Kryeministri Edi Rama gjatë një konference me gazetarët ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i BB-së në Tiranë Emanuel Salians, tha se është dashur të vijë kjo mazhorancë në pushtet që të luftohet korrupsioni.
Gazetarja: - Organizata ndërkombëtare si Transparency International e rendisin qeverinë shqiptare si një qeveri e korruptuar. Me një ish-ministër rendi në burg për trafik droge, një ish-ministër tjetër në burg për korrupsion dhe ish zv/kryeministri nën hetim me akuza për korrupsion. A mendoni se kjo mund të jetë vetëm një perceptim apo është shenjë e një qeverisje jo të mirë?
'Dua të shtoj diçka këtu se pyetja ishte mbresëlënëse. E para, Transparency International nuk flet për qeverisje të korruptuar që të jemi të qartë sepse natyrisht, detyra numër një e çdokujt që ka një mikrofon, një penë, një gojë në publik është të mos shtrembërojë burimin e informacionit mbi të cilin ngre argumentet. Transparency International flet për korrupsionin i cili nuk është një fenomen pjesor, por është një fenomen i përgjithshëm dhe nuk thotë: qeveria, merr të gjithë sektorët e jetës, të gjitha pushtetet, pushtetin ekzekutiv, pushtetin gjyqësor dhe pushtetin e katërt që është media, që është një tjetër vatër korrupsioni, që patjetër duhet edhe ajo të pastrohet, jo nga qeveria, por nga auto-rregullimi i famshëm. Është korrupsion i një niveli kriminal sepse është i bazuar te shantazhimi, është i bazuar te gjobvënia e bizneseve, gjobvënia e aktorëve publikë për përfitime financiare, të padeklaruara kuptohet se janë kriminale. Siç nuk është e gjithë media kështu, sepse ka media që bëjnë detyrën e tyre, për shembull unë s’jam fare dakord me ju, por mua nuk më shkon mendja që të them që ju dhe media juaj është e korruptuar dhe ka lidhje me korrupsionin, në rastin konkret. Brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara deri edhe kriminale. Pastrim parash dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha. Folëm për shfrytëzim të punës dhe shfrytëzim të punonjësve. Shfrytëzimi i gazetarëve në Shqipëri është pjesë e kësaj, patjetër. Jo te të gjithë, jo për të gjithë. Kështu që, atë Transparency International thotë që qeverisja është e korruptuar dhe ju bashkëpunoni, atë, mos ia thoni as vetes jo më publikisht sepse në fund të ditës mos harroni që jemi të gjithë shqiptarë dhe këto pyetje që i bëhen të huajve dhe këto muhabete që u tregohen të huajve, janë një nga arsyet që vuan imazhi i Shqipërisë.
E dyta, çfarë do të thotë kjo, një ministër në burg, dy ministra në burg, tre ministra në burg, një zëvendës kryeministër nën hetim, që nuk është akoma zyrtarisht, çfarë do të thotë kjo? Është pozitive kjo në luftën kundër korrupsionit apo është negative? Çfarë keni pritur ju nga Reforma në Drejtësi, se unë që e kam ideuar dhe e kam udhëhequr bashkë me Partinë Socialiste që qeveris prej 9 vjetësh e kusur, unë këtë kam kërkuar. Ju çfarë keni pritur nga Reforma në Drejtësi? Keni pritur nga Reforma në Drejtësi të konfirmojë që të gjithë janë engjëj apo keni pritur nga Reforma në Drejtësi që të provojë që të gjithë janë djaj?
Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi; që të mos ketë të paprekshëm, që drejtësia të funksionojë e barabartë për të gjithë dhe që të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur qysh se ka pasur shtet shqiptar; që njerëz të lidhur me pushtetin aktual të shkojnë dhe në burg.
Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi, unë për këtë e kam bërë. Në qoftë se ju e keni mbështetur për ndonjë gjë tjetër, unë nuk e di.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, është dashur të vijë kjo qeveri dhe është dashur të vijë kjo mazhorancë sot që të luftohet korrupsioni nga drejtësia pa i hyrë kurrë në mes pushteti politik dhe ekzekutiv drejtësisë.
Më tregoni një rast në historinë e Shqipërisë që një ministër ka shkuar në burg, duke qenë në detyrë apo jo, por duke qenë ministri i pushtetit aktual? Sigurisht, përjashtoni pjesën kur Sekretari i parë i Partisë i pushkatonte se ajo është tjetër gjë. Ma tregoni kur?
Në të gjitha anketimet që kemi bërë përpara Reformës në Drejtësi, pyetjes “A e mendoni se do arrini ditën kur një njeri i veshur me pushtet do të shkojë përpara drejtësisë”, nuk e di sesa përqind i përgjigjeshin “Jo, nuk ka shans sepse ata që janë të lidhur me pushtetin janë të paprekshëm”. Janë të gjithë të prekshëm. Kështu që, kjo është gjëja më pozitive dhe nuk është diçka për t’u marrë si arsye për të pyetur Bankën Botërore që “Si mund të bëni ju një program me këta që kanë njerëz që janë brenda në burg”. Është e paimagjinueshme kjo lloj logjike. Më falni që po jua them, por e kam pak problem këtë ngatërrimin e punëve të brendshme me punët e jashtme unë.
E fundit që kam është që programi ynë, kjo kornizë partneriteti me Bankën Botërore është korniza më domethënëse dhe kuptimplotë për ata që duan të lexojnë me sytë e dashurisë për këtë vend, jo për qeverinë, fare, se qeverinë nuk e dua as unë e jo më ta doni ju. Qeveria nuk është për t’u dashur; qeveria është për t’u vënë aty që të punojë dhe për të bërë punën në respekt të njerëzve, ama vendi është aty për t’u dashur dhe po ta lexoni këtë kornizë partneriteti me sytë e dashurisë për Shqipërinë dhe jo me këto paragjykimet banale të 100 vjetëve, do të shikoni që keni shumë arsye që sot të dilni të gëzuar nga dita e punës dhe aftësia për t’u gëzuar është aftësi e veçantë e njeriut.'- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Në 2022, rekord në eksport e turizëm, rezultatet sollën planin për rritjen e pagave, s'do marrim borxh! Përfaqësuesi i Bankës Botërore: Investim 900 mln euro për disa projekte
M.Q./ReportTv.al