Kryeministri Edi Rama, në aktivitetin 'Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike në Shqipëri’, foli edhe për sulmin kibernetik iranian, teksa tha se tentoi të fshinte gjithçka, por fatmirësisht pati dëme të vogla. Kreu i qeverisë tha se gjatë vitit të kaluar, ka pasur 42 tentativa për sulme serioze, ndërsa gjatë 2023, 63 të tilla.
Rama tha mes të tjerash se po punojnë edhe për kartën elektronike evropiane.
“Përveç pasaportës evropiane që është ajo çka ne synojmë përmes anëtarësimit. Jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit që është sipas standardeve dhe parametrave të përcaktuara nga BE. Ne i kemi marrë parametrat dhe jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit evropian që do të shërbejë fillimisht si kartë elektronike këtu në Shqipëri. Të gjithë e mbajnë mend se jemi sulmuar egërsisht nga Irani në një përpjekje për të na fshirë gjithçka që kemi ndërtuar në këto 10 vjet. Kemi qenë në fije të perit. Irani nuk është një hacker i lehtë, një nga fuqitë më të mëdha të terrorit dixhital. E kemi zmbrapsur sulmin pa dëme të mëdha, dhe dua t’ju informoj se vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze.
Në 2023, kemi pasur 63 sulme serioze. Nuk dini se sulmet që zmbrapsen nuk bëjnë lajm. Këtu hyn edhe faktori i tretë që është agjencia për mbrojtjen kibernetike. Mund ta themi me plot gojën se kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Evropë, pa kostot marramendëse të disa më të pasurve. Duke përdorur inteligjencës dhe eksperiencën e njerëzve që falë shpërblimeve të tregut, i kemi mbledhur në këto kompani, dhe realisht asnjëherë mos thuaj kurrë se ndërkohë edhe forcat malinje sofistikohen. Flasim për 42 sulme të forta, jo ngacmime të përditshme. Projekti i shtrirjes së mbrojtjes në sektorin privat vazhdon dhe iu bëj thirrje që të mos e nënvlerësojnë rrezikun nga terroristët dixhitalë.”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: 49 mln shërbime nëpërmjet e-Albania që nga 2020, rregullojmë legjislacionin me AI! Gonxhja: Shqipëria, shembull në rajon për dixhitalizimin
Xh.D/I.M/ReportTv.al
