Nga aktiviteti “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri” , kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është bërë lider në rajon sa i përket dixhitalizimit të këtyre shërbimeve. Sipas kreut të qeverisë, nga viti 2020 janë dhënë 49 milionë shërbime nëpërmjet platformës e-Albania, ndërsa shtoi se vetëm shqiptarët që jetojnë jashtë, kanë kursyer 57 milionë euro me shërbimet që kanë marrë online.
Sipas kryeministrit, marrja e shërbimeve online kanë ulur ndjeshëm korrupsionin dhe radhët e gjata nëpër sportele.
"Prej vitit 2020, janë dhënë 49 mln shërbime. Parafytyroni 49 mln qëndrime në radhë, kontakte sy më sy e vesh më vesh me shtetin nëpër sportele. Ka pasur raste ku mundësia për të dalë të stresuar nga kontakti apo për të pasur ndjesinë e një dore që të futet në pantallona për lekë është mundësi reale. Të gjitha janë eliminuar bashkë me mortjen e korrupsionit endemik që ishte mortje që e persekutonte Shqipërinë në çdo sportel dhe hap. Nuk ekziston më. Ne kemi bërë audit ndërkombëtar të platformës për të kuptuar se çfarë ka prodhuar ky transformim. 620 mln euro të kursyera për qytetarët dhe bizneset vetëm nga ky transformim dhe nga asgjësimi i radhëve dhe kursimi i kohës. 1 miliardë km rrugëtim, vajtje ardhje njerëzish për të marrë dokumentet. Ose 25 mijë xhiro rreth tokës. Ata që jetojnë jashtë kanë kursyer 57 mln euro nga fakti që mund t’i marrin shërbimet nëpërmjet platformës dhe mund t’i marrin njësoj si këtu pa pasur nevojë të presin ditën kur të vijnë në Shqipëri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se Inteligjencën Artificiale do ta fusin edhe në ministrinë e Drejtësisë për të rregulluar legjislacionin shqiptar. Kjo, sipas tij, do të mundësojë që të 'pastrojë' mbivendosjet dhe pengesat që krijohen nga një ligj i caktuar apo një tjetër.
“Kemi futur AI në ministrinë e Drejtësisë si një nga ata detektorët që shikojnë nëntokën për tu futur në të gjitha shtresat e legjislacionit shqiptar dhe identifikuar mbivendosjet që në vite janë bërë duke bërë ligje të reja, dhe për të pastruar legjislacionin nga pengesat që krijohen pasi çfarë të jep një ligj nuk ta jep një tjetër.”, shtoi Rama.
Duke u ndalur te të ardhurat nga tatimet në dogana, Rama tha se po punojnë për një model dixhital që do të jetë funksional brenda këtij viti dhe do të 'kapë' lojërat që bëhen me të ardhurat që i takojnë shtetit.
"Tjetra është sektori i të ardhurave në tatime në dogana. Fiskalizimi ka qenë hap i rëndësishëm por i pamjaftueshëm për hapin që tani po hedhim me AI në analizën në kohë marramendësi për nga shpejtësai e transaksioneve dhe identifikimin e transaksioneve, që dmth një inspektoriat i taksave tërësisht i padukshëm dhe që s’të troket te dera. Brenda këtij viti, ky model do të jetë funksional. Do të kemi pamjenë kohë reale të të gjitha transaksioneve që ndodhin në Shqipëri, të kompanive me sinjale siç sinjalizojnë inspektorët realë të këtij syri inteligjent për të na thënë se ku bëhet lojë me të ardhurat që i takojnë shtetit.", shtoi Rama.
Kreu i qeverisë komentoi edhe sulmin kibernetik iranian, teksa tha se tentoi që të fshinte gjithçka, por fatmirësisht pati dëme të vogla. Sipas kryeministrit, vetëm gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri ka pasur 42 tentativa për sulme kibernetike serioze ndërsa gjatë 2023, 63 të tilla.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi se Shqipëria po merret si shembull në rajon sa i përket dixhitalizimit dhe inovacionit. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”, ai tha se fokusi është që ta kthejnë vendin në një pikë referimi teknologjie për Evropën Juglindore.
"Sot Shqipëria nuk është një vend që përpiqet të arrijë të tjerët, por shikohet si shembull në rajon dhe më gjerë si qasje ndaj digjitalizimit dhe inovacionit, që po merret tashmë edhe si model nga të tjerët. Kjo është arritur me punë dhe me besimin se teknologjia është e ardhmja, jo vetëm e administratës sonë por e gjithë zhvillimit ekonomik.
Për këtë arsye, fokusi ynë është i gjerë, edukimi digjital, sipërmarrja teknologjike, bashkëpunimi me sektorin privat, krijimi i kushteve për start up që ndërtojmë këtu dhe konkurrojnë me jashtë, krijimi i një Shqipërie që tenton të bëhet krijuese e teknologjisë. Ky është momenti për të çuar me tej gjithçka kemi ndërtuar, investuar më shumë në burime njerëzore, për të mbështetur talentet dhe për ta kthyer Shqipërinë në pikë referimi për Evropën juglindore. Transformimi i nisur është i pakthyeshëm por i vazhdueshëm", tha mes të tjerash ministri.
Kryeministri Edi Rama, në aktivitetin 'Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike në Shqipëri’, foli edhe për sulmin kibernetik iranian, teksa tha se tentoi të fshinte gjithçka, por fatmirësisht pati dëme të vogla. Kreu i qeverisë tha se gjatë vitit të kaluar, ka pasur 42 tentativa për sulme serioze, ndërsa gjatë 2023, 63 të tilla.
Rama tha mes të tjerash se po punojnë edhe për kartën elektronike evropiane.
“Përveç pasaportës evropiane që është ajo çka ne synojmë përmes anëtarësimit. Jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit që është sipas standardeve dhe parametrave të përcaktuara nga BE. Ne i kemi marrë parametrat dhe jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit evropian që do të shërbejë fillimisht si kartë elektronike këtu në Shqipëri. Të gjithë e mbajnë mend se jemi sulmuar egërsisht nga Irani në një përpjekje për të na fshirë gjithçka që kemi ndërtuar në këto 10 vjet. Kemi qenë në fije të perit. Irani nuk është një hacker i lehtë, një nga fuqitë më të mëdha të terrorit dixhital. E kemi zmbrapsur sulmin pa dëme të mëdha, dhe dua t’ju informoj se vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze.
Në 2023, kemi pasur 63 sulme serioze. Nuk dini se sulmet që zmbrapsen nuk bëjnë lajm. Këtu hyn edhe faktori i tretë që është agjencia për mbrojtjen kibernetike. Mund ta themi me plot gojën se kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Evropë, pa kostot marramendëse të disa më të pasurve. Duke përdorur inteligjencës dhe eksperiencën e njerëzve që falë shpërblimeve të tregut, i kemi mbledhur në këto kompani, dhe realisht asnjëherë mos thuaj kurrë se ndërkohë edhe forcat malinje sofistikohen. Flasim për 42 sulme të forta, jo ngacmime të përditshme. Projekti i shtrirjes së mbrojtjes në sektorin privat vazhdon dhe iu bëj thirrje që të mos e nënvlerësojnë rrezikun nga terroristët dixhitalë.”, u shpreh Rama.
Komente
