Kronikë

Sot 34 vjet nga eksodi i shqiptarëve në Itali/ Anija 'Vlora' zbarkoi 20 mijë emigrantë në Bari

8 Gusht, 08:39| Përditesimi: 8 Gusht, 17:23

  • Share

Si sot para 34 vitesh (8 gusht 1991) nisi një ëndërr. Shqiptarët lanë atdheun dhe u nisën drejt brigjeve italiane. E ardhmja ishte e pasigurt, por shpresat ishin të mëdha.

Anija ‘Vlora’ mbërriti në portin e Barit, ndërsa sipër mbante mbi 20 mijë shqiptarë. Për një kohë të gjatë, rreth 45 vjet, Shqipëria kishte mbetur e mbyllur brenda kufijve të saj, pa mundësinë më të vogël të hapjes, dijes apo marrëdhënieve kulturore e njerëzore jashtë mureve të Bllokut Komunist.

E megjithatë, ajo ishte përballë Italisë, motrës më të madhe dhe të lirë. Pas rënies së komunizmit, të detyruar nga kushtet e dëshpëruara social-ekonomike, shqiptarët sfiduan vdekjen në kërkim të fatit të tyre, pa asnjë siguri, por me dijen se diku duhej të trokitnin.

Ndonëse emigrantët shqiptarë udhëtuan për një të ardhme më të mirë, ata u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’, ndërsa më pas u riatdhesuan për në Shqipëri.

Por, pavarësisht këtij fakti jo të gjithë shqiptarët u kthyen në Shqipëri. Emigrantëve ushqimi u dërgohej me helikopter, ndërsa nuk mungonin rastet kur shqiptarët përlesheshin me policinë, pasi tentonin të dilnin prej aty.

Brenda dy javësh, shqiptarët u dërguan përsëri në Shqipëri me anije dhe aeroplanë. Sipas shifrave të asaj kohe, në vendin tonë u riatdhesuan 17 mijë e 400, ndërsa në Itali mbetën 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për strehim politik.

Anija e tejmbushur, ku njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit, është tabloja që kujtohet edhe sot.

Ora 15:45
Itali/ Bari përkujton 34 vjetorin e eksodit të shqiptarëve, bashkia iu jep nënshtetësinë italiane një çifti shqiptar

1754660810_080825oggilecelebrazioniperil34anniversariodellarrivodellanaveVloraconferimentocittadinanzaitalianaAstriteDanielaNasufi1754653576138.jpeg.jpeg

Sot në Bari u përkujtua 34 vjetori i eksodit të shqiptarëve në Itali, ku anija “Vlora” mbërriti me rreth 20 mijë refugjatë në bord. Në këtë ditë, bashkia e Barit iu dha nënshtetësinë italiane një çifti shqiptar Astrit dhe Daniela Nasufi, që mbërritën në vendin fqinj disa vite pas anijes me refugjatë.

Kryebashkiaku Vito Leccese deklaroi se nënshtetësia iu jepet “në përvjetorin e një prej ngjarjeve që shënuan historinë e qytetit tonë”.

“Astriti dhe Daniela u zhvendosën në Bari disa vjet pas mbërritjes së anijes Vlora dhe sot ata bëhen qytetarë të plotë italianë, duke përmbushur një ëndërr të ndërtuar mbi punë të palodhur dhe sakrificë, pa harruar origjinën e tyre shqiptare. Në Bari, askush nuk është i huaj, siç themi shpesh, dhe pikërisht atë 8 gusht 1991, banorët e Barit e demonstruan këtë me akte solidariteti dhe gjeste spontane mirëseardhjeje, duke demonstruar konkretisht vlerat thelbësore të identitetit tonë, pavarësisht qëndrimeve të qeverisë qendrore, e cila iu përgjigj ngjarjes me një operacion policor. Ne i shprehim mbështetjen tonë të përzemërt Danielës dhe Astritit, duke i mirëpritur zyrtarisht në komunitetin tonë sot, ndërsa ata festojnë 22-vjetorin e martesës së tyre.", shtoi kryebashkiaku.

Më pas u nënshkrua një letër qëllimi, që synon krijimin e një marrëveshjeje binjakëzimi nga kryetarët e bashkive Barit dhe Vlorës. Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha nuk ishte prezent, por foli nga distanca për të konfirmuar ndjenjat e miqësisë që lidhin popullin shqiptar me qytetin e Barit, ku vetë ai jetoi për tre vjet si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë.

"Ne ndajmë qëllimin e forcimit të bashkëpunimit institucional, kulturor dhe ekonomik me Barin dhe Puljan. Popujt tanë janë të lidhur nga një histori që nuk ka pushuar kurrë së foluri me të tashmen dhe është e frymëzuar nga dëshira për të ndërtuar së bashku një rol të përbashkët që promovon paqen, prosperitetin dhe integrimin.", tha Dredha.

Data për nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit midis qyteteve të Barit dhe Vlorës do të caktohet së shpejti.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • La Amerika: 08/08/2025 12:51

    Kësi horori nuk po shofim as te palestinezët e Gaze edhe se janë rafshua banimet -La Amerika

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?