Partitë e reja po bëhen të pabesueshme me zgjedhjen e tyre për të mos qenë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe duke luftuar mes tyre, sesa për të rrëzuar qeverinë.
Madje ka dyshime se këto forca mund të jenë të lidhura në hije me një nga dy forcat e mëdha. Fakti që dy partitë PS e PD nuk i sulmojnë, ngrenë akoma më shumë dyshimet.
Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu në ‘Frontline” për shifrat e sondazhit të Report Tv dhe “Piepoli”, në lidhje me besueshmërinë te forcat e reja politike që garojnë më 11 maj dhe shansin e tyre të humbur duke deklaruar refuzimin e koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve.
Madje edhe shifrat e pakënaqësisë së fushatës elektorale tregojnë sipas tij se Berisha vijon me stilin e vjetër, si më 1992 ku i ka mbetur ora, ashtu dhe Rama me fushatën tallava.
“Pëlqyeshmëria për partitë e reja është pozitive dhe e lartë. Por me rëndësi do ishte që kjo të përkthehej edhe në votë, pra të ishte votë e lartë. Për besueshmërinë, partitë e reja nuk kanë pabesueshmëri si të reja, por tashmë ato kanë treguar se nuk kërkojnë të qeverisin duke vetpërjashtuar veten. Por më e rëndësishme është se kanë edhe antagonizëm brenda tyre, nuk bashkohen, kanë përçarje dhe kanë ndasi të thella duke shkuar edhe deri në konfrontime fizike dhe akuza. Këta sikur e kanë luftën me njëri-tjetrin”, theksoi Spahiu.
Madje sipas tij, mund të ketë edhe dyshime për lidhje të këtyre partive të reja me një nga dy forcat e mëdha, lidhje në hije, por që ai nuk e besonte.
Fakti që dy partitë e mëdha nuk po i sulmojnë forcat e reja, ngre një lloj dyshimi.
“Asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e lidhjeve të fshehta, e hijeve te partitë e reja, edhe pse unë nuk dyshoj dhe nuk besoj. Por kanë dyshime te këto parti të reja apo moskonseguencë kur nuk kanë përmendur njëherë emrin e Sali Berishës apo nuk kanë folur kur u arrestua Ilir Meta, sikurse edhe për situatën e çmimeve etj. Mbase nuk kanë dashur, mbase kanë frikë. Por makineria e baltës që kanë partitë e mëdha jep efekt, të përjashton apo të asgjëson. Nëse ato të vihen, të jesh të bindur se për një javë të baltosin dhe mbi 70% e popullit e beson se ai lider është imoral, i korruptuar etj. Dhe e besoj se nuk e kanë bërë, pasi nëse do e bënin do i kishin nxjerrë jashtë kësaj gare me kohë, duke i gjetur një histori, një dokument, një ngjarje apo implikim”, tha juristi.
Në lidhje me hapjen e fushatës dhe ecurinë e saj, Spahiu tha se nuk i ka pëlqyer aspak hapja e fushatës nga të dyja partitë e mëdha dhe liderët e tyre.
Dhe kjo pasqyrohej edhe te shifrat e sondazhit të Report Tv dhe Piepoli për Shkodrën.
“Perceptimi i shkodranëve është realist me situatën. PS me fushatë tallava, Berisha me të njëjtin stil, kolonë zanore, i ka mbetur ora në vitin 1992. Hapje fushate më të ftohta ndër 35 vite, nuk më pëlqeu”, u shpreh ai.
Në lidhje me listën e kandidatëve dhe shifrat e sondazhit, Spahiu shprehet:
“Shkodra tregon se qarqet janë të lidhura me individin, me kandidatët, sesa me partinë. Shumë nga qytetarët nuk njohin kandidatët, sepse ka një brez që nuk ndjek politikë, nuk sheh fushatë. Pra kjo është diferenca e Tiranës me qarqet. Madje shumë analistë dhe ekspertë nuk kuptojnë në bisedat që bëjmë se si del një deputet nga lista e hapur. Dhe nëse ata nuk e kuptojnë, të jeni të bindur se Rama e Berisha kanë kalkuluar mes tyre se si të keqpërdorin elektoratin shqiptar më 11 maj. 90% e elektoratit s’e kuptojnë që vota për dikë në listën e hapur, nuk prodhon deputetin që do. Sepse me llogaritë e tyre, kjo situatë zgjedhore dhe votat që shkojnë dëm, apo nuk përkthehen në mandate, çojnë ujë në mullirin e kandidatëve të listave të mbyllura”.
Për Spahiun, shifrat e sondazhit janë domethënëse, pasi tregojnë se si Rama ashtu edhe Berisha, nga veriu në jug, asnjëri prej tyre nuk merr dot 50% për të siguruar qeverinë pas 11 majit.
"Një gjë mund ta themi me bindje, nga veriu në jug, Shqipëria asnjërit nuk i jep besim mbi 50%, as Ramës dhe as Berishës dhe asnjëra nga forcat politike nuk e bën dot qeverinë pas 11 majit. Qartazi ka një konseguencë qytetare dhe ndërgjegjësim, ku në shkallë vendi nuk i jepet besueshmëria me mbi 50% e votës as Ramës dhe as Berishës dhe kjo tregon se sa shumë janë konsumuar këto figura", shpjegoi ai.
Lajmi kryesor:
Ironia e Spahiut: I çmenduri në Himarë që 30 herë ishte shtruar në psikiatri, ka votë të barabartë me ju! Shkodranët e kanë humbur besimin te Berisha edhe për shkak të antishqiptarizmit të tij
A.Q/r.k./ReportTv.al