Procedimi ndaj vëllezërve Albert, Gent dhe Bashkim Topuzi, të cilëve Prokuroria e Elbasanit iu sekuestroi pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, është regjistruar që në vitin 2018. Burimet financiare për krijimin e pasurive, dyshohet të kenë ardhur nga trafikimi i lëndëve të forta narkotike kryesisht jashtë vendit dhe prostitucioni. Burime bëjnë me dije se ndaj Albert Topuzit, u regjistrua një kallëzim në Prokurorinë e Pogradecit disa vite më parë, nga familjarët e një vajze nga një fshat i këtij rrethi që jetonte në Itali.
Ata pretendonin se Albert Topuzi e kishte shfrytëzuar për prostitucion, ndërsa hetimet për këtë vepër penale dhe pastrim parash, u kryen nga prokurorja e shkarkuar nga vettingu, Elina Kombi. Kjo e fundit vendosi pushimin e hetimeve me argumentin se nuk kishte konstatuar elemente të veprës penale. Hetimi u rihap kryesisht në Elbasan nga prokurori Artur Ismailukaj në 2018, gjë e cila çoi edhe në sekuestrimin e pasurive mes të cilave 5 automjete, një lokal në rrugën "Visarion Xhuvani", 3 apartamente po në atë lagje në të njëjtin kat, vilë 4 katëshe, sipërfaqe toke etj.
Albert dhe Gent Topuzi kanë jetuar dhe punuar kryesisht në vendet e Bashkimit Europian. Alberti është dënuar për prostitucion në itali ndërsa në të njëjtën kohë nisi hetim edhe për drogë, por që për këtë të fundit hetimi pushoi për mosgjetje të veprës penale. 46-vjeçari aktualisht ndodhet në Antwerp të Belgjikës por vuan nga një sëmundje e rëndë. Një pjesë të aktivitetit kriminal e ka kryer sidomos në këtë qytet që njihet të edhe si një ndër "kryeqytetet e kokainës" në Europë.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e pasurive ishin të regjistruara në emër të vëllait të tij në Shqipëri, Bashkim Topuzit, i cili kishte themeluar një kompani me emrin "Basha Trans Shpk". Pikërisht përmes kësaj shoqërie, dyshohet se kryhej edhe pastrimi i parave të pista, ndërsa rezulton e regjistruar në shërbimet e gërrmimeve, rregullimeve në infrastrukturë dhe ndërtim. Në bazë të akuzave të ngritura ndaj tyre, nëse ato provohen, vëllezërit mund të rrezikojnë edhe dënimin me burg që varion nga 5-15 vite burg.
Kush është prokurorja e shkarkuar që i mbylli dosjen
Elina Kombi u shkarkua për problemet me pasurinë dhe paaftësia për të justifikuar me burime të ligjshme atë. KPK konstatoi pamundësi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 69 m2 në Pogradec. Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti është përfituar në vitin ’99 nëpërmjet privatizimit nga subjekti, bashkëshorti dhe prindërit e tij si familje e pastrehë në shumën 550 mijë lekë, vlerë për të cilën relatorja Suela Zhegu sqaroi se ka rezultuar balancë negative në shumën 151 mijë lekë.
Report Tv ka siguruar fotografinë e 46-vjecarit Albert Topuzit, të cilit iu sekuestrua 3.5 milionë pasuri, që dyshohet se u përfitua nga trafiku i drogës dhe shfrytëzimi i prostitucionit.
Kto qe kame bo lek me prostitucion tu merret psiri dhe jo vetem
Përgjigju