23 Qershor, 23:08

  • Share

Irani ndërmori këtë të hënë hapin e parë hakmarrës ndaj Shteteve të Bashkuara me operacionin e pagëzuar "Shpallja e Fitores", duke sulmuar me raketa balistike bazat amerikane në Lindjen e Mesme, konkretisht në Katar, Irak dhe Siri, pas bombave 14-tonëshe që bombarduesit amerikanë B2 hodhën në impiantet bërthamore iraniane, një ditë më parë.

Presidenti Donald Trump reagoi duke thënë se kundërpërgjigjia e Iranit ishte shumë e dobët dhe se asnjë prej 14 raketa të lëshuara drejt bazave ushtarake nuk arriti të prekë kontigjentin amerikan.

"Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet. Janë lëshuar 14 raketa — 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim.

Jam i kënaqur të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme. Më e rëndësishmja, ata duket se e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen.

Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë",- tha Trump.

Më parë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit deklaroi se lëshoi një numër raketash të barabartë me atë të bombave të hedhura nga Shtetet e Bashkuara, në impiantet e saj bërthamore.

Shteti i Katarit ka dënuar sulmin iranian ndaj bazës amerikane që ndodhej në territorin e saj, duke bërë me dije se nuk pati viktima apo të plagosur, por thekson se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur në formë proporcionale.

Media amerikane "New York Times" pretendon se Irani kishte lajmëruar paraprakisht Katarin për sulmin ndaj bazës amerikane që ndodhej në territorin e saj.

Sulmi në vetvete nuk ishte një surprizë e plotë. SHBA-të ishin përgatitur për diçka të tillë që nga sulmet e tyre ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë fundjavës. Të gjitha forcat amerikane në Lindjen e Mesme kanë qenë në gatishmëri të lartë dhe të gatshme për një sulm të tillë që do të vijë.

Nga ana tjetër, pas sulmit të SHBA ndaj tre bazave iraniane, Izraeli dhe Irani kanë kryer sërish sulme ndaj njëri-tjetrit. Ushtria izraelite kreu sulme gjatë natës kundër “objektivave ushtarake” iraniane, duke përfshirë vendet e lëshimit dhe magazinimit të raketave, ndërsa Irani nga ana tjetër, lëshoi raketa në disa zona të Izraelit.

IDF shënjestroi gjithashtu edhe 6 aeroporte të Iranit, ku u goditën pistat e fluturimit dhe avionë F-14, F-5 dhe AH-1. Në mëngjes, Forcat Ajrore bombarduan objekte ushtarake në Kermanshah.

Nga sulmet iraniane në Izrael, u raportua për disa të plagosur. Shpërthime të forta u dëgjuan edhe në Tel Aviv, ndërsa sirena u lëshuan edhe në zona të tjera si Haifa dhe Jerusalem. Më vonë,  nga sulmet izraelite u godit baza Sarallah të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC – pasdaranët) në Teheran, ku sipas IDF, shumë anëtarë u vranë. Po ashtu, një universitet si dhe burgu Evin në Teheran u goditën. Në burgun Evin, janë vendosur të gjithë kundërshtarët e regjimit si të burgosur politikë. Mediat raportojnë për viktima nga këro sulme. Në shënjestër u vu edhe transmetuesi shtetëror iranian “Islamic Republic of Iran Broadcasting” (IRIB), ku u ndërprenë transmetimet. Ky është sulmi i dytë ndaj televizionit, pasi javën e kaluar u vranë disa punonjës.

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, pa adresuar sulmin e SHBA, paralajmëroi se do të hakmerret rëndë ndaj Izraelit, duke thënë se ka bërë një “gabim të rëndë” dhe një “krim të madh”. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin u takua me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, duke premtuar se do të përpiqen të ndihmojnë popullin iranian. SHBA-të presin një hakmarrje iraniane kundër disa prej objektivave të tyre në përgjigje të sulmit ndaj objekteve bërthamore mbrëmë, brenda dy ditësh. 

 
Sulmi mbi burgun Evin

 

Ora 22:36
Sulmet ndaj bazave amerikane, Udhëheqësi Suprem i Iranit: Nuk do të nënshtrohemi

1750711051_httpcom.ft.imagepublish.uppprod1.jpg

«Ne nuk i kemi bërë keq askujt. Dhe nuk do të pranojmë asnjë ngacmim nga askush, në asnjë rrethanë. Dhe nuk do të nënshtrohemi ndaj ngacmimeve të askujt. Kjo është logjika e kombit iranian».

Kështu shkruan Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, pas sulmit me raketa ndaj bazës amerikane në Katar.

Postimi i liderit të Republikës Islamike shoqërohet me një imazh të krijuar artificialisht, ku shihet një flamur amerikan në flakë dhe, në sfond, një bazë ushtarake e reduktuar në rrënoja nën një “shi zjarri”.

Ora 21:57
Reagon Trump: Kundërpërgjigje shumë e dobët nga Irani! 14 raketa ndaj bazave tona, 13 u rëzuan! Asnjë amerikan i lënduar

1750172625_trump.JPG

Presidenti amerikan ka reaguar në lidhje me kundërpërgjigjen e Iranit, e cila sulmoi bazat amerikane në Lindjen e Mesme, duke thënë se reagimi i Teheranit ishte shumë i dobët dhe se dëmet ishin të papërfillshme.

"Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet. Janë lëshuar 14 raketa — 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim.

Jam i kënaqur të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme. Më e rëndësishmja, ata duket se e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen.

Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

DONALD J. TRUMP,
PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS",- shkruan Trump. 

Ora 21:35
Media iraniane: Gjashtë raketa goditën bazën amerikane në Katar

1750707506_GettyImages1996180645.jpg

Irani ka deklaruar se gjashtë raketa iraniane kanë goditur bazën ushtarake amerikane në Katar, si hakmarrje ndaj sulmeve të një dite më parë të Shteteve të Bashkuara kundër impianteve bërthamore iraniane.

«Gjashtë raketa kanë goditur bazën amerikane Al-Udeid në Katar», ka bërë të ditur agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke cituar një komunikatë të Gardës Revolucionare, ushtrisë ideologjike të Republikës Islamike të Iranit.

Pak më herët, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Iranit kishte konfirmuar përmes një komunikate se kishte “goditur” bazën amerikane, por pa specifikuar nëse operacioni ishte i suksesshëm.

Numri i raketave të përdorura «ishte i njëjtë me numrin e bombave që Shtetet e Bashkuara kishin përdorur për të sulmuar impiantet bërthamore iraniane», thuhet në deklaratën e Këshillit të Sigurisë.

Më herët, Katari kishte deklaruar se kishte penguar me sukses sulmin iranian. «Mbrojtja ajrore e Katarit ka kapur me sukses një sulm me raketa ndaj bazës ajrore Al-Udeid», ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Katarit, duke shtuar se «incidenti nuk ka shkaktuar as të vdekur dhe as të plagosur».

Ora 20:50
Irani: Raketat kundër SHBA-së, jo kundër Katarit, vend mik e vëlla

1750704709_Irandrapeauteheran760.jpg

Këshilli i Sigurisë së Iranit deklaroi sot se “forcat e armatosura iraniane kanë ndërmarrë sulme ndaj bazës amerikane në Katar, si hakmarrje për sulmin agresiv dhe të pafytyrë të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve tona bërthamore”.

“Baza amerikane ndodhet larg zonave urbane dhe banimit në Katar,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se “ky veprim nuk ka rrezikuar vendin mik dhe vëllazëror të Katarit dhe popullin e tij fisnik, dhe se Irani mbetet i angazhuar për të ruajtur dhe forcuar lidhjet e ngrohta e historike me Katarin”.

Ora 20:21
Sulmi ndaj bazave amerikane, Irani: Një mesazh i qartë për SHBA, asnjë sulm nuk do të mbetet pa përgjigje

1750702972_71078d7a4bbe4277b92212fa38f2.jpg

Me sulmin ndaj bazës amerikane në Katar, “mesazhi i forcave të armatosura iraniane për Shtëpinë e Bardhë dhe aleatët e saj është i qartë: Irani nuk do të lejojë që asnjë agresion ndaj sovranitetit të tij, integritetit territorial dhe sigurisë kombëtare të mbetet pa përgjigje”.

Kështu deklaron Garda Revolucionare e Iranit në një komunikatë zyrtare.

“Paralajmërojmë se koha e goditjeve të befasishme e pa pasoja ka marrë fund dhe se përsëritja e çdo veprimi armiqësor do të çojë në shembjen e shtyllave ushtarake të SHBA-së në rajon, në tërheqjen e saj poshtëruese nga Azia Perëndimore dhe në realizimin e kauzës së kombeve islame, që po fshin nga faqja e dheut tumorin kanceroz të sionizmit”, thuhet në deklaratë.

Ora 20:13
Trump: Shkatërruam plotësisht objektivat që goditëm në Iran, vetëm 'lajmet e rreme' thonë ndryshe

1750276399_PresidentDonaldTrumpspeaksas.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar këtë të hënë se sulmet ndaj impianteve bërthamore në Iran ishin të suksesshme, duke arritur qëllimin, për shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit.

"Vendndodhjet që goditëm në Iran u shkatërruan plotësisht dhe të gjithë e dinë këtë. Vetëm “Lajmet e Rreme” do të thoshin ndryshe, për të tentuar të përçmojnë sa më shumë të jetë e mundur — dhe edhe ata vetë thonë se ishin “goxha të shkatërruara”!

Duke u përpjekur veçanërisht shumë për ta shtrembëruar këtë të vërtetë janë Allison Cooper nga CNN e Lajmeve të Rreme, Brian L. Roberts i quajtur “budalla”, kryetar i “Con”cast, Jonny Karl nga ABC Fake Neës, dhe si gjithmonë, humbësit e NBC Fake Neës, që gjithashtu është pjesë e “Concast”.

Kjo kurrë nuk mbaron me këta njerëz të pandershëm në media, dhe kjo është arsyeja pse shikueshmëria e tyre është në NIVELIN MË TË ULËT NË HISTORI — BESUESHMËRIA ZERO",- shkruan Trump në Truth Social.

Ora 19:50
Media: Administrata Trump ishte paralajmëruar për sulmet ndaj bazave

1750701251_ebf7d5ffde517b40ebaa98bd0ac9de83.jpg

Administrata amerikane ishte paralajmëruar paraprakisht për sulmin e afërt të Iranit ndaj bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik. Lajmi raportohet nga Axios.

Ora 19:46
Iran: Alarm për sulm ajror në Bahrein pas sulmeve të Teheranit ndaj bazave amerikane në Katar

1750700877_960pxManamaBahrainDecembre2.jpg

Bahrein

Në Bahrein është dhënë alarm për sulm ajror pasi Irani kreu sulme ndaj bazave amerikane të vendosura në Katar.

Ora 19:41
Sulmi në bazën amerikane, NYT: Irani e informoi Katarin më parë

1750700570_20241005FBP501.jpg

Irani thuhet se ka koordinuar sulmet ndaj bazave amerikane me Katarin, me qëllim që të minimizohen viktimat. Lajmi raportohet nga New York Times, duke cituar tre zyrtarë iranianë.

Sipas këtyre burimeve, Irani kishte nevojë të kryente një kundërsulm simbolik ndaj Shteteve të Bashkuara, por pa shkaktuar përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Bëhet fjalë për një strategji të ngjashme me atë të vitit 2020, kur Irani njoftoi paraprakisht Irakun përpara se të lëshonte raketa balistike ndaj një baze amerikane në territorin irakian, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani.

Ora 19:32
Irani sulmon bazën amerikane në Katar/ Doha: Nuk ka viktima apo të plagosur! Rezervojmë të drejtën për t’u përgjigjur

1750700054_360F213777143okFGnbSE7y1W8F6P.jpg

"Sulmi iranian është shkelje flagrante – na rezervojmë të drejtën për përgjigje”

Katar ka reaguar ashpër ndaj sulmit iranian ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid, duke e cilësuar atë si “një shkelje flagrante të sovranitetit të vendit dhe të hapësirës së tij ajrore, si dhe një shkelje të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Në një deklaratë të publikuar në platformën X, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, theksoi se “Shteti i Katarit i rezervon vetes të drejtën për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt në mënyrë proporcionale me natyrën dhe përmasat e kësaj agresioni të hapur, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Ndërkohë, autoritetet e Katarit konfirmuan se sulmi iranian është kapur me sukses nga mbrojtja ajrore dhe nuk ka asnjë viktimë apo të plagosur. Lajmi është konfirmuar edhe nga rrjeti televiziv CNN.

"Shteti i Katarit dënon ashpër sulmin ndaj bazës ajrore Al-Udeid nga Garda Revolucionare iraniane

Shteti i Katarit dënon me forcë sulmin që kishte në shënjestër bazën ajrore Al-Udeid, i kryer nga Garda Revolucionare Iraniane. Ne e konsiderojmë këtë si një shkelje flagrante të sovranitetit të Shtetit të Katarit, të hapësirës së tij ajrore, të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Rikonfirmojmë se Katari i rezervon vetes të drejtën për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt, në një mënyrë që i përputhet natyrës dhe përmasës së këtij agresioni të guximshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sigurojmë opinionin publik se mbrojtja ajrore e Katarit e ka penguar me sukses sulmin dhe ka kapur raketat iraniane. Një deklaratë e detajuar në lidhje me rrethanat e sulmit do të bëhet publike më vonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Theksojmë gjithashtu se vazhdimi i veprimeve të tilla ushtarake përshkallëzuese do të minojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke e futur atë në zhvillime që mund të kenë pasoja katastrofike për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha veprimeve ushtarake dhe për një rikthim serioz në tryezën e negociatave dhe dialogut.

Gjithashtu, Shteti i Katarit ka qenë një nga vendet e para që ka paralajmëruar për rreziqet e përshkallëzimit izraelit në rajon. Ne kemi bërë vazhdimisht thirrje për prioritizimin e zgjidhjeve diplomatike dhe kemi theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe shmangies së përshkallëzimeve.

Ripohojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të kapërcyer krizat aktuale dhe për të garantuar sigurinë e rajonit dhe paqen për popujt e tij.

Baza ishte evakuuar më parë, në përputhje me masat e vendosura të sigurisë dhe kujdesit, për shkak të tensioneve në rajon. Janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e personelit të vendosur në bazë, përfshirë anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit, forcat aleate dhe të tjerët. Konfirmojmë se nuk ka pasur të lënduar apo viktima nga ky sulm",- thuhet në deklaratë.

Ora 19:26
Teherani sulmon bazat amerikane: Hodhëm po aq raketa sa bomba hodhën SHBA-të

1750699662_1536x864cmsv2cb729e9b374b59f.jpg

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit deklaroi se ka lëshuar një numër raketash të barabartë me atë të bombave të përdorura nga Shtetet e Bashkuara gjatë sulmit. Lajmi është bërë i ditur nga Osint613 në platformën X.

Ora 19:19
Teherani sulmon bazat amerikane, Katari: Janë kapur me sukses raketat iraniane

1750699285_1.jpg

«Mbrojtja ajrore e Katarit ka penguar sulmin dhe ka kapur me sukses raketat iraniane». Kështu deklaroi në platformën X zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, duke shtuar gjithashtu «dënimin e fortë të Shtetit të Katarit për sulmin ndaj bazës ajrore Al-Udeid nga ana e Gardës Revolucionare Iraniane».

Zëdhënësi shtoi se «baza ishte evakuuar më parë në përputhje me masat e sigurisë dhe të kujdesit të miratuara»

Ora 19:15
Irani sulmon bazat amerikane në Lindjen e Mesme, Trump ndjek situatën nga 'Situation Room'

1750618271_doënload.jpg

Donald Trump në 'Situation Room'

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndodhet aktualisht në dhomën e situatave të jashtëzakonshme (“Situation Room”), së bashku me sekretarin e Mbrojtjes dhe shefat e shtabeve të bashkuara të ushtrisë, sipas asaj që raporton televizioni CNBC, duke cituar një zyrtar të administratës amerikane.

Ora 19:11
Televizioni shtetëror iranian: I dhamë një përgjigje të fuqishme agresionit amerikan

1750698806_8be2cfbeaa1811eebf4400163e02.jpg

Forcat e armatosura iraniane dhe Trupat e Gardës Revolucionare (Pasdaran), në një operacion të përbashkët, i kanë dhënë një përgjigje “të fuqishme” “agresionit” amerikan. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror i Teheranit, pas raportimeve për sulme nga Republika Islamike kundër bazave amerikane në Katar dhe Irak.

Ora 19:08
Televizioni shtetëror iranian: Nis operacioni 'Shpallja e fitores' kundër bazës amerikane në Katar

1750698606_SBO25MQYB5MYFLYIMWT5JFPIJY.jpg

Televizioni shtetëror iranian ka njoftuar fillimin e operacionit të quajtur “Shpallja e fitores” kundër forcave amerikane të vendosura në bazën ajrore Al-Udeid, në Katar.

Ora 19:04
Sulmet iraniane, media: Është aktivizuar sistemi i mbrojtjes ajrore në bazën amerikane në Irak

1750698369_FOBREDHORSE070503F0578M220.jpg

Sistemi i mbrojtjes ajrore është vënë në funksion në bazën ushtarake amerikane Ain al-Asad, në Irak. Lajmi raportohet nga agjencia Reuters, duke cituar burime ushtarake.

Ora 19:00
Irani nis hakmarrjen, Shtëpia e Bardhë: Po monitorojmë kërcënimet ndaj bazës në Katar

1748770311_shtepiaebardhe.jpg

Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se monitoron me kujdes sulmet iraniane ndaj bazave të saj në Lindjen e Mesme, konkretisht në Katar dhe Irak.

Ora 18:57
Media: Një raketë lëshohet nga Irani drejt bazës amerikane në Irak

1750697944_aa.JPG

Irani ka lëshuar një raketë drejt një baze amerikane në Irak, sipas Osint613.

Ora 18:46
Irani kundër përgjigjet, sulmon me 6 raketa një bazë amerikane në Katar (VIDEO)

 

Irani ka sulmuar bazat amerikane në Katar, ndërsa shpërthime janë ndjerë në Doha. Irani ka sulmuar me gjashtë raketa një bazë amerikane në Katar

Më herët Katari mbylli hapësirën ajrore, ndërsa DASH u bëri thirrje qytetarëve që mund të ishin në rajon të gjenin strehim të sigurtë.

 

Ora 18:14
Lufta/ 950 të vdekur në Iran, 24 civilë në Izrael! Mbi 3 mijë të plagosur

1750531307_iran.JPG

Numri i të vdekurve nga sulmet e kryera në Iran nga Izraeli nga 14 qershori deri më sot është rritur në 950 vdekje (pothuajse dyfishi i shifrave zyrtare) dhe 3450 të plagosur, sipas vlerësimeve të përditësuara nga Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (Hrana), një organizatë joqeveritare iraniane e pavarur që merret me të drejtat e njeriut. 

OJQ-ja vlerëson se shumica janë civilë. I njëjti burim raporton gjithashtu një numër prej 640 arrestimesh në frontin e brendshëm në këto 10 ditë, në sfondin e shtypjes nga autoritetet e Teheranit kundër protestave dhe dyshimeve për spiunazh dhe kolaboracionizëm. Ndërsa zyrtarisht "Rreth 500" persona kanë vdekur që nga fillimi i sulmit izraelit më 13 qershor në Iran. Kjo u raportua nga televizioni shtetëror iranian, i cituar nga BBC, duke cituar një raport nga Ministria e Shëndetësisë e vendit dhe duke shtuar se mbi 3,000 persona janë plagosur.

Ndërkohë, Irani ka lëshuar mbi 500 raketa dhe më shumë se 1,000 dronë kundër objektivave civile në Izrael, duke shkaktuar evakuimin e mbi 15,000 personave nga shtëpitë e tyre. Kjo u raportua nga IDF, e cila përditësoi raportin e Operacionit Rising Lion. Deri më tani, 24 civilë janë vrarë dhe 1,361 janë plagosur, 14 në gjendje të rëndë, 55 në gjendje të moderuar dhe 1,292 me lëndime të lehta. 

Ora 18:02
Evin, burgu simbol i represionit në Iran

1750694618_EvinHouseofDetentioncropped.jpg.webp

Mbi 15 të burgosur, mes tyre disidentë, intelektualë dhe madje edhe të huaj që Teherani i akuzon rëndom për spiunazh

Burgu Evin, i vendosur në veri të Teheranit, është një nga simbolet më të njohura të represionit politik në Iran. I ndërtuar në vitin 1972 gjatë regjimit të Shah Mohammad Reza Pahlavi, fillimisht u konceptua si një strukturë për ndalimin e të burgosurve politikë. Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, Evin u bë qendra kryesore e burgosjes për disidentët, gazetarët, aktivistët dhe anëtarët e pakicave etnike dhe fetare. 

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, burgu, i cili vlerësohet se strehon rreth 15,000 të burgosur, karakterizohet nga mbipopullimi, higjiena e mangët dhe kanalizimet e dobëta. Shumë OJQ, përfshirë Amnesty International, kanë denoncuar përdorimin sistematik të torturës, ekzekutimet e shpejta dhe mungesën e aksesit në kujdesin mjekësor për të burgosurit. Dëshmitë flasin për qeli të mbipopulluara, zona izolimi dhe kontroll të rreptë nga autoritetet. 

Evin ka fituar gjithashtu famë ndërkombëtare për ndalimin e personave me shtetësi të dyfishtë, të cilët shpesh akuzohen për spiunazh, si dhe për trajtimin që i rezervohet figurave të shquara si avokatë, aktivistë për të drejtat e grave dhe intelektualë. Objekti është quajtur "Universiteti Evin" për numrin e lartë të studentëve dhe akademikëve të burgosur. 


Ndër ngjarjet më tragjike të lidhura me Evin është masakra e vitit 1988, kur mijëra të burgosur politikë u ekzekutuan menjëherë. Në vitin 2022, një zjarr brenda burgut që shpërtheu gjatë protestave antiqeveritare shkaktoi disa viktima (të paktën 8, por numri mbetet i pasigurt) dhe dhjetëra të plagosur.

Ora 16:37
SHBA presin një sulm nga Irani në 48 orët e ardhshme

SHBA-të presin një hakmarrje iraniane kundër disa prej objektivave të tyre në përgjigje të sulmit ndaj objekteve bërthamore mbrëmë, brenda dy ditësh. Kjo u raportua nga dy zyrtarë të lartë të Uashingtonit, të cituar në mënyrë anonime nga Reuters. Ne presim që kjo të ndodhë "brenda një ose dy ditësh", thotë në veçanti një nga burimet e intervistuara

Ora 16:33
Rutte: Sulmi amerikan në Iran nuk shkel të drejtën ndërkombëtare

Nuk pajtohem me ata që e konsiderojnë sulmin amerikan në Iran si në konflikt me të drejtën ndërkombëtare”. Kjo u deklarua nga Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte në prag të samitit të NATO-s në Hagë. “Frika ime kryesore, shtoi ai , është se Teherani mund të ketë bombën atomike, kjo do të ishte një kërcënim për Izraelin dhe të gjithë rajonin. Një pretendim të tillë deri më tani e ka patur vetë Irani dhe Kina. 

Ora 16:30
Izraeli mesazh Iranit: Ne duam t'i japim fund luftës

Sipas televizionit publik izraelit Kan, Izraeli i ka dërguar një mesazh Iranit se "ka ndërmend t'i japë fund luftës". Teherani është përgjigjur sipas të njëjtit burim se nuk është momenti i duhur.

Ora 15:11
Shtëpia e Bardhë: Jemi duke monitoruar situatën në ngushticën e Hormuzit

1750684386_fawfafafa.JPG

Administrata Trump po monitoron ngushticën e Hormuzit: çdo vendim për ta mbyllur atë do të ishte i pamatur. Këtë e deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një intervistë për Fox.

Nga na tjetër ajo ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump “është ende i interesuar” për një zgjidhje diplomatike me Iranin. Këtë e ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.

Ora 14:06
IDF: Janë bombarduar të gjitha rrugët hyrëse për në impiantin bërthamor Fordow

1750680761_fordow.JPG

Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë sulmuar edhe rrugët hyrëse drejt impiantit bërthamor të Fordow.

Përveç sulmit ndaj vetë objektit bërthamor të Fordow, ushtria izraelite gjatë sulmeve të mëngjesit bombardoi edhe rrugët që çojnë drejt këtij impianti.

Ora 14:06
Teheran, rrëzohet një avion luftarak F-35 izraelit pranë qytetit të Tabrizit, kapet piloti

1750681217_dwafafaggsgs.JPG

Forcat e armatosura iraniane dyshohet se kanë rrëzuar një avion luftarak F-35 izraelit në afërsi të qytetit Tabriz, në pjesën veriperëndimore të vendit, dhe kanë kapur pilotin.

Lajmin e raporton agjencia Tasnim duke cituar departamentin e marrëdhënieve publike të Gardës Revolucionare.

Ora 14:00
Putin pret ministrin e Jashtëm iranian në Kremlin: Mbështesim popullin e Iranit, ky agresion nuk ka justifikim

1750680320_ëaëafagegg.JPG

Presidenti rus Vladimir Putin priti sot në Kremlin ministrin iranian të Jashtëm, Abbas Araghchi. Gjatë takimit, Putin i kërkoi Araghchit që t’i përcillte “urimet më të mira” si presidentit iranian, ashtu edhe udhëheqësit suprem fetar, Ali Khamenei.

Ministri Araghchi falënderoi Rusinë për dënimin e sulmeve ndaj Iranit dhe theksoi se “Rusia sot ndodhet në anën e duhur të historisë dhe së drejtës ndërkombëtare”.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se SHBA nuk i kanë informuar Rusinë me detaje rreth planeve të tyre për sulme ndaj Iranit.

Dmitry Peskov foli edhe për furnizimin me armë të Serbisë në Ukrainë dhe tha se shpreson që Beogradi do ta ndalë këtë praktikë që e quajti aksidentale.

"Kjo temë u ngrit në kontaktet me miqtë tanë serbë dhe u dhanë garancitë e duhura. Shpresojmë që nëse një praktikë e tillë ka ndodhur aksidentalisht, do të merren masa për ta parandaluar atë në të ardhmen. Kjo temë kërkon vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e saj për ne dhe për Serbinë”, tha Peskov.

Putin u shpreh se “agresioni i paprovokuar kundër Iranit nuk ka asnjë justifikim” dhe siguroi se Rusia po bën përpjekje për të mbështetur popullin iranian në këto momente të vështira.

Ora 13:58
Sulme izraelite në Gaza, 21 civilë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën 21 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie sulmesh ajrore dhe të shtënash nga ushtria izraelite (IDF) në Rripin e Gazës. Lajmi raportohet nga agjencia palestineze e lajmeve WAFA, e cila bën me dije se sulmet kanë goditur disa zona në të gjithë territorin, përfshirë edhe vende ku qytetarët ishin në pritje të ndihmave humanitare.

Katër civilë humbën jetën dhe të tjerë u plagosën kur avionët izraelitë goditën një banesë në Jabalia al-Balad, në veri të Gazës. Ndërsa në afërsi të një qendre shpërndarjeje ndihmash në veriperëndim të Rafahut, 10 palestinezë u vranë nga forcat izraelite.

Gjithashtu, tre vëllezër u vranë gjatë një sulmi ajror teksa përpiqeshin të inspektonin shtëpinë e tyre të shkatërruar në lagjen al-Salatin të Beit Lahia-s, në veri. Spitali Al-Awda në Nuseirat raportoi dy viktima të tjera dhe të paktën 35 të plagosur, pas sulmeve ndaj qytetarëve që po prisnin ndihma përgjatë rrugës Salah al-Din, në qendër të Gazës. Nga të plagosurit, 16 janë në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, spitali Nasser në Khan Younis ka raportuar të paktën një të vrarë dhe disa të plagosur pranë një pike ndihmash në jug të Gazës. Artileria izraelite ka bombarduar gjithashtu lagjen Shuja'iyya në lindje të qytetit të Gazës dhe zonën al-Satar al-Gharbi në veri të Khan Younis-it.

Që nga aktivizimi i pikave të shpërndarjes humanitare në fund të muajit të kaluar, numri i palestinezëve të vrarë teksa prisnin ndihma ka arritur në të paktën 450, ndërsa mbi 3.466 të tjerë janë plagosur.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, ofensiva ushtarake izraelite në Gaza ka shkaktuar vdekjen e 55.959 palestinezëve dhe plagosjen e 131.242 të tjerëve.

Ora 13:56
Izraeli sulmon sërish televizionin shtetëror të Teheranit

Televizioni shtetëror iranian “Islamic Republic of Iran Broadcasting” (IRIB) është goditur gjatë një tjetër sulmi izraelit në Teheran. Sipas mediave iraniane, sulmi ka shkaktuar ndërprerjen e transmetimeve. Ky është sulmi i dytë ndaj televizionit shtetëror. Javën e kaluar, disa punonjës të IRIB humbën jetën si pasojë e një tjetër goditjeje të ushtrisë izraelite.

Ora 13:55
Sulm në burgun e Evin në Teheran, ku mbahen të burgosurit politikë, mediat: Tentativë arratisjeje pas bombardimeve! Forcat speciale rrethojnë zonën

1750679856_awfawgagaggag.JPG

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se Forcat e Mbrojtjes Izraelite po sulmojnë burgun e Evinit dhe selinë e Gardës Revolucionare në zemër të Teheranit. Ai tha se goditjet janë pa precedent dhe synojnë objektiva kyç të regjimit, përfshirë bazën e Basijëve, burgun ku mbahen të burgosurit politikë

Autoritetet iraniane pranojnë se disa predha kanë dëmtuar pjesë të burgut të Evinit, por sigurojnë se situata mbetet nën kontroll dhe po menaxhohet me të gjitha burimet e nevojshme.

Mediat raportojnë se bombardimet shkaktuan një tentativë arratisjeje nga dy sektorë të burgut. Sipas familjarëve të të burgosurve, shpërthimet ishin aq të fuqishme sa tronditën muret dhe dëmtuan çatinë e palestrës së burgut. Dëmtime pati edhe në hyrjet e sektorëve 7 dhe 8. Pas fikjes së zjarreve, disa të burgosur tentuan të largohen, por zona u rrethua shpejt nga forcat speciale iraniane. Ende dëgjohen zhurmat e avionëve izraelitë dhe nuk përjashtohen sulme të reja. Familjarët përpiqen të afrohen pranë burgut, por nuk ka raportime për të plagosur.

Ora 13:53
Universiteti i Teheranit goditet nga sulmet ajrore izraelite

Një universitet në Teheran është goditur sot gjatë valës më të fundit të sulmeve ajrore izraelite mbi Iranin. Lajmi bëhet me dije nga mediat lokale, ndërsa studentë dhe kërkues shkencorë kanë raportuar në rrjetet sociale se godina ka pësuar dëme. Ende nuk është e qartë nëse ka viktima.

Bëhet fjalë për Universitetin “Shahid Beheshti”, që ndodhet në pjesën veriore të kryeqytetit iranian, i cili sot ka qenë në qendër të bombardimeve, duke përfshirë edhe infrastrukturën energjetike dhe duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në disa zona. Nuk është hera e parë që një universitet bëhet objektiv i sulmeve izraelite që nga nisja e operacioneve.

Ora 13:44
Sulmi shkatërrues në Teheran, IDF godet Gardën Revolucionare! Hedh mbi 100 bomba në kryeqytetin iranian

1750679142_awfawffagaggg.JPG

Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë kryer një sulm të gjerë në Teheran, duke goditur objektiva kyç, përfshirë edhe bazën kryesore të Gardës Revolucionare Iraniane. Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se në këtë operacion janë vrarë dhjetëra, madje qindra anëtarë të Gardës, ndërsa qëllimi i sulmit ishte jo vetëm të shkaktohen dëme maksimale, por edhe të dërgohet një mesazh i qartë se nëse lufta nuk zhvillohet deri në fund, çmimi që do paguhet në Iran do të jetë shumë më i lartë.

Përveç sulmit ndaj qendrës bërthamore në Fordow, ushtria izraelite ka bombarduar edhe rrugët hyrëse drejt këtij impianti, duke penguar kështu çdo lëvizje të mundshme në zonë. Sipas raportimeve, në sulmet ndaj selisë së Gardës Revolucionare në Teheran janë vrarë shumë prej pasdaranëve, siç njofton edhe Times of Israel.

Një tjetër objektiv simbolik që u godit nga IDF është “Ora e Shkatërrimit të Izraelit” në Sheshin Palestina të Teheranit, një instalacion provokues i vendosur nga autoritetet iraniane në vitin 2017. Ora tregon kohën në drejtim të shkatërrimit të Izraelit sipas parashikimit të Udhëheqësit Suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, që synon që Izraeli të mos ekzistojë më deri në vitin 2040. Raportohet se ora u dëmtua rëndë nga bombardimet izraelite.

Gjithashtu, forcat ajrore izraelite kanë kryer sulmin më të madh deri më tani mbi kryeqytetin iranian gjatë ditës, duke hedhur mbi 100 bomba brenda vetëm dy orëve. Si pasojë, qyteti është mbuluar nga tym i dendur, gjë që shihet edhe në pamjet dhe videot e publikuara nga mediat izraelite.

Ora 11:22
OKB bën thirrje për armëpushim: Të inspektohen centralet bërthamore iraniane

1750670589_67ee49fb78354dd08d173fd1bafda53f.jpg.webp

Kreu i agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, ka bërë thirrje për një armëpushim në Iran, në mënyrë që të lejojë inspektimet e IAEA-s në centralet bërthamore të Iranit.

Në një deklaratë drejtuar bordit të guvernatorëve të IAEA-s në Vjenë, ai tha:

"Vërtetimi i fakteve në terren është një parakusht për çdo marrëveshje dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes inspektimeve të IAEA-s. Duhet të ketë një ndërprerje të armiqësive që të mbizotërojnë kushtet e nevojshme të sigurisë dhe mbrojtjes, në mënyrë që Irani të lejojë ekipet e IAEA-s të hyjnë në vendet për të vlerësuar situatën."

Ora 10:33
‘Evropa duhet të tregojë guxim’, ministri i Jashtëm spanjoll: Të pezullohet marrëveshja e bashkëpunimit me Izraelin, të vendoset embargo armësh

1750667668_ap25174210370808.jpg

Ministri i Jashtëm i Spanjës tha të hënën se do t'i kërkonte Bashkimit Evropian të pezullonte marrëveshjen e bashkëpunimit me Izraelin dhe të vendoste një embargo armësh ndaj vendit, duke thënë se Evropa "duhet të tregojë guxim".

“Koha e fjalëve dhe deklaratave ka mbaruar. Kishim kohë të mjaftueshme”, u tha José Manuel Albares gazetarëve, duke folur në Bruksel.

“Ajo që do të kërkoj është veprim konkret nga Bashkimi Evropian… për të siguruar që diplomacia, jo lufta, të jetë përparësia. Ose për të siguruar që gjithçka që lidhet me portofolin bërthamor iranian të trajtohet përmes negociatave dhe veprimeve në rastin e Izraelit për të ndaluar këtë luftë. Gjithçka është e lidhur. Gaza, Bregu Perëndimor, Libani, Siria, Irani - gjithçka në Lindjen e Mesme është e lidhur”, tha Albares.

Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael, të cilën Albares tha se do të kërkonte ta pezullonte menjëherë, mbulon forma të ndryshme të bashkëpunimit midis dy palëve, duke përfshirë dialogun politik, lëvizjen e lirë të mallrave dhe bashkëpunimin shkencor.

Në maj, nën presionin e vendeve anëtare, BE-ja tha se do të rishikonte marrëveshjen e saj të asociimit me Izraelin për shkak të bllokadës së ndihmës humanitare në Gaza. Shumica e anëtarëve të BE-së votuan për të rishikuar Nenin Dy të dokumentit në veçanti, i cili përcakton se "marrëdhëniet midis palëve... do të bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike".

Ora 09:56
Irani nis sulme masive, ushtria e Izraelit: Sirenat po bien në të gjithë vendin

Mëngjesin e kësaj të Hëne, Irani ka nisur valën e dytë të sulmeve ndaj Izraelit. Ushtria izraelie njoftoi si fillim dhënien e alarmit për strehim në veri të vendit ku janë drejtuar dhe raketat iraniane, por më pas në një njoftim të dy shkruan se në të gjithë vendin është ndezur alarmi që sinjalizon udhëzimin që qytetarët të futen në bunkerë. Sipas IDF, raketat e lëshuara nga Irani, mund të godasin edhe veriun edhe jugun e vendit. 

 

Ora 09:51
Avionët amerikanë B2 që bombarduan Iranin u kthyen në 'shtëpi' (VIDEO)
Kthimin e pilotëve në drejtimin e avionëve amerikanë B2 e njoftoi Presidenti i SHBA Donald Trump. Ai shkroi në rrjetin e tij social për kthimin në bazën ushtarake në Missouri të pilotëve të cilat pas përfundimit janë "shëndoshë e mirë". Presidenti amerikan shpërndau edhe pamjet e uljes së tyre në pistën e bazës. 

 

 

 

Ora 09:50
Irani paralajmëroi Trumpin: Nëse na godisni, do të sulmojmë SHBA-në me ‘celula të fjetura’

1750666010_istockphoto1278630468640x640.jpg

Irani ka paralajmëruar Donald Trump se nëse sulmohej, do të aktivizonte sulme me qeliza të fjetura ( grup agjentësh sekretë që kanë mbetur joaktivë për një periudhë të gjatë) brenda SHBA.

Lajmi raportohet nga NBC, duke shtuar se sipas burimeve, mesazhi i shkoi presidentit amerikan nëpërmjet një ndërmjetësi gjatë samitit të G7 në Kanada javën e kaluar.

Ndërkohë, administrata amerikane ka deklaruar se është në gatishmëri të lartë për çdo hakmarrje të mundshme brenda SHBA-së.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare lëshoi ​​alarmin dje: "Konflikti me Iranin po krijon një mjedis kërcënimi të shtuar në Shtetet e Bashkuara".

Ora 09:06
Komandanti i ushtrisë iraniane: Do të ketë një ‘përgjigje të fortë’ ndaj sulmeve të SHBA-së

1750662542_20180404t084106z1792249769up1ee440o4iz5rtrmadp3russiasecurity.jpeg

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane, Amir Hatami paralajmëron se do të ketë një "përgjigje të fortë" ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

“Gjatë gjithë historisë sonë, ne jemi përballur me Amerikën shumë herë. Sa herë që ata janë përpjekur të vijnë për ne, kanë marrë një përgjigje të fortë”, tha gjeneral Major Amir Hatami.

“Ne do të luftojmë; ne do të luftojmë për lumturinë. Kemi pasur shumë martirë, por do të luftojmë me forcë dhe guxim. Duhet të jeni të sigurt për forcën tone”, tha ai.

Hatami, një nga gjeneralët më të lartë të Iranit, u emërua në këtë rol më pak se një javë më parë, ndërsa Irani riorganizoi udhëheqjen e tij ushtarake për të mbushur pozicionet e mbetura bosh pasi Izraeli vrau disa figura të larta në sulmet e tij të fundit.

Ora 08:40
Rubio: Kina duhet ta shtyjë Iranin kundër mbylljes së Ngushticës së Hormuzit

1750607438_download.jfif

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës që t'i kërkojë Iranit të mos e mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të sulmeve të Uashingtonit ndaj centraleve bërthamore të Teheranit.

"E inkurajoj qeverinë kineze t'u drejtohet atyre për këtë çështje, sepse ata janë shumë të varur nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre", tha Rubio, i cili është gjithashtu këshilltar për sigurinë kombëtare.

Kjo vjen pasi parlamenti i Iranit miratoi bllokadën strategjike të Ngushticës, e cila transporton më shumë se 20 përqind të naftës dhe gazit botëror, duke ia lënë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të marrë vendimin përfundimtar. 

Ora 08:38
Izraeli sulmon 6 aeroporte në Iran, IDF: Shkatërruam avionët që do të përdoreshin kundër operacioneve tona

1750660765_img1192416.webp

IDF goditi gjashtë aeroporte ushtarake iraniane në pjesët perëndimore, lindore dhe qendrore të Iranit.

Sulmet goditën pistat e fluturimit, strehimore nëntokësore, një aeroplan furnizimi me karburant dhe avionë F-14, F-5 dhe AH-1 që i përkisnin regjimit iranian. Sipas mediave izraelite, avionët e shkatërruar do të përdoreshin kundër Forcave Ajrore Izraelite për të prishur operacionet e tyre brenda territorit iranian.

Forcat Ajrore Izraelite ndërprenë aftësinë për t'u ngritur nga këto fusha ajrore dhe kapacitetin operacional të forcës ajrore të Iranit nga këto vende.

Ora 07:31
Trump shtyn nisjen për në samitin e NATO-s, sot takohet me ekipin e sigurisë

1750572062_trump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë nisjen për në samitin e NATO-s në Amsterdam.

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar largimin e tij për sot, por në programin e së hënës shfaqet vetëm një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në orën 13:00 sipas orës lokale.

Duke cituar burime nga West Wing, disa media raportuan se presidenti do të niset nesër, të martën, për në samitin e Aleancës.

Ora 07:25
Khamenei asnjë fjalë për sulmin amerikan, shënjestron Izraelin: Ka kryer një krim të madh, do të ndëshkohet

1750656338_khamenei.jpg

Lideri Suprem  i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka bërë deklaratën e tij të parë që kur SHBA bombardoi tre objekte bërthamore në Iran. Në një postim në rrjete sociale, ai shkroi se Izraeli ka bërë një gabim të rëndë dhe se “ndëshkimi vazhdon” ndaj tij, duke iu referuar sulmeve të reja gjatë natës të Teheranit në territorin izraelit.

 “Armiku sionist ka bërë një gabim të rëndë, ka kryer një krim të madh; duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet; po ndëshkohet tani.”

Postimi shoqërohet me imazhin e një një kafke me Yllin e Davidit, sipër një qyteti të errësuar me raketa që bien nga qielli.

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Argita: 23/06/2025 15:18

    Eshte rezuar nje F-35 dhe kane nisur bombardime masive kundrejt shtetit sionist. Jepini drejt lajmet. Do perfundoj ne sulm nuklear

    Përgjigju
    • Or tej: 23/06/2025 19:13

      Vetem nqs e perdor Izraeli bomben atomike

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?