Pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri, situata me zjarret në qytetin e Laçit duket se është stabilizuar. Momentalisht ka mbetur vetëm një vatër aktive zjarri, në periferi të qytetit, e cila është drejt shuarjes.
Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjergj Prendi, deklaron se operacioni për shuarjen e flakëve që mbuluan kurorën e gjelbër të qytetit të Laçit, ditën e djeshme është drejt përfundimit.
“Momentalisht, situata me zjarrin është stabilizuar është vetëm një vatër e vogël aktive zjarri në periferi të Laçit, ku 60 forcat të ushtrisë po punojnë për shuarjen e flakëve. Sot nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja me helikopterë nga ajri dhe jemi në mbyllje të operacionit”, u shpreh Prendi.
Prendi tha se situata me të cilën u përballen dje forcat zjarrfikësve ishte mjaft e vështirë, por me ndihmën e strukturave shtetërore u bë e mundur shuarja e flakëve.
“Dje kemi kaluar një situatë goxha të vështirë, ishte një zjarr i rendë në pyllin me pisha dhe shkurre në kurorën e qytetit të Laçit, ku u rrezikuan shumë biznese, banesa dhe vetë objekti i kultit, Kisha e Shna Ndout por me masat e marra nga të gjitha strukturat shtetërore dhe shumë forcave e mjeteve zjarrfikëse u realizua me sukses operacioni për shuarjen e flakëve”, tha Prendi.
Lajmi kryesor:
Izolohet zjarri pranë kishës së Laçit, vetëm 1 vatër aktive! 93 ha tokë e djegur, helikopteri bëri 45 fluturime
M.T//ReportTv.al