Nicolas Sarkozy

Bota

Marrja e fondeve nga Gadafi/ Ish-presidenti francez, dënohet me 5 vite burg! Shpallet fajtor për organizatë kriminale! Sarkozy: Franca është poshtëruar

25 Shtator, 10:59| Përditesimi: 25 Shtator, 17:22

  • Share

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është dënuar me pesë vjet burg, pasi u shpall fajtor për organizatë kriminale në një rast që lidhet me marrjen e miliona eurove fonde të paligjshme nga udhëheqësi libian, kolonel Muammar Gaddafi.

Pas vendimit të dhënë Sarkozy tha në një deklaratë për media se Franca është poshtëruar.

"Kjo padrejtësi është një skandal. Nuk do të kërkoj falje për atë që nuk kam bërë. Ndoshta do të më duhet të paraqitem me pranga para Gjykatës së Apelit. Ata që më urrejnë kaq shumë mendojnë se po më poshtërojnë. Ajo që kanë poshtëruar sot është Franca, është imazhi i Francës. Dhe nëse dikush i ka tradhtuar francezët, nuk jam unë, është kjo padrejtësi e pabesueshme që sapo keni parë. Nuk kam frymë hakmarrjeje, as urrejtjeje, por le ta kuptojnë dhe ta dëgjojnë të gjithë: Do të luftoj deri në frymën time të fundit për të vërtetuar pafajësinë time të plotë ", tha ai.

Gjykata penale e Parisit e liroi atë nga të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës.

Sarkozi, i cili pretendon se çështja është e motivuar politikisht, u akuzua për përdorimin e fondeve nga Gadafi për të financuar fushatën e tij zgjedhore të vitit 2007.

Në këmbim, prokuroria pretendoi se Sarkozi premtoi të ndihmonte Gaddafin të luftonte reputacionin e tij si i përjashtuar nga vendet perëndimore.

Sarkozi, 70 vjeç, ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012.

Hetimi u hap në vitin 2013, dy vjet pasi Saif al-Islam, djali i udhëheqësit të atëhershëm libian, akuzoi për herë të parë Sarkozinë se kishte marrë miliona nga paratë e babait të tij për financimin e fushatës.

Biznesmeni libanez Ziad Takieddine - i cili për një kohë të gjatë veproi si ndërmjetës midis Francës dhe Lindjes së Mesme - tha se kishte prova me shkrim se fushata e Sarkozisë ishte financuar "me bollëk" nga Tripoli dhe se pagesat me vlerë 50 milionë euro (43 milionë paund) vazhduan pasi ai u bë president.

Gruaja e Sarkozisë, ish-supermodelja dhe këngëtarja me origjinë italiane, Carla Bruni-Sarkozy, u akuzua vitin e kaluar për fshehje të provave të lidhura me rastin Gaddafi dhe për bashkëpunim me keqbërës për të kryer mashtrim, të cilat ajo i mohon.

Që kur humbi garën për rizgjedhje në vitin 2012, Sarkozi është vënë në shënjestër të disa hetimeve penale.

Ai gjithashtu apeloi kundër një vendimi të shkurtit 2024 i cili e shpalli fajtor për shpenzime të tepërta në fushatën e tij të rizgjedhjes në vitin 2012 , dhe më pas për punësimin e një firme PR për ta mbuluar këtë. Ai u dënua me një vit burg, nga të cilat gjashtë muaj u pezulluan.

Në vitin 2021, ai u shpall fajtor për përpjekje për të korruptuar një gjyqtar në vitin 2014 dhe u bë ish-presidenti i parë francez që mori një dënim me burg. Në dhjetor të vitit të kaluar, gjykata e apelit e Parisit vendosi që ai mund ta vuante dënimin në shtëpi duke mbajtur një etiketë në vend që të shkonte në burg.

Ora 16:45
Sarkozy u dënua me 5 vite burg/ Carla Brunin se mbajnë nervat, sulmon mikrofonin e medias (VIDEO)

Pasi ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u dënua me 5 vite burg, pasi u shpall fajtor për organizatë kriminale, duket se bashkëshorten e tij Carla Bruni nuk e kanë mbajtur nervat me mediat.

Pas përfundimit të prononcimit të Sarkozy për gazetarët, ish-zonja e parë e Francës ka sulmuar mikrofonin e Mediapart, teksa i ka hequr sfungjerin.

Ky veprim është i Carla Brunit, është duke bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Ora 14:27
U dënua me 5 vite burg, ish-presidenti francez: Do të fle në burg, por me kokën lart

Foto: Nicolas Sarkozy

I dënuar me pesë vjet burg, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy deklaroi para kamerave se ajo që ndodhi në gjykatë "është jashtëzakonisht serioze për sundimin e ligjit" dhe "besimin që mund të kemi te drejtësia".

Ish-presidenti theksoi se u lirua nga tre nga katër akuzat.

"Unë jam dënuar për dyshimin se kam lejuar dy kolegë të mi të dalin me idenë e financimit të paligjshëm të fushatës sime. Do të marr përsipër përgjegjësitë e mia. Do t'u bindem thirrjeve të gjykatave. Dhe nëse ata duan absolutisht që unë të fle në burg, do të fle në burg. Por me kokën lart. Jam i pafajshëm", deklaroi  Nicolas Sarkozy.

Më tej ai shtoi se kjo është një padrejtësi dhe ky vendim i ka prishur imazhin Francës.

"Kjo padrejtësi është një skandal. Nuk do të kërkoj falje për atë që nuk kam bërë ", shtoi ai përpara se të njoftonte se do të apelonte. Ndoshta do të më duhet të paraqitem me pranga para Gjykatës së Apelit. Ata që më urrejnë kaq shumë mendojnë se po më poshtërojnë. Ajo që kanë poshtëruar sot është Franca, është imazhi i Francës. Dhe nëse dikush i ka tradhtuar francezët, nuk jam unë, është kjo padrejtësi e pabesueshme që sapo keni parë. Nuk kam frymë hakmarrjeje, as urrejtjeje, por le ta kuptojnë dhe ta dëgjojnë të gjithë: Do të luftoj deri në frymën time të fundit për të vërtetuar pafajësinë time të plotë", përfundoi ai.

Xh.K/A.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?