Thoma Gëllçi

Politikë

Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi ironizon deklaratën e Agron Shehaj: Të mbyllim dhe parlamentin, pse jo

9 Prill, 21:15| Përditesimi: 9 Prill, 21:18

  • Share

1744226246_tho.png

Pas videos së deputetit Agron Shehaj për uljen shpenzimeve në RTSH ka reaguar dhe ish-drejtori Thoma Gëllçi.

Në statusin e tij Gëllçi në mënyrë ironike replikon me Shehajn duke thënë se pas kësaj deklarate do duhet të mbyllim sipas tij dhe parlamentin.

Nga ana tjetër sipas ish-drejtorit deklarata e Shehajt është si një kërkesë për mos të pasur televizon publik.

Statusi i Thoma Gëllçi

Të mbyllim RTSH-në, thotë Agron Shehaj. Se “s’na duhet” dhe “kursen buxhetin”. Dhe Agroni nuk është i vetmi.

Por pse të ndalemi te RTSH-ja? Le të vazhdojmë në këtë rrugë progresiste të shkatërrimit racional:

Mbyllim Parlamentin! Se ç’na duhet 140 vetë që paguhen si CEO për të bërtitur si tifozë në një ndeshje “Skënderbeu–Kastrioti”? Të paktën RTSH-ja herë pas here transmeton ndonjë dokumentar mbi natyrën. Parlamenti, përkundrazi, prodhon reality shoë të nivelit “Big Brother”.

Mbyllim teatrot, bibliotekat, dhe përse jo, mbyllim edhe memorien kolektive! Se është e shtrenjtë të kujtosh kush ishim, kur mund të klikosh “skip ad” dhe të harrosh gjithçka për 15 sekonda.

Po të jemi praktikë, Agron: RTSH nuk mbulohet nga buxheti i shtetit, por nga një taksë direkte e qytetarëve – ndryshe nga 140 deputetë që mbulohen nga buxheti. Dhe rroga e një gazetari në RTSH është 500 dollarë e një deputeti 3000!!

RTSH nuk e shikon kush! E treguam Agron, nja pesë vite më parë, që RTSH bëhet! Nëse e ke harruar ti nuk e ka harruar publiku, që po ta kujton sot në rrjete sociale.

Në fund të fundit, RTSH mund të jetë në krizë, por ka më shumë shpresë për reformim sesa një parlament qe ka shikues, por nuk mund të themi se po bën punën e tij.

Pra jo, Agron, mos na e shit idenë e mbylljes si zgjidhje. Sepse në këtë vend kemi mbyllur plot gjëra që s’duhej t’i kishim mbyllur kurrë: shpresën, meritokracinë, racionalitetin, dhe me sa duket, edhe televizionin publik.

Nëse RTSH-ja “s’bëhet”, reformoje. Nëse nuk e sheh, mos e shiko. Por mos i thuaj popullit të heqë dorë nga ideja e një media publike – sepse atëherë, s’do të na duhej më as publik, as demokraci.

Faleminderit që na kujtove, Agron: jo gjithmonë është mediumi i tepërt – ndonjëherë është mesazhi që s’ka kuptim.

 


Lajmi kryesor:

Shehaj kërkon shkurtim të fondeve të RTSH-së: Duhet të kursejmë 30 milionë euro në vit! Lutfi Dervishi: Mbyllja është sport popullor, të gjithë e dinë si bëhet


H.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?