Agron Shehaj, Kryetari i Partisë Mundësia

Politikë

Shehaj kërkon shkurtim të fondeve të RTSH-së: Duhet të kursejmë 30 milionë euro në vit! Lutfi Dervishi: Mbyllja është sport popullor, të gjithë e dinë si bëhet

9 Prill, 19:19| Përditesimi: 10 Prill, 10:24

  • Share

Agron Shehaj ka kërkuar shkurtimin e RTSH-së, pasi sipas tij, paratë për financimin e televizionit publik janë para të shpenzuara kot.

Ai thotë se me uljen e të ardhurave të RTSH-së, do të kurseheshin 30 mln euro në vit.

“Një televizion publik që nuk e shikon askush, nuk e ndjek askush, dhe nuk ka asnjë ndikim real,shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat tuaja. Vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Kështu i kursej unë Shqipërisë 1 miliard euro në vit, duke ndalur abuzimin, jo shërbimin;duke larguar parazitët, jo mësuesit e mjekët”, shprehet Agron Shehaj.

Atij i është përgjigjur gazetari Lutfi Dervishi. 

“Ideja që RTSH duhet mbyllur është po aq e vjetër sa disa programe të saj. Është refreni i zakonshëm i një shoqërie që, përballë çdo problemi, mendon me gërshërë: “Preje!” Por sfida e vërtetë nuk është ta mbyllësh, por ta kthesh në jetë. Jo në një jetë zombish televizivë që lexojnë teleprompterin, por në një media publike, që i përket... publikut.

Sot më shumë se kurrë, ka nevojë për një ekran që nuk e mat suksesin me klikime, që nuk i shërben partive, por publikut, dhe që nuk e sheh shikuesin si konsumator memesh. Mbyllja është sport popullor, të gjithë e dinë si bëhet. Por ndërtimi i diçkaje që ngre nivelin kulturor e informues është një sport elitar; jo nga arroganca, por nga dëshira dhe etja për cilësi në një det meskiniteti e mediokriteti.

E keqja është gjithmonë më e shpejtë, më me zë, më me ngjyra, më virale, madje edhe më interesante po të duash. Por nuk është arsye për t’i dorëzuar flamurin. Po, banaliteti është bërë luks, shitet kudo, pihet me pije energjike dhe vishet me fjalë anglisht. Por në një vend ku finesa duket si gabim drejtshkrimi, RTSH mund dhe ka potenciale të bëhet vendstrehimi i arsyes, dinjitetit dhe inteligjencës.

Po, ka shumë pluhur mbi RTSH, por pluhuri nuk hiqet me buldozer. Duhet pastrim, vizion dhe mbi të gjitha: guxim për të mos i rënë shkurt. Sepse kur çdo gjë tjetër bërtet, si të marrët që kanë marrë kot, duhet dikush që të thotë diçka me mend. Dhe nëse kjo nuk vjen nga televizioni publik, atëherë nga kush e pret të vijë? Pra i duhet dhënë mundësi, aq më tepër në kohëra kur logjika duket se ka marrë lejen e zakonshme”, thotë Dervishi në reagimin e tij.

Ora 21:15
Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi ironizon deklaratën e Agron Shehaj: Të mbyllim dhe parlamentin, pse jo

1744226246_tho.png

Pas videos së deputetit Agron Shehaj për uljen shpenzimeve në RTSH ka reaguar dhe ish-drejtori Thoma Gëllçi.

Në statusin e tij Gëllçi në mënyrë ironike replikon me Shehajn duke thënë se pas kësaj deklarate do duhet të mbyllim sipas tij dhe parlamentin.

Nga ana tjetër sipas ish-drejtorit deklarata e Shehajt është si një kërkesë për mos të pasur televizon publik.

Statusi i Thoma Gëllçi

Të mbyllim RTSH-në, thotë Agron Shehaj. Se “s’na duhet” dhe “kursen buxhetin”. Dhe Agroni nuk është i vetmi.

Por pse të ndalemi te RTSH-ja? Le të vazhdojmë në këtë rrugë progresiste të shkatërrimit racional:

Mbyllim Parlamentin! Se ç’na duhet 140 vetë që paguhen si CEO për të bërtitur si tifozë në një ndeshje “Skënderbeu–Kastrioti”? Të paktën RTSH-ja herë pas here transmeton ndonjë dokumentar mbi natyrën. Parlamenti, përkundrazi, prodhon reality shoë të nivelit “Big Brother”.

Mbyllim teatrot, bibliotekat, dhe përse jo, mbyllim edhe memorien kolektive! Se është e shtrenjtë të kujtosh kush ishim, kur mund të klikosh “skip ad” dhe të harrosh gjithçka për 15 sekonda.

Po të jemi praktikë, Agron: RTSH nuk mbulohet nga buxheti i shtetit, por nga një taksë direkte e qytetarëve – ndryshe nga 140 deputetë që mbulohen nga buxheti. Dhe rroga e një gazetari në RTSH është 500 dollarë e një deputeti 3000!!

RTSH nuk e shikon kush! E treguam Agron, nja pesë vite më parë, që RTSH bëhet! Nëse e ke harruar ti nuk e ka harruar publiku, që po ta kujton sot në rrjete sociale.

Në fund të fundit, RTSH mund të jetë në krizë, por ka më shumë shpresë për reformim sesa një parlament qe ka shikues, por nuk mund të themi se po bën punën e tij.

Pra jo, Agron, mos na e shit idenë e mbylljes si zgjidhje. Sepse në këtë vend kemi mbyllur plot gjëra që s’duhej t’i kishim mbyllur kurrë: shpresën, meritokracinë, racionalitetin, dhe me sa duket, edhe televizionin publik.

Nëse RTSH-ja “s’bëhet”, reformoje. Nëse nuk e sheh, mos e shiko. Por mos i thuaj popullit të heqë dorë nga ideja e një media publike – sepse atëherë, s’do të na duhej më as publik, as demokraci.

Faleminderit që na kujtove, Agron: jo gjithmonë është mediumi i tepërt – ndonjëherë është mesazhi që s’ka kuptim.

 

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • tvsh: 10/04/2025 11:00

    Agron Shehaj ben mire te mbylli call centerat e vete si fillim

    Përgjigju
  • Iris: 10/04/2025 03:51

    Agron Shehajn e ka infektuar /DOGE/ amerikane.E bene ata,pse mos t'a bejme dhe ne?! RTSH vertet ka probleme,por ata qe i japin fondet,ata duhet dhe t'i rrine mbi koke e te drejtojne reformimin.E sa per shperdorim,z.Gellci i ka rene pikes me propozimin per mbylljen e Kuvendit dhe pse.

    Përgjigju
  • Lindi: 09/04/2025 20:31

    RTSH është një gërmadhë mediatike që konsumon shumë fonde. Programet e saj nuk i shikon kush. Aty vegjetojnë të paaftë me klane prej dekadash. TVSH nuk vetmodernizohet dot. nuk Po të mbyllet nuk krijon asnjë boshllëk.

    Përgjigju
  • Mara emigrante ne Itali: 09/04/2025 19:36

    Ja mercurio e gone vellait , qe pa mare frenat ne d'ore do te veproje si saliu qe e shkateroi Shqiperine ..o idiot kush te beson eshte me idiot se ty , ta ka dhene pergjigjen Lytfiu , kjo tregon pa pjekurine politike qe ke more gone .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?