Ndërhyrja e Marinës izraelite ndaj Flotilës që po i afrohej Gazës ka shkaktuar reagime të menjëhershme në mbarë botën, ku misioni i anijeve gëzon mbështetje. Ja cilat janë zhvillimet e fundit:
USB shpall grevë të përgjithshme – Sindikata USB ka shpallur grevë të përgjithshme në mbarë Italinë si shenjë proteste ndaj bllokimit të Flotilës. Greva është njoftuar për të premten, 3 tetor. “Është momenti të bllokojmë gjithçka”, deklaroi sindikata.
Edhe CGIL në grevë të përgjithshme – Edhe CGIL i bashkohet grevës së 3 tetorit. “Sulmi ndaj anijeve ku ndodhen qytetare dhe qytetarë italianë është një akt me rëndësi ekstreme. E rëndë që qeveria i ka braktisur”, deklaroi sekretari i përgjithshëm Maurizio Landini.
Salvini shqyrton masat e detyrimit – “E papërgjegjshme Flotila, e papërgjegjshme sindikatat e majta që nxisin protestat duke dëmtuar italianët”, reagoi zëvendëskryeministri Matteo Salvini pas shpalljes së grevës. Ministri i Transportit po shqyrton masa të detyrimit (precettazione), duke theksuar se “arsyet e sindikatave nuk përbëjnë bazë për mungesën e njoftimit paraprak”.
Romë, Pro Palestine bllokojnë trafikun – Aktivistët u mblodhën në Piazza dei Cinquecento, pranë Stacionit Termini. Rreth 5 mijë persona morën pjesë në një marshim drejt Piazza Barberini. U bllokuan sheshi dhe rrugët përreth, duke paralizuar qarkullimin. Disa stacione metroje u mbyllën me urdhër të forcave të rendit dhe hyrjet në Termini u kufizuan.
Gjenova, tubim në port – Për orën 22:00 është thirrur një tubim para hyrjes Albertazzi të portit të Gjenovës. Në qytet, studentët e shkollës “Italo Calvino” e pushtuan shkollën me thirrjen “Bllokojmë gjithçka”, pas një asambleje.
Napoli, pushtohet stacioni – Studentët e kolektiveve universitare dhe aktivistët Pro Palestine pushtuan binarët e stacionit qendror, duke bllokuar qarkullimin e trenave në hyrje dhe dalje. Pas rreth një ore, protestuesit u kthyen te fakulteti i Letërsisë, i cili ndodhet i pushtuar.
Torino, mbyllen hyrjet e Porta Nuova – Hyrja qendrore e stacionit Porta Nuova u mbyll për të shmangur bllokimet. Në orën 21:30 ishte parashikuar një manifestim për Flotilën edhe në Torino, para bashkisë. Kanë marrë pjesë edhe kolektivat studentore, ndërsa disa fakultete në Palazzo Nuovo u pushtuan.
Milano, Piazza della Scala bëhet “Piazza Gaza” – Në Milano është zhvilluar një “mobilizim urgjent” në Piazza della Scala, e quajtur nga protestuesit “Piazza Gaza”. Në Pirellone u projektua mbishkrimi “Free Gaza”. Rreth 1000 persona marshuan drejt Piazzale Cadorna, ndërsa stacionet metro të Cadorna-s dhe Qendrës u mbyllën.
Bolonja, ekranë gjigantë dhe protestë – Në Piazza Maggiore në Bolonjë u vendosën ekranë gjigantë ku transmetohej drejtpërdrejt ndërhyrja ndaj Flotilës. Nga aty u nis një marshim i madh në mbrëmje.
Pisa, pushtohen binarët – Aktivistët Pro Palestine hynë në stacionin e trenit në Pisa rreth orës 21:00, duke thirrur slogane kundër qeverisë.
Bari, pushtohet këshilli bashkiak – Këshilltarët e qendrës së majtë vendosën të pushtojnë sallën e këshillit bashkiak të Barit në shenjë solidariteti me Flotilën e ndaluar. Ata deklaruan se prania e tyre do të vazhdojë gjithë natën./ Corriere della Sera
Komente
