Moment nga bombardimet e Izraelit në Gaza

Izraeli bombardon në Gaza, Liban dhe Siri, 16 të vrarë dhe 32 të plagosur në një shkollë! Vdesin dhe 4 ushtarë e një punonjës i OKB! Tel Avivi shtyn sulmin ndaj Iranit

24 Tetor, 16:18| Përditesimi: 24 Tetor, 18:53

  • Share

Izraeli vijon luftën e tij në të dy frontet, teksa ka shtyrë për më tej të tretin, betejën me Iranin, për shkak të rrjedhjes së planit operacional në media.

Gjashtëmbëdhjetë persona u vranë dhe 32 u plagosën në një sulm izraelit në një shkollë ditën e sotme (24 Tetor), në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza.

Sipas spitalit Al Awda, cituar nga “Sky News”, viktimat përfshijnë edhe fëmijë.

Shkolla Al-Shuhada po u jepte strehë palestinezëve të zhvendosur, shkruan “La Repubblica”.

Mediat raportuan se Izraeli sulmoi gjithashtu Damaskun dhe Homsin në Siri, teksa një ushtar u vra dhe u plagosën 7 persona të tjerë.

“Ushtria izraelite filloi një sulm nga Golani i pushtuar sirian dhe Libani verior duke synuar dy vende në distriktin Kafr Sousa të Damaskut dhe një vendndodhje ushtarake pranë Homsit”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve SANA, duke cituar një burim ushtarak.

Në këtë rajon IDF po lufton me grupin Hezbollah, që mbështetet nga Irani.

Edhe ushtria libaneze njoftoi sot se 3 ushtarë të saj janë vrarë nga zjarri izraelit i ditës së djeshme. Ushtria libaneze akuzoi Izraelin për vrasjen e tre ushtarëve.

Kurse një punonjës i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinez (UNRWA), vdiq pasi një raketë izraelite goditi një automjet të organizatës, dje (23 tetor) në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Vetë OKB konfirmoi lajmin tragjik.

Në krahun tjetër, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, kritikoi hapur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke i kërkuar publikisht "përfundimin e luftës sa më shpejt" dhe theksoi se ajo që po ndodhte nuk ishte qytetërim.

Konferenca e Parisit siguroi nga punimet e saj edhe 1 mld dollarë ndihma për Libanin, infrastrukturën, rindërtimin dhe ushtrinë.

Izraeli, njoftoi "The Times" në një artikull të fundit, ka shtyrë edhe planin e hakmarrjes ndaj Iranit, ku shkak u bë rrjedhja e informacioneve amerikane të Pentagonit në media, për strategjinë e sulmit.

Ora 18:37
Konferenca e Parisit: Një miliard dollarë për Libanin nga komuniteti ndërkombëtar

Konferenca e Parisit për Libanin

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se një konferencë ndërkombëtare në Paris në mbështetje të Libanit kishte mbledhur 800 milionë dollarë ndihmë humanitare dhe 200 milionë dollarë të tjera për ushtrinë e vendit.

Rreth 70 delegacione qeveritare dhe 15 organizata ndërkombëtare u takuan në Paris, me synimin për të mbledhur të paktën 500 milionë euro ndihmë humanitare dhe për të shtyrë për një armëpushim, por me Shtetet e Bashkuara, të fokusuar në përpjekjet e tyre, diplomatët thanë se prisnin pak përparim konkret.

Presidenti francez, Emanuel Macron, i bëri thirrje Tel Avivit dhe veçanërisht kryeministrit Benjamin Netanyahu, që të ndalonte menjëherë luftën në Liban dhe Gaza, duke e cilësuar si “barbari” dhe jo “qytetërim”.

Ora 16:34
Lufta në Gaza dhe Liban/ ‘The Times’: Izraeli shtyu sulmin ndaj Iranit, shkak rrjedhja e planit të sulmit në media, iu morën Pentagonit

Izraeli është detyruar të vonojë një sulm të mundshëm hakmarrës ndaj Iranit, pasi detajet e planifikimit dolën nga Pentagoni.

Këtë e raporton gazeta britanike “The Times”, duke cituar një burim inteligjence të njohur me vendimet izraelite. Një vendim i motivuar nga fakti se Izraeli është i shqetësuar se detajet e dhëna mund të ndihmojnë Iranin të parashikojë modele të caktuara sulmi, megjithëse asnjë objektiv i mundshëm nuk u emërua si autor i rrjedhjes.

Media britanike thekson se Izraeli ka zhvilluar një plan alternativ, por duhet të bëjë një simulim përpara se të vazhdojë.

“Rrjedhja e dokumenteve amerikane e vonoi sulmin për shkak të nevojës për të ndryshuar disa strategji dhe komponentë”, raportoi burimi anonim, duke theksuar se “do të ketë një hakmarrje, por u desh më shumë se sa pritej”.

Të shënuara tepër sekrete, dokumentet u shfaqën për herë të parë në internet të premten e kaluar në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe u përhapën shpejt në kanalet Telegram të njohura në mesin e iranianëve. FBI po heton rrjedhjen”, shkruan “La Repubblica”.

Republika Islamike është duke u përgatitur për një hakmarrje izraelite pas sulmit të saj të fundit të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, në të cilin gjuajti 200 raketa balistike, që detyruan shumicën e izraelitëve të strehoheshin në strehimoret e bombave më 1 Tetor.

Irani tha se sulmi me raketa erdhi si përgjigje ndaj sulmeve në Liban që vranë udhëheqësit kryesorë të grupit Hezbollah.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?