Spitali Al Ahli në qytetin e Gazës u bombardua në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke vrarë të paktën 7 persona e plagosur të tjerë. Një i ri u vra gjithashtu në një tendë në qytetin e Gazës.
'Al Jazeera' raporton se bilanci i ditës së sotme nga bombardimet izraelite është 29 palestinezë të vrarë.
Nga ana tjetër, në Izrael mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Tel Avivit që nga ora 06:30 e mëngjesit për të protestuar dhe marrë pjesë në grevën e përgjithshme mbarëkombëtare të thirrur nga Forumi i Familjeve të Pengjeve. Ata kërkojnë fundin e luftës në Gaza dhe një marrëveshje për kthimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi. Deri tani 38 persona janë arrestuar për "prishje të rendit", informon "La Repubblica".
Aktivistët bllokuan rrugët dhe në disa raste u përleshën me oficerët që po përpiqeshin t'i rihapnin ato. Jashtë Jerusalemit, policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit që ishin ulur përtokë brenda një tuneli përgjatë Rrugës 16, e cila të çon në kryeqytet. Në Tel Aviv, 11 demonstrues u arrestuan pasi “shkelën rendin publik dhe dëmtuan ndjeshëm lirinë e lëvizjes” në rrugë, thanë zyrtarët.
Demonstruesit mbyllën pjesë të Rrugës 1, autostradës kryesore Tel Aviv-Jerusalem, si dhe Bulevardin Begin në Jerusalem, Autostradën Ayalon në Tel Aviv, Rrugën 4 në kryqëzimin Ra'anana, rrugët 65, 75 dhe 89 në Izraelin verior dhe rrugët 443, 40 dhe 44 në Izraelin qendror.
Demonstruesit u mblodhën gjithashtu jashtë shtëpive të një numri ministrash të qeverisë, përfshirë shtëpinë e Ministrit të Çështjeve Strategjike Ron Dermer në Jerusalem, të Drejtësisë Yariv Levin në Modiin, Ekonomisë Nir Barkat në kryeqytet, Ministrit të Arsimit Yoav Kisch në Hod Hasharon dhe Zëvendësministres së Jashtme Sharren Haskel në Kfar Saba.
Protesta u thirr nga një grup familjarësh të pengjeve dhe të të vrarëve më 7 tetor, si dhe të mbijetuar të sulmit, të cilët kërkojnë fundin e luftës në Gaza dhe kthimin e 50 pengjeve që mbahen atje. Ata e nisën protestën pasi kabineti votoi për planet për të pushtuar Gazën.
Nga protesta në Izrael
Në Izrael, 38 persona u arrestuan në protestat e organizuara në të gjithë vendin sot (17 gusht), duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, tha policia.
Vetëm në Tel Aviv u kryen 19 arrestime, informon "La Repubblica".
Policia njoftoi "masa të rrepta kundër atyre që shkelin ligjin dhe kërcënojnë rendin publik".
Shefi i Shtabit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Eyal Zamir, njoftoi se ushtria "së shpejti do të nisë fazën tjetër" të operacionit kundër Hamasit në Qytetin e Gazës "deri në disfatën e tij".
Gjatë një vizite në Rripin e Gazës këtë mëngjes, Zamir deklaroi gjithashtu se ushtria është "moralisht e detyruar të sjellë në shtëpi të gjithë pengjet, të vdekur dhe të gjallë".
Komentet e tij vijnë pasi kabineti i sigurisë votoi për planin për pushtimin e Qytetit të Gazës në fillim të këtij muaji.
"Sot miratojmë planin për fazën tjetër të luftës". "Ne do ta ruajmë vrullin e Operacionit "Qerrat e Gideonit" duke u përqendruar në Qytetin e Gazës", tha ai, duke iu referuar ofensivës ushtarake kundër Hamasit të nisur në maj.
Hamasi e cilëson planin e Izraelit për të zhvendosur banorët e qytetit të Gazës si një "valë të re gjenocidi dhe zhvendosjeje".
“Planet për të pushtuar Gazën dhe për të zhvendosur popullsinë e saj janë një krim i madh lufte që pasqyron shpërfilljen e pushtimit për ligjet ndërkombëtare dhe humanitare”, thuhet në deklaratë.
Grupi thotë se vendosja e planifikuar e tendave dhe strehimoreve të tjera nga Izraeli në Rripin jugor të Gazës ishte një "mashtrim i hapur" për të mbuluar planin e tij të zhvendosjes.
Sipas Hamasit, mbështetja politike dhe ushtarake nga SHBA-ja i “i jep dritën jeshile pushtimit që të vazhdojë krimet e gjenocidit dhe spastrimit etnik”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka dënuar protestuesit që kanë dalë në të gjithë vendin, duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza. Sipas tij, protestuesit po forcojnë pozicionin e Hamasit në negociatat për lirimin e robërve.
“Ata që sot bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës pa mposhtur Hamasin jo vetëm që e ngurtësojnë qëndrimin e Hamasit dhe e shtyjnë përpara lirimin e pengjeve tona, por gjithashtu sigurojnë që tmerret e 7 tetorit të përsëriten”, tha Netanyahu.
Komente
