Sot në Bari u përkujtua 34 vjetori i eksodit të shqiptarëve në Itali, ku anija “Vlora” mbërriti me rreth 20 mijë refugjatë në bord. Në këtë ditë, bashkia e Barit iu dha nënshtetësinë italiane një çifti shqiptar Astrit dhe Daniela Nasufi, që mbërritën në vendin fqinj disa vite pas anijes me refugjatë.
Kryebashkiaku Vito Leccese deklaroi se nënshtetësia iu jepet “në përvjetorin e një prej ngjarjeve që shënuan historinë e qytetit tonë”.
“Astriti dhe Daniela u zhvendosën në Bari disa vjet pas mbërritjes së anijes Vlora dhe sot ata bëhen qytetarë të plotë italianë, duke përmbushur një ëndërr të ndërtuar mbi punë të palodhur dhe sakrificë, pa harruar origjinën e tyre shqiptare. Në Bari, askush nuk është i huaj, siç themi shpesh, dhe pikërisht atë 8 gusht 1991, banorët e Barit e demonstruan këtë me akte solidariteti dhe gjeste spontane mirëseardhjeje, duke demonstruar konkretisht vlerat thelbësore të identitetit tonë, pavarësisht qëndrimeve të qeverisë qendrore, e cila iu përgjigj ngjarjes me një operacion policor. Ne i shprehim mbështetjen tonë të përzemërt Danielës dhe Astritit, duke i mirëpritur zyrtarisht në komunitetin tonë sot, ndërsa ata festojnë 22-vjetorin e martesës së tyre.", shtoi kryebashkiaku.
Më pas u nënshkrua një letër qëllimi, që synon krijimin e një marrëveshjeje binjakëzimi nga kryetarët e bashkive Barit dhe Vlorës. Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha nuk ishte prezent, por foli nga distanca për të konfirmuar ndjenjat e miqësisë që lidhin popullin shqiptar me qytetin e Barit, ku vetë ai jetoi për tre vjet si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë.
"Ne ndajmë qëllimin e forcimit të bashkëpunimit institucional, kulturor dhe ekonomik me Barin dhe Puljan. Popujt tanë janë të lidhur nga një histori që nuk ka pushuar kurrë së foluri me të tashmen dhe është e frymëzuar nga dëshira për të ndërtuar së bashku një rol të përbashkët që promovon paqen, prosperitetin dhe integrimin.", tha Dredha.
Data për nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit midis qyteteve të Barit dhe Vlorës do të caktohet së shpejti.
Lajmi kryesor:
Sot 34 vjet nga eksodi i shqiptarëve në Itali/ Anija 'Vlora' zbarkoi 20 mijë emigrantë në Bari
Xh.D/ReportTv.al
