Politikë

Ironia e Spahiut: I çmenduri në Himarë që 30 herë ishte shtruar në psikiatri, ka votë të barabartë me ju! Shkodranët e kanë humbur besimin te Berisha edhe për shkak të antishqiptarizmit të tij

24 Prill, 22:18| Përditesimi: 25 Prill, 09:08

  • Share

Juristi Kreshnik Spahiu analizoi sot në mbrëmje (24 prill) sondazhin e pestë të Report Tv dhe institutit “Piepoli”, në studion e emisionit “Frontline”.

Ai ngriti disa piketa diskutimi, duke renditur faktorët që shpjegonin jo vetëm shifrat e larta të qytetarëve të Shkodrës që ishin të pakënaqur me qeverisjen apo edhe me liderin e opozitës, duke shtuar se edhe niveli qytetar në Shqipëri shpjegon edhe këtë lloj perceptimi.

“Janë 4 faktorë, ata janë të pakënaqur. Pjesa e veriut njihet për elektoratin e saj me PD-në. PS e ka të përqendruar kryesisht në jugun e Shqipërisë, edhe për historikun e saj, trashëgiminë e saj, me udhëheqësit me origjinë nga ajo zonë. Kurse PD-ja po t’i shohësh drejtuesit, ish-ministrat e etj, janë kryesisht janë veriorë. Ndaj edhe kanë atë lokalitet mbështetjeje të djathtë. E katërta është pakënaqësia me qeverinë, ku investimet kanë ecur ngadalë në Shkodër, sikurse u bë me rilindjen urbane në vend. Ka pakënaqësi në Shkodër për gjendjen e qeverisjes. E majta në Shkodër fitoi për shkak të përçarjes së PD, ndarjes në disa fraksione, PS ishte unike, PD e ndarë, ndaj edhe socialistët fituan. Nuk është votë plebishitare, por skemë elektorale që dha atë rezultat. Por shkodranët janë të pakënaqur me qeverinë”, shpjegoi ai shifrën e 75% të të pakënaqurve me qeverinë në Shkodër.

Ndërsa për mosbesueshmërinë e shkodranëve ndaj figurës së Sali Berishës, Spahiu dha disa arsye, deri tek takimi i sotëm në Himarë si paradoks që shpjegon nivelin e një pjese të shoqërisë shqiptare, ku qytetari tregonte se si ishte shtruar 30 herë në psikiatri dhe është votues i 11 majit.

“Kur flasim për perceptimin e qytetarëve në politikë, lë shumë të padëshiruar niveli. Fjalimi i Himarës së PD sot u hap me një njeri që foli dhe tha se ishte shtruar 30 herë në psikiatri, se kishte respekt për Ramën, por më shumë kishte respekt për Berishën. Dhe ai është një ndër votuesit si ne më 11 maj, me votë të barabartë me ju. E mendoni ju, në Gjermani sipas statistikave një në tre qytetarë kanë probleme psikike, a ka një anketim të tillë në Shqipëri.

Sa i përket Shkodrës e shoh sondazhin dhe perceptimin realist. Edhe unë jam te ai 61% dhe ata kanë perceptim realist. Mjafton të shohësh takimin antishqiptar të Berishës sot në Himarë që ta kuptosh. Madje shkodranët kanë një traditë kombëtare që nuk e duan antishqiptarizmin. Berisha e ka humbur besueshmërinë në Shkodër edhe për këtë shkak, antishqiptarizmit të tij. Faktor i tretë është nakatosja që Berisha i ka bërë strukturave në Shkodër”, tha Spahiu në analizën e tij për sondazhin.

Në lidhje me partitë e reja ai shpjegoi një faktor të çuditshëm, ku partitë e vogla kanë përjashtuar veten nga qeverisja pas 11 majit, duke deklaruar mosbashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.

“Unë mendoj se liderët e partive të reja kanë përjashtuar veten nga vota masive. Ata kanë thënë se nuk do bëjnë aleanca qeverisëse me partitë e mëdha pas 11 majit por do jenë në opozitë. Por ata kanë programe për rritje rrogash e pensionesh apo investime. Kur thonë s’do jemi në qeveri, shanset e tyre më 11 maj janë zero, sepse 71 deputetë nuk i marrin dot. Pasi kur të votohet asnjë parti nuk merr dot vota për deputetë, edhe nëse marrin një deputet, nuk u shërben për asgjë ky deputet. Kur vjen puna të vota zgjedh të keqen më të vogël. Partitë e reja e kanë përjashtuar veten për të qeverisur pas 11 majit apo të jenë pjesë e saj”, shpjegoi juristi për Report Tv.

Ora 23:04
Spahiu: Nëse partitë e reja do fitojnë 4 mandate në Tiranë, PD s’merr asnjë deputet nga lista hapur

 

Partia Demokratike sipas sondazheve të deritanishme të Piepoli dhe Report Tv dhe që duken realiste sipas juristit Kreshnik Spahiu, rrezikon të mos marrë asnjë mandat në listën e hapur më 11 maj.

Ai shpjegoi se shifrat tregojnë se PS nuk lëviz nga shifra e saj e zgjedhjeve të fundit me 19 mandate, teksa mund të tentojë më tej.

Duke llogaritur mandatet sipas përqindjeve të sondazhit për partitë e vogla, llogaritet që PD në Tiranë të qëndrojë te shifra e 12 deputetëve, aq sa kanë edhe në listën e mbyllur.

“Ka besueshmëri të lartë ky sondazh se përputhet edhe me sondazhet e tjera të dhëna në mediat e tjera deri tani. Ka një karakteristik ky sondazh, se PS nuk lëviz nga shifra 19 mandate në Tiranë sikur 4 vite më parë. Ajo që lëviz është PD-ja dhe nëse ndodh kjo ky mandat i zbritur i shkon partisë së re që do e marrë. Dhe duke llogaritur këtë, i bie që PD të mos marrë nga lista e hapur deputetë. Pra i bie që partitë e reja të mos marrin mandat bashkë me Tom Doshin, që PD-ja të marri 14 mandate apo 16 mandate. Pra e thënë ndryshe, sipas sondazheve, nëse partitë e reja marrin deri në 4 mandate deputetësh në Tiranë, PD nuk merr asnjë deputet nga lista e hapur dhe mbetet vetëm me ata të listës së mbyllur”, u shpreh juristi.

Kurse në lidhje me rotacionin e mundshëm politik, Spahiu u shpreh se në këtë format është i pamundur, pasi opozita është e përçarë dhe mazhoranca e unifikuar. Ai bëri analogji me vitin 2005.

“Rotacioni ka ndodhur vetëm në 2005 kur PD u bashkua dhe PS u ça më dysh. Ajo bashkoi të gjithë liderët e rinj, me KOP-in dhe u bashkua. Më 2013 opozita kishte një koalicion të bashkuar dhe mundën Berishën. Sot partitë opozitare janë të përçara në fraksione dhe nuk ka asnjë shans të ndodhë rrotacioni”, analizoi ai.

Spahiu theksoi se në Shkodër dhe qarqe të tjera, partitë e vogla nuk i përkthejnë dot votat në mandate, për shkak se nuk janë të bashkuara.

“Përsa i përket Shkodrës mendoj se do shkojë në shtratin e vitit 2021, do të ketë atë rezultat. Kurse për partitë e reja ndaj mendimin se votat e tyre digjen në qarqet e tjera, përjashto Tiranën ku kanë më shumë shanse, për më tepër që nuk janë të bashkuara, por të përçara. Në qarqet si Shkodra votat e tyre shkojnë në favor të PS dhe PD dhe nuk kthehen në mandat fatkeqësisht”, përfundoi ai për Report Tv.

Ora 22:41
Spahiu: 90% e elektoratit s’e kuptojnë që vota për dikë në listën e hapur nuk prodhon deputetin që do! Asnjë nga dy forcat e mëdha s’e bën dot qeverinë

 

Partitë e reja po bëhen të pabesueshme me zgjedhjen e tyre për të mos qenë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe duke luftuar mes tyre, sesa për të rrëzuar qeverinë.

Madje ka dyshime se këto forca mund të jenë të lidhura në hije me një nga dy forcat e mëdha. Fakti që dy partitë PS e PD nuk i sulmojnë, ngrenë akoma më shumë dyshimet.

Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu në ‘Frontline” për shifrat e sondazhit të Report Tv dhe “Piepoli”, në lidhje me besueshmërinë te forcat e reja politike që garojnë më 11 maj dhe shansin e tyre të humbur duke deklaruar refuzimin e koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve.

Madje edhe shifrat e pakënaqësisë së fushatës elektorale tregojnë sipas tij se Berisha vijon me stilin e vjetër, si më 1992 ku i ka mbetur ora, ashtu dhe Rama me fushatën tallava.

“Pëlqyeshmëria për partitë e reja është pozitive dhe e lartë. Por me rëndësi do ishte që kjo të përkthehej edhe në votë, pra të ishte votë e lartë. Për besueshmërinë, partitë e reja nuk kanë pabesueshmëri si të reja, por tashmë ato kanë treguar se nuk kërkojnë të qeverisin duke vetpërjashtuar veten. Por më e rëndësishme është se kanë edhe antagonizëm brenda tyre, nuk bashkohen, kanë përçarje dhe kanë ndasi të thella duke shkuar edhe deri në konfrontime fizike dhe akuza. Këta sikur e kanë luftën me njëri-tjetrin”, theksoi Spahiu.

Madje sipas tij, mund të ketë edhe dyshime për lidhje të këtyre partive të reja me një nga dy forcat e mëdha, lidhje në hije, por që ai nuk e besonte.

Fakti që dy partitë e mëdha nuk po i sulmojnë forcat e reja, ngre një lloj dyshimi.

“Asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e lidhjeve të fshehta, e hijeve te partitë e reja, edhe pse unë nuk dyshoj dhe nuk besoj. Por kanë dyshime te këto parti të reja apo moskonseguencë kur nuk kanë përmendur njëherë emrin e Sali Berishës apo nuk kanë folur kur u arrestua Ilir Meta, sikurse edhe për situatën e çmimeve etj. Mbase nuk kanë dashur, mbase kanë frikë. Por makineria e baltës që kanë partitë e mëdha jep efekt, të përjashton apo të asgjëson. Nëse ato të vihen, të jesh të bindur se për një javë të baltosin dhe mbi 70% e popullit e beson se ai lider është imoral, i korruptuar etj. Dhe e besoj se nuk e kanë bërë, pasi nëse do e bënin do i kishin nxjerrë jashtë kësaj gare me kohë, duke i gjetur një histori, një dokument, një ngjarje apo implikim”, tha juristi.

Në lidhje me hapjen e fushatës dhe ecurinë e saj, Spahiu tha se nuk i ka pëlqyer aspak hapja e fushatës nga të dyja partitë e mëdha dhe liderët e tyre.

Dhe kjo pasqyrohej edhe te shifrat e sondazhit të Report Tv dhe Piepoli për Shkodrën.

“Perceptimi i shkodranëve është realist me situatën. PS me fushatë tallava, Berisha me të njëjtin stil, kolonë zanore, i ka mbetur ora në vitin 1992. Hapje fushate më të ftohta ndër 35 vite, nuk më pëlqeu”, u shpreh ai.

Në lidhje me listën e kandidatëve dhe shifrat e sondazhit, Spahiu shprehet:

“Shkodra tregon se qarqet janë të lidhura me individin, me kandidatët, sesa me partinë. Shumë nga qytetarët nuk njohin kandidatët, sepse ka një brez që nuk ndjek politikë, nuk sheh fushatë. Pra kjo është diferenca e Tiranës me qarqet. Madje shumë analistë dhe ekspertë nuk kuptojnë në bisedat që bëjmë se si del një deputet nga lista e hapur. Dhe nëse ata nuk e kuptojnë, të jeni të bindur se Rama e Berisha kanë kalkuluar mes tyre se si të keqpërdorin elektoratin shqiptar më 11 maj. 90% e elektoratit s’e kuptojnë që vota për dikë në listën e hapur, nuk prodhon deputetin që do. Sepse me llogaritë e tyre, kjo situatë zgjedhore dhe votat që shkojnë dëm, apo nuk përkthehen në mandate, çojnë ujë në mullirin e kandidatëve të listave të mbyllura”.

Për Spahiun, shifrat e sondazhit janë domethënëse, pasi tregojnë se si Rama ashtu edhe Berisha, nga veriu në jug, asnjëri prej tyre nuk merr dot 50% për të siguruar qeverinë pas 11 majit.

"Një gjë mund ta themi me bindje, nga veriu në jug, Shqipëria asnjërit nuk i jep besim mbi 50%, as Ramës dhe as Berishës dhe asnjëra nga forcat politike nuk e bën dot qeverinë pas 11 majit. Qartazi ka një konseguencë qytetare dhe ndërgjegjësim, ku në shkallë vendi nuk i jepet besueshmëria me mbi 50% e votës as Ramës dhe as Berishës dhe kjo tregon se sa shumë janë konsumuar këto figura", shpjegoi ai.

 

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?