Rama: Në 2022, rekord në eksport e turizëm, rezultatet sollën planin për rritjen e pagave, s'do marrim borxh! Përfaqësuesi i Bankës Botërore: Investim 900 mln euro për disa projekte

4 Prill 2023, 10:20| Përditesimi: 4 Prill 2023, 16:02

  • Share

TIRANË- Kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e sotme para përfaqësuesit të Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas arritjet ekonomike të vendit tonë, ku ndër to veçoi eksportet dhe turizmin, si dy sektorët që i kanë sjellë më shumë të ardhura ekonomisë vendase, por pa lënë pas edhe eksportet në bujqësi, apo në industrinë tekstile.

Kreu i qeverisë tha se eksportet në Shqipëri, në vitin 2022 kanë arritur shifrën rekord 4.1 miliardë euro, 57% më shumë krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë, sa i përket turizmit, Rama theksoi se të ardhurat vjetore nga turistët e huaj në 2022 kanë arritur vlerën 2.84 miliardë euro, 36% më shumë sesa në 2019, ndërkohë që numri i turistëve preku 7.5 milionë.

“Kemi hedhur bazat e nevojshëm për të bërë një kapërcim në funksion të objektivave tona të shpallura në vizionin Shqipëria 2030. Mbani parasysh që të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3330 euro kur ne morëm detyrën në 6190 euro sot. 87.5%, gati dyfish. Për të mos bërë krahasime të tjera, po bëjmë krahasime vetëm me veten dhe vitin para krizës së madhe të pandemisë. Eksportet në Shqipëri në vitin 2022 kam në arritur 4.1 mld euro. Kjo është Shqipëria që s’ka punë, ku të gjithë ikin, ka vetëm pleq, ka eksportuar 4.1 mld euro në 2022, 57% më shumë se në 2019, falë punës dhe njerëzve të punës. Falë konkretizimit të të gjithë atyre përpjekjeve që kemi bërë në mbështetje të sipërmarrjes dhe për të hapur rrugë të reja për njerëzit që prodhojnë.

Eksportet bujqësore janë rritur me 59% krahasuar me 2019. 1.15 mld industria e tekstileve. Të ardhurat nga turistët e huaj janë 2.84 mld euro, 36% më shumë se në 2019. Numri i turistëve preku 7.5 mln. Rritja e të ardhurave dy herë më shumë se numri i vizitorëve. Te ardhurat vjetor e nga eksporti i shërbimeve në IT në 2022 ishin 156 mln euro. 62% krahasuar me vitin 2019. Investimet e huaja drektë janë rritur 29%, 1.37 mld që është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë. Në fund të viti 2019 kishim 4217 ndërmarrje me kapital 100% të huaj, në fund të vitit 2021 kanë operuar 5250.'- tha Rama.

Ndërkohë, Emanuel Salinas njoftoi se Banka Botërore do të vë në dispozicion të Shqipërisë 900 milionë euro për të financuar disa projekte gjatë katër viteve të ardhshme, të fokusuara në arsim, shëndetësi dhe forcimin e kapitalit njerëzor. Salinas u shpreh se do të jenë të fokusuar në hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë, vajzat dhe gratë. Një tjetër pikë e rëndësishme, Salinas tha se është forcimi i kapitalit njerëzor, pasi janë të shqetësuar nga largimit nga Shqipëria. E forcimi i kapitalit njerëzor, përfaqësuesi i Bankës Botërore tha se vjen përmes përmirësimit të arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

"Së treti shtylla e tretë përqendrohet tek rezistenca tek qëndrueshmëria. Duket sikur çdo vit ka një krizë shumë të madhe. Duhet të rrisim rezistencën për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen, jemi shumë të gëzuar që nisim këtë kuadër të ri partneriteti. Ja kemi prezantuar këtë kuadër bordit në Uashington. Jemi të inkurajuar dhe të përulur dhe të vetëdijshme që po i marrim kohë kolegëve nga qeveria kur duam të punojmë përtej orarit të punës", tha ai.

Një koment për largimin e shqiptarëve e pati edhe kreu i qeverisë, i cili u shpreh se ky është një fenomen i kohëve moderne dhe se nuk ka një çelës magjik për ta shmangur. Rama solli edhe shembullin e Veronës, ku ishte një ditë më parë në panairin e Verës, për të cilin tha se është rajoni më i pasur i Italisë, por po vuan nga largimi i mjekëve.

I pyetur se si do arrihet objektivi i qeverisë për të çuar pagën mesatare 900 euro në vitin 2025, Rama tha se kjo nismë u mor duke parë arritjet ekonomike, ndërsa përjashtoi mundësinë e futjes në borxh për të rritur pagat.

Ora 11:31
‘Ish-ministrat në burg e në hetim’, Rama përplaset me gazetaren: Është dashur të vijë kjo mazhorancë që të luftohet korrupsioni

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference me gazetarët ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i BB-së në Tiranë Emanuel Salians, tha se është dashur të vijë kjo mazhorancë në pushtet që të luftohet korrupsioni.

Gazetarja: - Organizata ndërkombëtare si Transparency International e rendisin qeverinë shqiptare si një qeveri e korruptuar. Me një ish-ministër rendi në burg për trafik droge, një ish-ministër tjetër në burg për korrupsion dhe ish zv/kryeministri nën hetim me akuza për korrupsion. A mendoni se kjo mund të jetë vetëm një perceptim apo është shenjë e një qeverisje jo të mirë?

'Dua të shtoj diçka këtu se pyetja ishte mbresëlënëse. E para, Transparency International nuk flet për qeverisje të korruptuar që të jemi të qartë sepse natyrisht, detyra numër një e çdokujt që ka një mikrofon, një penë, një gojë në publik është të mos shtrembërojë burimin e informacionit mbi të cilin ngre argumentet. Transparency International flet për korrupsionin i cili nuk është një fenomen pjesor, por është një fenomen i përgjithshëm dhe nuk thotë: qeveria, merr të gjithë sektorët e jetës, të gjitha pushtetet, pushtetin ekzekutiv, pushtetin gjyqësor dhe pushtetin e katërt që është media, që është një tjetër vatër korrupsioni, që patjetër duhet edhe ajo të pastrohet, jo nga qeveria, por nga auto-rregullimi i famshëm. Është korrupsion i një niveli kriminal sepse është i bazuar te shantazhimi, është i bazuar te gjobvënia e bizneseve, gjobvënia e aktorëve publikë për përfitime financiare, të padeklaruara kuptohet se janë kriminale. Siç nuk është e gjithë media kështu, sepse ka media që bëjnë detyrën e tyre, për shembull unë s’jam fare dakord me ju, por mua nuk më shkon mendja që të them që ju dhe media juaj është e korruptuar dhe ka lidhje me korrupsionin, në rastin konkret. Brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara deri edhe kriminale. Pastrim parash dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha. Folëm për shfrytëzim të punës dhe shfrytëzim të punonjësve. Shfrytëzimi i gazetarëve në Shqipëri është pjesë e kësaj, patjetër. Jo te të gjithë, jo për të gjithë. Kështu që, atë Transparency International thotë që qeverisja është e korruptuar dhe ju bashkëpunoni, atë, mos ia thoni as vetes jo më publikisht sepse në fund të ditës mos harroni që jemi të gjithë shqiptarë dhe këto pyetje që i bëhen të huajve dhe këto muhabete që u tregohen të huajve, janë një nga arsyet që vuan imazhi i Shqipërisë.

E dyta, çfarë do të thotë kjo, një ministër në burg, dy ministra në burg, tre ministra në burg, një zëvendës kryeministër nën hetim, që nuk është akoma zyrtarisht, çfarë do të thotë kjo? Është pozitive kjo në luftën kundër korrupsionit apo është negative? Çfarë keni pritur ju nga Reforma në Drejtësi, se unë që e kam ideuar dhe e kam udhëhequr bashkë me Partinë Socialiste që qeveris prej 9 vjetësh e kusur, unë këtë kam kërkuar. Ju çfarë keni pritur nga Reforma në Drejtësi? Keni pritur nga Reforma në Drejtësi të konfirmojë që të gjithë janë engjëj apo keni pritur nga Reforma në Drejtësi që të provojë që të gjithë janë djaj?

Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi; që të mos ketë të paprekshëm, që drejtësia të funksionojë e barabartë për të gjithë dhe që të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur qysh se ka pasur shtet shqiptar; që njerëz të lidhur me pushtetin aktual të shkojnë dhe në burg.

Për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi, unë për këtë e kam bërë. Në qoftë se ju e keni mbështetur për ndonjë gjë tjetër, unë nuk e di.

Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, është dashur të vijë kjo qeveri dhe është dashur të vijë kjo mazhorancë sot që të luftohet korrupsioni nga drejtësia pa i hyrë kurrë në mes pushteti politik dhe ekzekutiv drejtësisë.

Më tregoni një rast në historinë e Shqipërisë që një ministër ka shkuar në burg, duke qenë në detyrë apo jo, por duke qenë ministri i pushtetit aktual? Sigurisht, përjashtoni pjesën kur Sekretari i parë i Partisë i pushkatonte se ajo është tjetër gjë. Ma tregoni kur?

Në të gjitha anketimet që kemi bërë përpara Reformës në Drejtësi, pyetjes “A e mendoni se do arrini ditën kur një njeri i veshur me pushtet do të shkojë përpara drejtësisë”, nuk e di sesa përqind i përgjigjeshin “Jo, nuk ka shans sepse ata që janë të lidhur me pushtetin janë të paprekshëm”. Janë të gjithë të prekshëm. Kështu që, kjo është gjëja më pozitive dhe nuk është diçka për t’u marrë si arsye për të pyetur Bankën Botërore që “Si mund të bëni ju një program me këta që kanë njerëz që janë brenda në burg”. Është e paimagjinueshme kjo lloj logjike. Më falni që po jua them, por e kam pak problem këtë ngatërrimin e punëve të brendshme me punët e jashtme unë.

E fundit që kam është që programi ynë, kjo kornizë partneriteti me Bankën Botërore është korniza më domethënëse dhe kuptimplotë për ata që duan të lexojnë me sytë e dashurisë për këtë vend, jo për qeverinë, fare, se qeverinë nuk e dua as unë e jo më ta doni ju. Qeveria nuk është për t’u dashur; qeveria është për t’u vënë aty që të punojë dhe për të bërë punën në respekt të njerëzve, ama vendi është aty për t’u dashur dhe po ta lexoni këtë kornizë partneriteti me sytë e dashurisë për Shqipërinë dhe jo me këto paragjykimet banale të 100 vjetëve, do të shikoni që keni shumë arsye që sot të dilni të gëzuar nga dita e punës dhe aftësia për t’u gëzuar është aftësi e veçantë e njeriut.'- tha Rama.

Ora 11:09
Rama i përgjigjet përfaqësuesit të Bankës Botërore: S’ka çelës magjik për të frenuar largimet, është ‘trend’ i kohës! Verona, rajoni më i pasur i Italisë, vuan për mjekë

 

Kryeministri Edi Rama, në konferencën me Përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri foli për largimet e Shqiptarëve. Rama tha se nuk ka një çelës magjik për të frenuar largimet. Kreu i qeverisë tha se në Verona, ku ishte një ditë më parë për panarin e verës, rajoni më i pasur i Italisë vuante nga largimet e mjekëve.

“Ishim në Verona për panarin e verës, rajoni më i pasur i Italisë, e gjitha 5 mln banorë dhe ka 600 mijë ndërmarre. Kemi pasur një darkë pune me guvernatorin, shqetësimi kryesor ishte largimi i mjekëve, largimi i specialistëve të nivelit më të lartë. Pse ikin nga rajoni më i pasur i Italisë. Se ka korrupsion, krim, s’ka shërbime, ikin se kjo është koha që jetojmë, ku të gjitha produktet e globalizmit që vijnë nga qendrat me të pasura arrijnë deri në fshatin më të largët të pazhvilluar dhe e ngrenë peshë atë 20 vjeçarin që është aty dhe i thonë hajde. Njerëzit shkojnë sepse kjo kohë që jetojmë e bën të mundur që aspiratat më të larta të ndiqen duke shkuar në vendin ku janë të ardhurat më të larta. S’ka çelës magjik, forcë që të përmbysë këto lloj trendësh. Duhet hap pas hapi të bëjmë progres dhe kjo rritje pagash do ndihmojë shumë por s’do ta frenojë globalizmin dhe s’do frenojë trendet historike të kohës. Flitet për të ikurit”, tha Rama.

Ora 11:01
Përfaqësuesi i BB-së në Tiranë: Çdo investim në Shqipëri transparent dhe i qartë! Përvoja këtu në përputhje me standardet tona

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Tiranë Emanuel Salinas, u pyet gjatë një konference për mediat me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me korrupsionin në qeveri si edhe ish-ministrat që janë arrestuar apo që janë në hetim. Përfaqësuesi i BB-së u shpreh se me qeveria ka qenë shumë bashkëpunuese dhe se çdo investim i tyre në vendin tonë ka qenë transparent dhe i qartë. Sipas Salinas përvoja në Shqipëri ka qenë e gjitha në përputhje me standardet dhe rregullat e Bankës Botërore.

‘Nuk mund të flas për treguesit e organizatave të tjera mendoj se nga ana e BB-së ne jemi të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm që qeverisja është një punë në progres dhe përmirësimi i qeverisjes është pjesë e vlerave tona dhe objektit tonë. Sa herë që bashkëpunojmë me qeverinë jemi të kënaqur. Çdo gjë është transparente është e qartë që paratë alokohen në mënyrë të përsosur dhe të qartë. Përvoja jonë në Shqipëri me projektet që kemi zbatuar është në përputhje me të gjitha standardet dhe rregullat tona. Jemi të angazhuar për të përmirësuar qeverisjen aty ku BB mund të kontribuojë.’- u shpreh Salinas.

Drejtori i zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Emanuel Salinas tha po ashtu se përmes qeverisjes elektronike, Shqipëria ka një rezultat shumë të mirë për uljen e ryshfetit kur njerëzit shkojnë të marrin dokumentat qeveritarë.  Sipas tij, Shqipëria ka arsye për të qenë krenar për rezultatet e arritura në fushën e qeverisjes digjitale.

“Kjo është një mënyrë produktive për të trajtuar këto çështje si korrupsioni, sepse në radhë të parë përkthehet edhe në ulje të mundësive për korrupsion, edhe në kursim mjaft të rëndësishëm për personat që ndërveprojnë me autoritetet apo agjencitë. Kjo për ne është një gjë e prekshme apo reale. Ne e shohim si një gjë të rëndësishme. Kemi një fillim dhe një trend shumë të mirë me potencialin për të shkuar përpara. S’ka më ryshfete kur njerëzit shkojnë të marrin dokumente pasi merren online. Për E-Albania duhet të jemi krenar pasi ka një trend shumë të mirë dhe do të punojmë dhe më shumë.’, tha Salinas.

Ora 10:41
Përfaqësuesi i BB-së në Tiranë: Po punojmë ngushtë me Ministrinë e Financave për amnistinë fiskale, dialogu me qeverinë produktiv dhe i hapur

Emanuel Salinas përfaqësues i Bankës Botërore në Tiranë gjatë një konference më kryeministrin Edi Rama u shpreh se po punojnë ngushtë me ministrinë e Financave për amnistinë fiskale. Ai u shpreh se qeveria ka qenë produktive dhe e hapur dhe se ato kanë dhënë sugjerimet dhe këshillat e tyre.

'Siç e përmenda më parë, në po punojmë ngushtë me Ministrinë e Financave. Për mua duhet ta shohim tablonë më të gjerë për këtë dhe tabloja më e gjerë, ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale për vendin. Kur shohim trajektoren e Shqipërisë, shohim që janë bërë shumë përpjekje për të krijuar amortizues fiskalë dhe për të trajtuar ato çështje me të cilat vendi përballet shumë shpesh, për shembull në rastin e krizave e kështu me radhë. Bashkëpunimi që kemi pasur me Ministrinë e Financave e që ka qenë shumë produktiv, kërkon të shohë këtë tablo më të gjerë, pra çfarë duhet të bëjmë në mënyrë të përbashkët për të rritur këto amortizues fiskal që i duhen vendit për të qenë në gjendje që t’u përgjigjet jo vetëm kërkesave në vazhdimësi, por gjithashtu edhe situatave të papritura. Ky është një element.

Pjesa e dytë  e bashkëpunimit tonë është përqendruar po kështu tek menaxhimi i borxhit sepse ne e dimë se një pjesë e të qenit në gjendje për të pasur elasticitet fiskal dhe për ta pasur shtëpinë në rregull kur bëhet fjalë për çështjet fiskale, është marrja parasysh e të ardhurave dhe shpenzimeve, por po kështu edhe për t’i pasur nën kontroll. Ajo çfarë kemi parë gjatë këtyre viteve të fundit është se këto përpjekje kanë dhënë rezultat, sepse kur sheh numrin e goditjeve që Shqipërisë i është dashur të përballojë gjatë viteve të fundit, e kuptoni që Shqipëria ka dalë nga këto goditje, në një mënyrë shumë më pak të dhimbshme sesa vendet e tjera në rajon , kështu që ky kujdes fiskal ka dhënë rezultate. Menaxhimi i borxhit ka dhënë rezultate, sidomos tani në kontekstin e normave shumë të larta të interesit, kështu që unë mendoj se duhet të shohim në mënyrë konstante këtë tablo më të gjerë. Dialogu që kemi me qeverinë është shumë produktiv dhe shumë i hapur. Si partnerë në zhvillim, ne gjithmonë vijmë me sugjerime, ne shprehim sugjerime, këshillat tona që janë në më të mirën e njohurive tona teknike dhe pastaj punojmë së bashku me autoritetet për të zbatuar gjithçka që mundemi nga këto pikëpamje në kuadrin e ekspertizës teknike që kemi. Një përgjigje shumë e gjatë për këtë, por sërish për mua është e rëndësishme që të shihet tabloja e gjerë dhe po të shihet tabloja e gjerë për qëndrueshmërinë financiare fiskale të Shqipërisë, në mendojmë që është bërë shumë punë e mirë dhe mendoj që gjithë vendi përfiton nga këto vendime të së shkuarës, për të trajtuar vështirësitë siç natyrisht edhe tani.'- tha Salinas.

Ora 10:40
Ambicia për pagë mesatare 900 euro, Rama: S’do marrim borxh për rritjen, erdhi si rezultat i arritjeve ekonomike

 

Kryeministri Edi Rama është ndalur në ambicien e qeverisë për rritjen e pagës mesatare në 900 euro. Rama tha se nuk do marrim borxh për të rritur pagat

“Ne nuk do marrim borxh për të rritur pagat, do i rrisim pagat dhe do vazhdojmë të ulim borxhin sikur  e kemi ulur gradualisht dhe sikundër kemi ecur konform gjithë planit të stabilitetit makroekonomik në aspektin e borxhit. Rritja e pagave është një domosdoshmëri e mundshme. Sot është e mundur sepse kemi arritur rezultate domethënëse në të gjithë procesin e ngritjes së bazës mbi të cilën rrisim pagën. Ato shifra qëi u dhashë janë arsyeja pse rrisim pagat, nga të ardhurat e turizmit përshembull, eksporteve, nga të ardhurat e punës, janë arsyeja pse rriten pagat. Rritje që është shumë e lartë në raport në raport me rritjet e bëra në të shkuarën, po e mirë kalkuluar dhe e qëndrueshme”, tha Rama.

Ora 10:27
Përfaqësuesi i BB-së në Shqipëri, Salinas: Investim 900 mln euro për disa projekte! 3 shtyllat mbështetëse ku do të fokusohemi

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas, gjatë një konference me kryeministrin Edi Rama, u shpreh se kanë diskutuar për disa projekte të cilat do t’i financojë Banka Botërore. Salinas u shpreh se janë tre shtylla kryesore ku do të investojnë, ndërsa theksoi se në 4 vite të zbatimit të projekteve do të investohen 900 mln euro.

‘Në fakt jemi mbledhur sot për diçka që asnjëherë nuk kemi pasur në historinë e partneritetit me Shqipërinë. Banka botërore ka 30 vjet që punon në Shqipëri dhe kur kthejmë kokën pas shohim që është arritur shumë përmes bashkëpunimit, por sot donim të shënonim ngjarjen  e miratimit tw kuadrit të ri të partneritetit me vendin që në thelb përcakton kontratën tonë me ju, me Shqipërinë. Pra për çfarë angazhohet Banka Botërore që të realizojë për ju, gjithashtu dhe për popullsinë shqiptare në 4-5 vitet në vijim. Në kuadër të këtij partneriteti jemi përqendruar apo jemi zotuar për t’u përqendruar në tre gjëra: më shumë vende pune më të mira për popullsinë shqiptare, por sidomos për rininë dhe për gratë. Mendojmë se është arritur shumë në këtë drejtim, por ka dhe shumë për t’u bërë. Ne e vendosim theksin tek pjesa më e mirë, pra punë më të mira sepse natyrisht ka tashmë vende pune që po krijohen, por ne mendojmë që në të ardhmen sfida jonë është që të krijojmë vende më të mira pune, mundësi më të mira, për të shfrytëzuar maksimalisht talentin e njerëzve këtu në vend dhe për të krijuar stimuj që njerëzit të qëndrojnë këtu dhe të kenë jetë produktive në vend. Shtylla e dytë e strategjisë sonë përqendrohet tek kapitali njerëzor, forcimi dhe përdorimi më i mirë i kapitalit njerëzor. Dhe çfarë duam të themi me këtë është se siç e dimë të gjithë ne jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, por ne mendojmë që së bashku mund të vazhdojmë trajektoren në kuptimin e forcimit të kapitalit njerëzor dhe jetët produktive në vend, duke vijuar me përmirësimit e shëndetësisë, së arsimimit, të mbrojtjes sociale dhe të shërbimeve publike gjithashtu.

Mendojmë që është arritur shumë në këtë drejtim. Kemi punuar së bashku me qeverinë e Shqipërisë për shëndetësinë gjatë këtyre viteve të fundit, sidomos për rindërtimin e spitaleve dhe gjithashtu dhe për përmirësimin e  cilësisë së shtrirjes së kujdesit shëndetësor te publiku. Por mendojmë që ka mundësi për të bërë më shumë në të ardhmen. Sa i takon arsimit jemi shumë të lumtur që të nisim të punojmë për të përmirësuar aftësisë digjitale për fëmijët dhe presim me shumë padurim për mundësi të tjera, për të bërë më shumë për këtë gjë. Së treti, shtylla e tretë e strategjisë sonë përqendrohet tek qëndrueshmëria, rezistenca. Siç e dimë kur kthejmë kokën në 3 deri në 5 vitet e shkuara duket sikur çdo vit ka një krizë, një krizë të madhe. Ne e dimë që Shqipëria ka qenë e prekur nga këto kriza dhe ajo për të cilën do të punojmë së bashku me qeverinë është të rrisim rezistencën për krizat e ardhshme, rezistencë financiare të aseteve fizike, të përmirësimit të infrastrukturës për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen dhe sidomos edhe përmirësimin e menaxhimit të katastrofave në përgjithësi.

Jemi shumë të gëzuar që nisim këtë kuadër të ri partneriteti në mënyrë mjaft të konsoliduar. Në të njëjtën kohë ia kemi prezantuar këtë kuadër bordit në Washington dhe i kemi prezantuar 4 ndërhyrje të reja. Kjo është diçka që nuk është bërë, jo vetëm në Shqipëri, por askund në asnjë vend në rajon, në Europë dhe Azinë Qendrore, me gjasë as në rajonet e tjera. Për ne kjo është një dëshmi shumë e mirë e partneritetit të fortë që kemi, por po kështu e angazhimit mjaft të fortë të homologëve nga qeveria me të cilët ne kemi bashkëpunuar, për të arritur tek kjo pikë. Mund të shohim në vend te parë sesi njerëzit kanë punuar me orë e orë të gjata, kanë punuar nw fundjave, me një nivel mjaft përulës angazhimi për të  realizuar të gjithë këtë. Ky është vetëm një hap i parë. Pra është vetëm miratimi i projekteve dhe tashmë duhet të lëvizim drejt zbatimit. Por jemi mjaft të inkurajuar, jemi mjaft të përulur ndonjëherë, jemi mjaft të vetëdijshëm që po i marrim kohë kolegeve nga qeveria kur duam të punojnë përtej orarit të punës,  por njohim dhe pranojmë angazhimin e fortë të të gjithëve për të punuar në këtë pikë. Siç e tha dhe kryeministri, kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë për 4 vitet në vijim 900 milionë euro, tranzhi i parë i projekteve është 360 milionë euro dhe presim një tjetër projekt që të miratohet së shpejti për 60 milionë euro. Për t’ju dhënë një ide të objekteve apo fushëveprimit të projekteve, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës kemi punuar për një projekt, i cili do të trajtojë urat në rrezik nga goditjet natyrore. Ka një sërë urash të tilla dhe duhet të lëvizim me shpejtësi për të përmirësuar rezistencën e këtyre urave. Është një program i fortë dhe mjaft i madh dhe jemi shumë të prirur që të nisim shumë shpejt me të. Ka një sërë urash që janë identifikuar tanimë.

Duke nisur qysh prej fillimit, së bashku me Ministrinë e Financave kemi punuar për të rritur rezistencën fiskale të Shqipërisë.  Por po kështu edhe për mbështetjen e rritjes së gjelbër të ekonomisë në të ardhmen përmes një pakete mjaft të konsiderueshme veprimesh dhe reformash dhe u jemi mirënjohës Ministrisë për udhëheqjen e tyre, jo vetëm në këtë ndërhyrje, por edhe në pjesën tjetër të programit. Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë ne do të punojmë për të rritur rezistencën e bujqësisë ndaj ndryshimit klimaterik dhe për të përmirësuar konkurueshmërinë e sektorit për të rritur jo vetëm vëllimin e eksporteve por edhe cilësinë e eksporteve drejt BE dhe tregjeve të tjera gjithashtu.

Më pas së bashku me zyrën e kryeministrit, AKSH-in dhe Ministrinë e Arsimit ne kemi përpiluar një projekt, i cili sheh për nga agjenda digjitale e brezit të ardhshëm që përfshin, jo vetëm arsimin elektronik, por dhe ofrimin e aftësive digjitale për fëmijët në nivel shkollor.

Ky është tranzhi i parë i projekteve  dhe do të kemi dhe një tjetër, i cili do të vijojë me shpejtësi dhe që do të përqendrohet tek Lumi i Vjosës. Është shumë inkurajuese që pamë së fundmi që ai u përcaktua si një zonë e mbrojtur dhe do të punojmë së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndotjen e lumit dhe për marrjen e masave për t’u siguruar që lumi të mbetet i egër, por të mbete dhe i pastër në të ardhmen. Ky është grupi i parë i projekteve, kemi shumë më tepër gjëra në mendje. Mendojmë se kufiri është veç qielli këtu në Shqipëri sepse duke parë nivelin e bashkëpunimit këtu ai ashtë krejt i pashembullt krahasuar me vende të tjera ku vepron Banka dhe iu jemi mirënjohës të gjithëve që e bënë të mundur këtë gjë.

Siç e thashë në fillim, angazhimi ndaj jush, ndaj Shqipërisë është për t’i realizuar të gjitha këto në mënyrën më të shpejtë, më pak të kushtuese dhe më efikase. Presim gjithashtu me padurim që ju të na mbani përgjegjës kur vjen fjala për realizimin dhe dhënien e burimeve të premtuara. Do të ndalem këtu. ’- tha Salinas.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mondi: 04/04/2023 14:23

    Situata ekonomike ne vend ka ndryshuar shume ne krahasim me vitet me perpara ku ekonomia eshte rritur ndjeshem

    Përgjigju
  • anduela: 04/04/2023 14:17

    Takim shum pozitiv dhe teper i rendesishem

    Përgjigju
  • Arbëri: 04/04/2023 14:00

    Je një tradhtar bir Rusi o bq shqipfolës

    Përgjigju
  • Toni: 04/04/2023 13:39

    Te rroje partia. Ky i gjati po kopjon Salen kur thoshte Shqiperia eshte e dyta pas Gjermanise. Oburra te ikim nga ky vend, se nuk behet kurre me keto plehra qe na udheheqin.

    Përgjigju
  • XXX: 04/04/2023 11:52

    Po ça mashtron kot o kokra legenit, ktu cdo dit behet më keq.

    Përgjigju
  • goni: 04/04/2023 11:49

    super suksese ne vendin tone rritje masime e ekonomise

    Përgjigju
  • redi: 04/04/2023 11:36

    Me shifrat e Instatit dhe kryeministrit mbi rritjen ekonomike per vitin 2022 me 4.8% eshte nje gje shume pocitive .A do te arrim ne qe te kemi suficit ne buxhet dhe te mos marrim me borxhe?Rruget kryesore mbaruan dhe tani objekti duhet te jete hekurudhat ku per turizmin jane arteriet kryesore te udhetimit.Tani rritja ekonomike duhet te vije nga prodhimi dhe sherbomet ,mhaft me marrje borxhesh per rruget

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 04/04/2023 10:50

    Si u be puna e atij financimit te TEC-it te Vlores qe nuk u vu kurre ne pune e qe u financua nga BB?

    Përgjigju
    • Dhendri i Besnik Bekteshit: 04/04/2023 14:20

      Italja si moter, e kuptove se cfare kam shkruar une?

    • Italja si moter: 04/04/2023 13:00

      O dhender ti duhet ta dishe ne mire se ta ka treguar sala se si financoi BB.financimi nuk u be mbas 2013.,informohu pastaj shkruaj .analfabet.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?