Ish-të përndjekurit: Tepelenasit s’kanë faj për kampin e internimit, ua solli diktatura

24 Gusht 2018, 18:26| Përditesimi: 24 Gusht 2018, 18:37

  • Share

Pas disa muajve shumë të vështirë në Turan, ku të internuarit e zhvendosur nga kampet e beratit dhe Kuçovës, jetonin vetëm me bukë misri thatë, sipas dëshmive e dokumenteve, fëmijë pleq e gra u sëmurën rëndë nga dizenteria dhe tifoja dhe u zhvendosën nga Turani një fshat malor në Tepelenë, në Veliqjot, një fushë buzë lumit të Bënçës, poshtë kodrës ku ngrihet qyteti i Tepelenës.

Arti bashkëkohor dhe ata që vuajtën nën lëkurë krimet e komunizmit u “takuan” bashkë në Kampin e Përqendrimit në Tepelenë. Objekti që dikur ka funksionuar si kazermë e ushtrisë italiane, por regjimi komunist nga viti 1949 deri në vitin 1954 e pa si një vend të përshtatshëm për të ngritur kampin e Tepelenës, u hap për publikun, jo vetëm për të mprehur kujtesën historike ndaj dhimbjes brutale mendore dhe fizike, frikës dhe mungesës së lirisë; por edhe për të ekspozuar dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, si një mesazh për të gjithë të mbijetuarit, familjarët e tyre edhe brezat e rinj, se jeta ecën ngadalë drejt pranimit dhe faljes. 

Ne të mbijetuarit e këtij kampi kujtojmë me respekt popullin bujar dhe fisnik të Tepelenës për ndihmën që na ka dhënë. Ne nuk mund që të harrojmë kur ngjiteshim kodrën për të shkuar në shkollë edhe ata zgjasnin dorën për të na dhënë një copë bukë me gjizë, kur edhe ata vet ishin të varfër.

Simon Mirakaj

Instalacionet “Edhe muret kanë vesh”,“I përkasim njëri-tjetrit” dhe një memorial për të gjithë ata që vuajtën, por për ata që humbën jetën në këtë kamp nga keqtrajtimi dhe uria qindra fëmijë, vetëm, sepse marrëdhëniet e të afërmve të tyre me pushtetin popullor të kohës nuk kishin qenë të mira, duke i kategorizuar ata armiq të politikës.

Fëmijë që u varrosën buzë lumit, në mënyrë që eshtrat e tyre t’i merrnin ujërat e Vjosës me vete, që të zhdukeshin gjurmët e këtij makabriteti. Ndërsa, sot këto ngjarje i kujtojnë baballarët edhe nënat, që kanë përjetuar këto tragjedi para syve të tyre. Për aktet e tyre heroike përballë pushtetit të egër komunist, Presidenti Ilir Meta, në shenjë nderimi dekoron këto nënë, që do të lënë gjurmë të thella në historinë e periudhës komuniste në vendin tonë

Erdhi koha, koha vjen vetvetiu që e vërteta të dalë në shesh. Këtë dekoratë këtu unë ua kushtojë të gjithëve. Jeni të gjithë të meritueshëm për dekorata, s’jam vetëm unë. Janë të meritueshëm pleqtë e edhe plakët që vdiqën, janë fëmijët se u dënua pafajësia. Tepelena këtë shenj të kampit nuk e mori se e deshi vet, por ja imponoi diktatura.

Lekë Previzi, ish-i dënuar

 Deklarata e të Drejtave të Njeriut përfshin të gjitha ata të drejta që në kohën e komunizmit u ishin mohuar njerëzve.

Brian J.Williams, koordinator i përhershëm i OKB-së në Shqipëri

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 synon që me këtë projekt të ndërgjegjësojë njerëzit, që historitë e dhimbshme të këtij kampi edhe jetëve të pafajshmëve që humbën në të, të mos përsëriten më.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?