Bota

Valë raketash iraniane mbi Izrael, 3 të vrarë e 14 të plagosur! Avionët e IDF bombardojnë Teheranin! Sulm izraelit edhe në Jemen, shënjestër udhëheqës i rebelëve Houthi (VIDEO+FOTO)

14 Qershor, 07:00| Përditesimi: 15 Qershor, 00:15

  • Share

Përshkallëzohet situata mes Izraelit dhe Iranit. Ky i fundit nis sulm të ri për tu hakmarrë ndaj Tel Avivit, duke lëshuar të paktën 100 raketa. Objektivi kryesor ishin Jerusalemi dhe Haifa. 3 persona mbetën të vrarë pasi raketat bombarduan një shtëpi dykatëshe në Galilenë e Poshtme, ndërsa 14 persona mbetën të lënduar.

Ministria e Naftës e Teheranit thotë se Depoja e Naftës Shahran dhe një rezervuar karburanti në Teheran janë goditur, por pamjet në rrjetet sociale treguan momentin e shpërthimit në flakë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thirri me urgjencë Këshillin e Sigurisë, për mbledhje në bunkerin nëntokësor.

Autoritetetet izraelite dhanë alarmin tek qytetarët dhe IDF sugjeroi që të kalonin të gjithë në strehimoret e sigurta. Gjithashtu ka njoftuar se pjesa më e madhe e raketave u interceptuan nga mbrojtja dhe u eliminuan në ajër, pa goditur shënjestrat. 

Tel Avivi nuk mbeti pas, duke njoftuar se po vijon një valë sulmesh ajrore me avionë ndaj Teheranit, kryesisht bazat nukleare, të rekatave dhe ato të pasurimit të uraniumit. Gjithashtu nisi një sulm edhe ndaj Jemenit me bombardime, ku shënjestër ishte Shefi i Shtabit të forcave Houthi, Mohammed Abdul Karim al-Ghamari. Ende nuk është e qartë nëse ai u godit dhe kush ishte me të në kohën e sulmit.

Më herët, Izraeli bombardoi edhe një bazë nëntokësore raketash të rëndësishme të Ajatollahut, ndërsa sulmoi me dronë edhe impiantin e nxjerrjes së gazit South Pars, në provincën jugore të Bushehrit në Iran. South Pars është fusha më e madhe e gazit në botë, e cila ndodhet në Gjirin Persik, mes Iranit dhe Katarit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli do të sulmojë "çdo vendndodhje dhe çdo objektiv" të Iranit, ndërsa Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka kërcënuar me një përgjigje "më të ashpër" nëse Izraeli vazhdon sulmet e tij.

Sulmet vijnë ndërsa Uashingtoni dhe Teherani pritej të rifillonin bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit të dielën por tani, bisedimet janë anuluar, sipas ndërmjetësit Oman.

Gjatë natës Izraeli sulmoi edhe rezidencën e udhëheqësit suprem të Iranit, Khameneit. 2 komandantë të rangut të lartë ushtarakë u vranë nga bombardimet e reja, duke goditur edhe më tej zinxhirin e komandës së lartë ushtarake, me mbi 20 komandantë të vrarë.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit njoftoi se në fillim të Operacionit janë eliminuar 9 shkencëtarë dhe disa ekspertë të nivelit të lartë që kishin avancuar programin e armëve bërthamore të regjimit iranian.

Ndiqni në zhvillime përditësimet e konfliktit Izrael-Iran

Ora 00:02
VIDEO/ Momenti kur depoja e naftës në Shahran shpërthen në flakë pas sulmeve izraelite

Një sulm izraelit shënjestroi depon e naftës Shahran të Iranit dhe një rezervuar karburanti, por situata është "nën kontroll", raportoi media shtetërore iraniane IRNA, duke cituar ministrinë e naftës së vendit. Depoja e naftës Shahran ndodhet në veriperëndim të Teheranit, ndërsa rezervuari ndodhet në jug të Teheranit. 

“Sipas raporteve fillestare, nivelet e karburantit në të dy rezervuarët nuk ishin të larta dhe situata është plotësisht nën kontroll”, raportoi IRNA.

Një video e publikuar në platformën X tregon depot e naftës në zonën Shahran të Teheranit duke u përfshirë nga flakët, pas sulmeve të fundit ajrore nga Izraeli.

Izraeli ka ndërmarrë disa sulme të njëpasnjëshme ndaj sektorit energjetik të Iranit gjatë orëve të fundit, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm të ofensivës.

Ora 23:56
Izrael: 3 të vrarë nga raketa iraniane në Tamra, dyshohet për persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja

Drejtori i Përgjithshëm i MDA, Eli Bin, konfirmoi se tre persona humbën jetën pas goditjes së një rakete të lëshuar nga Irani në qytetin Tamra, në veri të Izraelit. Shërbimet e Zjarrfikëses dhe Shpëtimit raportojnë shqetësime se mund të ketë edhe persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja.

Ora 23:53
Sulmi në Teheran, më i madhi në kryeqytetin iranian që nga fillimi i luftës

Sulmi i fundit i Izraelit në Teheran është më i madhi në kryeqytetin iranian që prej nisjes së konfliktit. Avionët luftarakë goditën dhjetëra objektiva brenda më pak se një ore, përfshirë një terminal qendror karburanti, figura të larta iraniane të shënjestruara dhe depo armësh.

Ora 23:28
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Katz: Tehrani po digjet!

1749937267_images1.jfif

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shkroi në Twitter se "Teherani po digjet."

Ai la të kuptohet për sulmet e fundit që goditën kryeqytetin iranian.

Ora 23:25
Dëgjohen sirena alarmi në Aman, Jordania mbyll hapësirën ajrore

1749936363_1074007871713051720571slackimgs.jpg

Në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, u dëgjuan sirena alarmi, duke shkaktuar shqetësim në mesin e banorëve. Pas këtij incidenti, autoritetet jordane njoftuan mbylljen e menjëhershme të hapësirës së tyre ajrore. Ky veprim vjen si masë sigurie për shkak të tensioneve në rajon. Raportohet se situata është ende në zhvillim dhe autoritetet po monitorojnë ngjarjet nga afër.

Ora 23:21
Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbledhur në një takim me kabinetin e tij të sigurisë.

Kjo vjen ndërsa Izraeli po përballet me sulme të reja me raketa nga Irani.

Ora 23:21
Sulm izraelit në Teheran, goditet depoja e naftës në Shahran, shpërthen zjarr i madh

1749936193_wafaggagatgatg.JPG

Ministria iraniane e Naftës konfirmoi se një depo nafte në zonën Shahran të Teheranit është goditur nga sulmet ajrore izraelite. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh në vendngjarje, ndërsa u raportua gjithashtu për një tjetër objektiv – një rezervuar karburanti në jug të kryeqytetit.

BBC konfirmon se depoja e Shahranit është goditur nga Izraeli, ndërsa autoritetet iraniane pohojnë se nivelet e karburantit në këto depo nuk ishin të larta dhe situata është nën kontroll. Më herët, zjarrfikësit në Teheran kishin paralajmëruar për rrezikshmërinë e kësaj depoje, pasi ndodhet shumë pranë zonave të banuara.

Ora 23:03
Media: Sulm izraelit në Jemen për të vrarë një udhëheqës të Houthi-ve

Sipas burimeve të mbrojtjes izraelite, të cituara nga Times of Israel, është kryer një sulm ajror edhe ndaj Jemenit, në përpjekje për të eliminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë një udhëheqës të lartë të grupit Houthi.

Shënjestra e atentatit në sulmin në Jemen është Shefi i Shtabit të forcave Houthi, Mohammed Abdul Karim al-Ghamari. Ende nuk është e qartë nëse ai u godit dhe kush ishte me të në kohën e sulmit.

Ora 23:01
Sulm me raketa në Izrael/ Goditet një shtëpi, një grua humb jetën! 14 të plagosur

1749935300_wfawgahshsh.JPG

Një grua ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të drejtpërdrejtë raketore në qytetin Tamra, në Galilenë e Poshtme, pas breshërisë të raketave të lëshuara nga Irani në drejtim të veriut të Izraelit.

Autoritetet izraelite njoftojnë se një raketë ka goditur një banesë dykatëshe në qytet, duke shkaktuar gjithashtu plagosjen e 14 personave të tjerë. Gruaja u shpall e vdekur në vendngjarje nga shërbimet e emergjencës.

Sulmi është pjesë e një vale të re përshkallëzimi mes Iranit dhe Izraelit, duke ngritur ndjeshëm nivelin e alarmit në të gjithë rajonin.

Ora 22:57
Momenti kur 'shiu' i raketave të Iranit sulmon Izraelin dhe bien mbi Haifa! Shënjestër edhe Jerusalemi (VIDEO)

Irani njoftoi sot se ka lëshuar të paktën 100 raketa si sulm hakmarrës dhe kundërpërgjigje ndaj Izraelit mbrëmjen e sotme (14 qershor).

Objektivi kryesor kanë qenë Jerusalemi dhe Haifa. Mediat publikuan edhe pamje. Reuters shfaqi çastet kur raketat iraniane binin mbi Haifa, teksa mbrojtja ajrore izraelite u kundërpërgjigjej.

Nuk ka ende informacione mbi dëmet apo të lënduar në qytetarë. IDF mohoi që ndonjë prej raketave të kishin goditur qendra të banuara apo baza strategjike. Nga ana tjetër ka deklaruar se po vijon sulmin ajror me avionë ndaj bazave iraniane dhe Teheranit, kryesisht sitet nukleare dhe ato ushtarake të bazave të raketave.

Ora 22:57
Irani godet Izraelin, autoritetet: Janë goditur qendra banimi! Ushtria izraelite u bën thirrje qytetarëve të dalin nga strehimoret, por të qëndrojë afër tyre

1749934847_fgagagaqtqtt.JPG

Pas një vale të re raketash të lëshuara nga Irani drejt Izraelit, autoritetet izraelite kanë konfirmuar se disa ndërtesa banimi janë goditur në zonat bregdetare dhe veriore të vendit. Sipas shërbimit zjarrfikës dhe të emergjencës, shpërthimet kanë shkaktuar edhe zjarre në disa prej godinave.

Zëdhënësi i zjarrfikësve izraelitë, Tal Volbovitz, deklaroi se "janë raportuar disa incidente në qendrat e komandës në lidhje me goditje mbi ndërtesa banimi në zona të ndryshme."

Ai shtoi se ekipet e emergjencës po punojnë në terren për të neutralizuar pasojat.

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë dhënë një njoftim të ri për qytetarët, duke deklaruar se popullata mund të largohet nga strehimoret, çka sugjeron se rreziku kryesor është zbutur për momentin.

Ora 22:50
Nisin sulmet Izrael-Iran: Lëshohen 100 raketa drejt Jerusalemit, ushtria izraelite bombardon objektiva ushtarakë në Teheran

1749933738_luftaneizrael.jpg

Tensioni mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi ushtarak. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se një breshëri raketash balistike është lëshuar nga Irani në drejtim të territorit izraelit. Sirenat e alarmit pritet të bien në disa qytete ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të neutralizuar kërcënimet. Autoritetet izraelite u kanë kërkuar civilëve të qëndrojnë në strehimore deri në një njoftim të dytë.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka nisur sulme ajrore të drejtpërdrejta ndaj objektivave ushtarake në Teheran. Sipas raportimeve të IDF, Forcat Ajrore izraelite janë duke goditur një sërë pozicionesh strategjike iraniane në kryeqytet.

Ndërkohë, ushtria shtetërore iraniane, e cituar nga BBC, ka bërë me dije se janë lëshuar mbi 100 raketa drejt Izraelit në kuadër të valës së dytë të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”.

Sipas burimeve të sigurisë izraelite, të cituara nga Times of Israel, një tjetër sulm është ndërmarrë edhe kundër një pozicioni në Jemen, në përpjekje për të eliminuar një nga udhëheqësit e lartë të rebelëve Huthi.

Lajmi është raportuar nga La Repubblica, duke konfirmuar përshkallëzimin dramatik të konfrontimit ushtarak në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.

Ora 22:08
Bombardimet e Izraelit vranë edhe Ali Shamkhanin, këshilltarin e lartë të Khameneit! Raketa iraniane plagosi 3 diplomatë të huaj në Tel Aviv

Lideri iranian Khamenei dhe këshilltari i vrarë, Ali Shamkhani 

Mediat iraniane konfirmojnë se Ali Shamkhani, këshilltari liderit Khameneit, i cili u shtrua në spital pas sulmit, vdiq gjithashtu në sulmin e djeshëm të synuar të nisur nga Izraeli, ndaj objektivave iraniane.

Deri tani raportohen edhe 6 ushtarakë të lartë të vrarë gjatë sulmeve dhe 9 shkencëtarë që punonin pranë objekteve të pasurimit të uraniumit në centralet nukleare iraniane.

Madje edhe 3 diplomatë të huaj raportohet se u plagosën lehtë kur një raketë iraniane goditi një kullë në Tel Aviv, raportoi Ynet, duke vënë në dukje se kulla në fjalë strehon shumë diplomatë, kryesisht nga vendet perëndimore dhe rreth pesë nga apartamentet e tyre u shkatërruan.

Ora 21:57
Irani: Dy ushtarakë të tjerë të lartë dhe 3 shkencëtarë të vrarë në sulmet e IDF-së izraelite

Pamje nga bombardimet në Iran

Forcat e Armatosura Iraniane njoftuan vrasjen e dy oficerëve të tjerë të lartë në sulmet ajrore izraelite, duke e çuar në të paktën gjashtë numrin e komandantëve të lartë të vrarë që nga fillimi i përshkallëzimit.

Midis viktimave janë gjenerali Gholamreza Mehrabi, zëvendësdrejtor i inteligjencës për Forcat e Armatosura, dhe gjenerali Mehdi Rabbani, zëvendëskomandant i operacioneve, raportoi ‘Neë York Times’.

Në deklaratë, zyrtarët ushtarakë nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e vrasjeve, por gjithashtu konfirmuan eliminimin e tre shkencëtarëve bërthamorë, disa prej të cilëve u qëlluan në shtëpitë e tyre, së bashku me gratë dhe fëmijët, në atë që ata e quajtën një seri "vrasjesh të synuara".

Ora 21:30
Trump: Unë dhe Putin mendojmë se lufta midis Izraelit dhe Iranit duhet të përfundojë! I thashë se edhe lufta e tij duhet të marrë fund

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, pohoi telefonatën që pati me kreun e Kremlinit dhe tregoi detaje të bisedës mes dy liderëve.

“Vladimir Putin mendon, ashtu si unë, se kjo luftë midis Izraelit dhe Iranit duhet të përfundojë, dhe unë e kam shpjeguar se edhe lufta e tij duhet të përfundojë".

Kjo është ajo që tha Trump në rrjetin e tij social Truth, duke raportuar se biseda telefonike zgjati rreth një orë.

Edhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi një telefonatë midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

"Presidenti Putin më telefonoi këtë mëngjes për të më uruar me mirësi ditëlindjen, por më e rëndësishmja për të folur për Iranin, një vend që ai e njeh shumë mirë. Ne folëm gjatë për këtë Ai beson, ashtu si unë, se kjo luftë midis Izraelit dhe Iranit duhet të marrë fund. I shpjegova atij se edhe lufta e tij duhet të marrë fund", ka thënë kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Ora 20:57
Macron telefonatë me Trump dhe presidentin e Iranit, Pezeshkian: Nuk ulemi në tryezën e negociatave nëse Izraeli vijon sulmet!  

Macron dhe Pezeshkian

Irani shprehet se nuk do të kthehet në tryezën e negociatave nëse Izraeli vazhdon sulmet.

Mes përshkallëzimit ushtarak me Izraelin, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian përjashtoi mundësinë e bisedimeve të reja me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor nëse sulmet izraelite vazhdojnë.

Presidenca iraniane raportoi lajmin, duke cituar Pezeshkian gjatë një bisede telefonike me Emmanuel Macron.

"Irani nuk do të pranojë kërkesa të paarsyeshme nën presion dhe nuk do të ulet në tryezën e negociatave ndërsa regjimi sionist vazhdon sulmet e tij", tha udhëheqësi iranian.

Nga ana tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi sot biseda telefonike - përveç Presidentit iranian Massoud Pezeshkian - me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe Presidentin libanez Joseph Aoun, si dhe Mbretin Abdullah II të Jordanisë.

Kjo u raportua nga burime në Elize, duke specifikuar se gjatë bisedave "u diskutua situata në Lindjen e Mesme".

Ora 20:51
Ushtria izraelite publikon hartën e objekteve të shkatërruara dhe të shkencëtarëve të vrarë: Kemi çmontuar disa nga asetet ushtarake të Iranit (VIDEO)

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanw publikuar në rrjetet sociale, detaje nga operacioni të zhvilluar të premten, më 13 qershor, në territorin iranian. Në pamjet e publikuara, shfaqen pikat ku, sipas IDF, regjimi i Teheranit “do të kishte zhvilluar programe armësh bërthamore”.

Videoja tregon edhe emrat dhe fytyrat e shkencëtarëve që, sipas Izraelit, kishin rol aktiv në këto plane sekrete.

“Eliminimi i tyre është një goditje e rëndësishme për aftësinë e regjimit për të siguruar armë të shkatërrimit në masë."- shkruan IDF në mesazhin shoqërues.

“Nga objektet bërthamore te sistemet e mbrojtjes ajrore, kemi çmontuar disa nga asetet më të rrezikshme ushtarake të Iranit. Ja një përmbledhje e objektivave kyçe të goditura në të gjithë Iranin,” - thuhet në njoftimin e shpërndarë nga ushtria izraelite.

Në një zhvillim paralel, autoritetet izraelite kanë bërë me dije se janë eliminuar 9 shkencëtarë dhe ekspertë të nivelit të lartë, të cilët kishin rol kritik në avancimin e programit të armëve bërthamore të Teheranit.

“Të gjithë shkencëtarët dhe ekspertët e eliminuar, bazuar në të dhëna të inteligjencës, ishin faktorë kyç në zhvillimin e armëve bërthamore iraniane. Eleminimi i tyre përbën një goditje të rëndësishme për aftësinë e regjimit për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.”-thuhet në postim.

Nga ana tjetër IDF ka shpërndarë një postim ku sipas tyre tregohet diferenca midis sulmeve nga ana e ushtrisë së Izraelit dhe Iranit. Sipas Izraelit targeti i sulmit të forcave të tyre janë bazat bërthamore kurse Irani ka target shkollat dhe civilët.

Ora 20:44
Rriten përsëri tensionet/ Irani: Sulme shkatërruese brenda pak orësh! Izraeli: Bombardime ajrore të rëndësishme në proces

Nga bombardimet e Izraelit në Iran

Ndërsa fuqitë e mëdha po lëvizin nëpër telefona me biseda të gjata dhe intensive për të arritur paqen, Izraeli dhe Irani vazhdojnë të njoftojnë sulme dhe kundërsulme në proces, goditje shënjestrash dhe dëmet e shkaktuara nga bombardimet që nuk ndalen.

Teherani njoftoi sulme “shkatërruese” brenda pak orësh ndaj izralit. Televizioni shtetëror iranian kërcënoi me "sulme të rënda dhe shkatërruese kundër Izraelit do bëheshin brenda pak orësh". Ndërkohë, media iraniane raportoi se "raketa kruiz izraelite u lëshuan nga Iraku kundër qyteteve në Iran".

Edhe Izraeli njoftoi ‘ulme të rëndësishme ajrore në proces', nga Forcat Ajrore izraelite, që janë duke u zhvilluar në disa zona të Iranit. Kjo u deklarua në një konferencë për shtyp nga zëdhënësja e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, e cila foli për "një seri sulmesh që nuk kanë ndaluar për 40 orë dhe që kanë goditur më shumë se 150 objektiva".

"Qindra avionë dhe aeroplanë izraelitë aktualisht ruajnë epërsi ajrore mbi Iranin perëndimor dhe Teheranin", shtoi Defrin, "aeroplanët po përfundojnë një valë sulmesh kundër objektivave strategjikë të industrisë ushtarake, objektivave të programit bërthamor dhe zyrtarëve të lartë të udhëheqjes terroriste iraniane".

Televizioni shtetëror iranian raportoi se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në zonën e portit Bandar Abbas në jug të vendit. Porti, i vendosur në bregun verior të Ngushticës së Hormuzit në hyrje të Gjirit Persik, është qendra më e madhe detare tregtare e vendit.

Agjencia iraniane e lajmeve Sabrin raportoi gjithashtu se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan pranë objekteve bërthamore në Isfahan.

Ora 20:32
Lufta Izrael-Iran/ Kryeministri britanik Starmer: Po zhvendosim mjete dhe avionët tanë në Lindjen e Mesme

1747805867_keirstarmer.webp

Kryeministri britanik, Keir Starmer

Britania po vendos mjete në Lindjen e Mesme, përfshirë avionë luftarakë, pas tensioneve midis Iranit dhe Izraelit.

Kështu u shpreh kryeministri Keir Starmer, ndërsa fluturonte për në Kanada për bisedimet e G7, raporton BBC.

"Ne po zhvendosim mjete në rajon, përfshirë avionë luftarakë, dhe kjo është për mbështetje emergjente", u tha Starmer gazetarëve që udhëtonin me të në aeroplanin e tij.

Mbretëria e Bashkuar tashmë ka avionë luftarakë RAF në rajon si pjesë e Operacionit Shader. Duke folur me gazetarët, Keir Starmer theksoi gjithashtu se situata po evoluonte me shpejtësi dhe se po zhvilloheshin diskutime intensive me aleatët në të gjitha nivelet.

"Mesazhi i vazhdueshëm", tha ai, "është të ulet tensioni".

Ora 19:57
Agjencia e Energjisë Atomike: Dëmtime në 4 ndërtesa kritike të uranuimit në Ishafan, s’ka rritje rrezatimi jashtë vendit

Siti nuklear në Isfahan të Iranit, i bombarduar nga Izraeli

Bombardimet e izraelit në Iran kanë lënë shkatërrime dhe viktima të shumta.

Por teksa IDF lajmëronte se kishte pasur shënjestër centralet e pasurimit të uraniumit iranian për prodhime të bombave bërthamore, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka dhënë disa nga detajet rreth dëmeve.

Ajo njoftuar se katër ndërtesa "kritike" në centralin bërthamor të Isfahanit u goditën nga një sulm izraelit, duke përfshirë një uzinë konvertimi të uraniumit dhe një uzinë prodhimi të pllakave të karburantit, raportoi “La Repubblica’, duke shtuar se për uzinën e Natanzit, agjencia përditësoi se "nuk pritet rritje e rrezatimit jashtë vendit".

Ora 19:48
Putini i telefonon Trump: Përshkallëzimi i rrezikshëm, jam gati për të ndërmjetësuar midis Iranit dhe Izraelit! Presidenti amerikan: Më uroi edhe për ditëlindjen

Donald Trump dhe Vladimir Putin në telefon

Ndërsa kriza luftarake në Lindjen e mesme mes Izraelit dhe Iranit ndodhet në kulmin e saj, nuk kanë reshtur negociatat dhe kontaktet mes liderëve botërorë që kërkojnë paqen.

Më e fundit, pas reagimeve të Turqisë dhe Kinës, është reagimi i Kremlinit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, raportohet se ka telefonuar homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Gjatë telefonatës, Putin e informoi Trumpin mbi përmbajtjen e bisedimeve të tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin iranian Masud Pezeshkian.

Putin mes të tjerash është shprehur se “ishte gati të ndërmjetësonte midis Iranit dhe Izraelit, pasi përshkallëzimi i konfliktit është i rrezikshëm”.

Mediat raportojnë se nga ana e tij Trump ka pohuar telefonatën me homologun rus dhe se Putin e kishte uruar gjithashtu për ditëlindjen e tij (presidenti amerikan ka lindur më 14 qershor).

Ora 19:02
Irani kërcënon Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën: Do të sulmojmë bazat tuaja nëse na pengoni!

1749893361_iran.jpg

Irani nuk ka paralajmëruar vetëm Izraelin dhe SHBA-të, por edhe vendet që i mbështesin ato. Paralajmërim u lëshua sot edhe për Britaninë dhe Francën.

Teherani kërcënoi se do të sulmojë bazat e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme "nëse ato ndihmojnë në pengimin e sulmeve të saj ndaj Izraelit".

Lajmin e raportuan mediat iraniane, të cilave iu referua edhe “Reuters”.

Ora 18:38
Reagon dhe Kina, kritika të forta Tel Avivit: Mbështesim sovranitetin e Iranit, sulm brutal nga Izraeli! Kundër përdorimit të forcës, kthehuni te diplomacia

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, në një telefonatë me homologun iranian Seyed Abbas Araghchi, tha se "sulmi ndaj objekteve bërthamore të Teheranit" kishte vendosur "një precedent të rrezikshëm dhe mund të kishte pasoja katastrofike".

"Kina dënon me forcë shkeljen e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Iranit nga Izraeli, kundërshton me vendosmëri sulmet brutale ndaj zyrtarëve iranianë dhe viktimave civile, dhe mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit të tij kombëtar, në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij legjitime dhe në sigurimin e jetës së njerëzve", thuhet në deklaratën e lëshuar.

Kina "gjithmonë ka pohuar se çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe konsultimeve dhe kundërshton përdorimin e forcës dhe sanksioneve".

Ministri i Jashtëm pati një telefonatë edhe me homologun izraelit Gideon Sa'ar, tha se Pekini "kundërshton shkeljen e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli dhe përdorimin e forcës për të sulmuar Iranin".

“Prandaj, është e domosdoshme të merren masa të menjëhershme për të shmangur përshkallëzimin, për të parandaluar zhytjen e rajonit në trazira më të thella dhe për t'u rikthyer në përdorimin e mjeteve diplomatike për të zgjidhur çështjet", është shprehur ai.

Ora 18:09
Reagon presidenti iranian, Pezeshkian: Nëse Izraeli këmbëngul, përgjigja do të jetë më e ashpër dhe më e fuqishme!

1749815907_masoudpezeshkian.jpg

Masoud Pezeshkian, presidenti i Iranit

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se nëse Izraeli vazhdon të sulmojë vendin e tij, përgjigja ushtarake do të jetë "më e ashpër dhe më e fuqishme".

Njoftimi u bë sot nga presidenca iraniane, sipas së cilës, Pezeshkian e bëri deklaratën e tij gjatë një bisede telefonike që pati me kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif.

Irani ka paralajmëruar lëshimin e 2 mijë raketave drejt Izraelit si kundërpërgjigje gjatë ditës së sotme, por ende nuk ka të dhëna konkrete. Izraeli nga ana tjetër ka nisur të sistemojë qytetarët në strehimoret e nëndheshme, përfshi edhe pacientët e spitaleve, nga frika e një sulmi me shkallë të gjerë prej Teheranit.

Ora 18:02
Mediat: Shpërthim i fuqishëm pas sulmit të South Pars në Iran! Fusha më e madhe e gazit në botë përfshihet nga flakët (VIDEO)

Mediat iraniane raportuan për një shpërthim të fuqishëm dhe një zjarr pas bombardimit me dronë nga Izraeli ndaj impiantit të nxjerrjes së gazit South Pars, në provincën jugore të Bushehrit. Këtë e bën me dije Times of Israel. South Pars është fusha më e madhe e gazit në botë.

South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë dhe ndodhet në Gjirin Persik, mes Iranit dhe Katarit. Ajo përbën një nga burimet më të mëdha të gazit natyror të pazhvilluar dhe është shumë e rëndësishme për ekonominë e Iranit, pasi siguron një pjesë të madhe të prodhimit të gazit të vendit. Fusha ndodhet kryesisht në ujërat territoriale të Iranit, por shtrihet edhe në pjesë të ujërave të Katarit, ku njihet si fusha North Dome. Eksploatimi i South Pars-it është një proces kompleks që përfshin shumë impiante dhe instalime të specializuara për nxjerrjen dhe përpunimin e gazit natyror dhe naftës së shoqëruar. Për shkak të rëndësisë strategjike dhe vlerës ekonomike, South Pars është shpesh objekt i interesave dhe tensioneve rajonale.

 

Ora 17:10
Netanyahu mesazh të ri: 'Do godasim çdo objektiv të Ajatollahut'! Këshilli i Sigurisë izraelite do mblidhet në bunker, SHBA: Irani mund të kthehet në tryezën e negociatave!

Pasojat e shpërthimeve në Iran

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një mesazh video se do vijojë të godasë çdo objektiv të Ajatollahut në Iran.

"Më të ardhmen e afërt do të shihni aeroplanë të Forcave Ajrore Izraelite duke fluturuar mbi Teheran. Ne do të godasim çdo vend dhe çdo objektiv të regjimit të ajatollahëve. Qëllimi ynë është t'i kundërvihemi kërcënimit të dyfishtë iranian: si bërthamor ashtu edhe balistik. Ne ishim në minutën e 90-të dhe kishte një garë nga ekipet bërthamore iraniane për të krijuar bomba bërthamore, bomba atomike, për të shkatërruar Izraelin", u shpreh ai në mesazhin e tij, duke këmbëngulur se Teherani po përgatiste bombën bërthamore.

Po ashtu mësohet se Kabineti i Sigurisë së qeverisë izraelite do të mblidhet në një bunker nëntokësor sonte në orën 22:00 sipas kohës izraelite, mes sulmeve të vazhdueshme ndaj Iranit, raporton “The Times of Israel”.

Për zhvillimet e fundit dhe negociatat ka folur edhe kreu i mbrojtjes së SHBA-ve.

Irani mund të kthehet në tryezën e negociatave me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor dhe të zgjedhë paqen, tha për Fox News, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth .

"Presidenti Trump vazhdon t'i thotë Iranit se mund të zgjedhë paqen, se mund të kthehet në tryezën e bisedimeve", theksoi Hegseth, "tani iranianët po vendosin dhe shpresoj që të marrin vendimin e duhur".

Ora 17:06
Lufta Izrael-Iran 'lë pa martuar' djalin e Netanyahu-t

1749913780_ScreenShot20190423at6.webp

Dasma e Avner Netanyahu, e cila ishte planifikuar për të hënën, është anuluar për shkak të konfliktit në vazhdim me Iranin.

Dasma e djalit të kryeministrit shkaktoi polemika, duke nxitur zemërimin e disa protestuesve antiqeveritarë, të cilët dënuan familjen Netanyahu për organizimin e një feste ndërkohë që pengjet izraelite janë ende të mbajtura në Gaza nën vëzhgimin e kryeministrit, raportojnë mediat. 

Ora 16:14
Teherani po shqyrton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit (pika më e rëndësishme në botë për transportin e naftës)

1749910545_strettodiHormuz.jpg

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është duke u shqyrtuar seriozisht nga autoritetet iraniane. Kështu raportojnë mediat iraniane, duke cituar deklaratat e Esmail Kosarit, anëtar i komisionit parlamentar për sigurinë në Teheran.

Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet midis Omanit dhe Iranit, është pika më e rëndësishme në botë për transportin e naftës.

Ora 16:09
Izraeli: Në mbrëmje pritet rifillimi i bombardimeve nga Irani

1749910348_1f66962a15a94a518f42d132bb75.jpg

Ushtria izraelite vlerëson se bombardimet nga Irani do të rifillojnë në orët e mbrëmjes. Sipas IDF-së, një pjesë e qetësisë së orëve të fundit lidhet me një festë që po kremtohet sot në Iran.

IDF gjithashtu bëri të ditur se i gjithë Komandimi i Frontit të Brendshëm është mobilizuar: mbi 50 batalione ndihme janë vendosur në të gjithë vendin.

Ushtria theksoi rëndësinë e masave mbrojtëse, duke kujtuar se gjatë sulmit në Tel Aviv, tre apartamente u shkatërruan plotësisht.

Po ashtu, paralajmërohet se edhe nesër mund të zgjatet urdhri për të mos shkuar në vende pune jo thelbësore dhe për të mos zhvilluar mësim në të gjithë vendin.

Ora 15:08
Lufta Izrael-Iran/ Fluturimet në kaos, asnjë avion në Lindjen e Mesme, qielli bosh në Iran, Irak, Jordani dhe Liban

Që prej së premtes kur nisi sulmi izraelit ndaj Iranit, mijëra udhëtarë në mbarë botën po përballen me anulime të shumta të fluturimeve.

Uebsajti i monitorimit te fluturimeve “Flightradar” tregon 9 sekondat se si u pastrua nga avionët hapësira ajrore mbi Iran, menjëherë pasi Izraeli sulmoi me raketa zemrën e programit bërthamor te Teheranit.

Hapësira ajrore përgjatë Iranit, Irakut, Izraelit dhe Jordanisë u përfshi nga kaosi. Shumë fluturime u devijuan dhe mijëra pasagjerë u bllokuan. Aeroportet në Izrael janë mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm dhe kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet drejt rajonit. 

Pas sulmit, Irani, Iraku, Jordania dhe Siria mbyllën gjithashtu hapësirën e tyre ajrore. Eurocontrol vlerëson se të paktën 1800 fluturime janë prekur deri më tani vetëm për në Evropë dhe anasjelltas. Trafiku ajror u devijua ose në jug, nëpërmjet Egjiptit dhe Arabisë Saudite, ose në veri, nëpërmjet Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit.

Ora 14:58
Ushtria izraelite: Irani kishte gati 15 bomba atomike, sulmi për të mbrojtur botën

1749906298_AA202412063640750336407501IS.jpg

Ushtria izraelite thotë se nëse Irani nuk do të ndalej do të pasuronte me uranium 15 bomba atomike. 

Irani është kërcënim jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, tha një drejtues i lartë i ushtrisë, i cili tha se Izraeli zbuloi bazat bërthamore që Teherani zhvillonte në mënyrë sekrete në 20 vitet e fundit, një prej të cilave edhe në Natanz objekt i sulmit bashkë me ambiente të nëndheshme.  

Irani vijonte me pasurimin e uraniumit – tha ai - duke ndërtuar objekte të fshehta dhe duke shmangur inspektimet për kontrolle nga ekspert. 

“Pavarësisht sanksioneve globale dhe marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Irani nuk eci përpara për të rritur kapacitet për energji, sic deklaronte, por për të kërcënuar Izraelin dhe të gjithë botën” deklaron Shoshani, duke nënvizuar se Izraeli i rrethuar nga kërcënime armiqësore po ndërmerr veprime për të parandaluar një regjim të armatosur bërthamor që haptazi bën thirrje për shkatërrimin e tij.

“Ky nuk është agresion, por mbijetesë. Irani është dhe gjithmonë ka qenë agresori. Ai mbështet qëllimin e tij për të shkatërruar vendin tonë vetëm për të ekzistuar dhe Izraeli po përgjigjet për të mbrojtur popullin e tij, për t'ju mbrojtur ju:, përfundon mesazhin e tij Shoshani.

Ora 14:54
Bisedë telefonike Kallas–Araghchi: Ekziston një rrezik i lartë për përshkallëzim të mëtejshëm

1749905898_baa1e31ddf8ee6db8a46c0a55292e82.jpg

“Fola me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Rreziku për një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon është jashtëzakonisht i lartë. Diplomacia duhet të mbizotërojë.”

Kështu shkroi në platformën X Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke përsëritur qëndrimin e qartë të BE-së:

“Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të pajiset me armë bërthamore.”

“Vetëm diplomacia mund të çojë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme. BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj,” theksoi më tej Kallas.

Ora 14:47
Musk njofton aktivizimin e shërbimit të internetit Starlink në Iran

1748108933_elonmusk.JPG

Elon Musk

Elon Musk ka njoftuar publikisht sot në platformën X se “ka aktivizuar shërbimin e internetit satelitor Starlink në Iran”, pavarësisht censurës së ashpër të vendosur nga Republika Islamike.

Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj një mesazhi të komentatorit të Fox News, Mark Levin, i cili e kishte nxitur Musk të vepronte, duke thënë se “ky veprim do ta ndryshojë realitetin e qytetarëve iranianë dhe do të përbëjë goditjen përfundimtare për regjimin”.

Ndërkohë, qindra terminale të Starlink janë futur fshehurazi në Iran, por qasja falas në internet vazhdon të jetë shumë e kushtueshme dhe e kufizuar, vënë në dukje mediat ndërkombëtare.

Ora 14:41
Izraeli: Kemi goditur 400 objektiva në Iran, shkatërruam edhe një qendër për pasurimin e uraniumit në Isfahan

1749904973_isfahanjpg.jpg

IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) njoftuan se deri më tani kanë goditur mbi 400 objektiva në Iran dhe kanë shënjestruar vendet bërthamore në Natanz dhe Isfahan, ku u shkatërrua një infrastrukturë për pasurimin e uraniumit. Megjithatë, Izraeli ka sqaruar se nuk ka goditur centralin bërthamor në Fordoë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti i Forcës Ajrore shtuan gjithashtu se avionët luftarakë izraelitë do të vazhdojnë të kryejnë operacione për të goditur objektiva në Teheran.

Ora 14:29
VIDEOLAJM/ IDF publikon pamjet e sulmeve ndaj objektivave iraniane

Ushtria izraelite ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë që pretendohet se tregojnë sulme ndaj objektivave në Iran, një ditë pas ofensivës ajrore, në përpjekje për ta penguar Teheranin të zhvillojë një armë bërthamore.

Pamjet janë shpërndarë në kanalin zyrtar të ushtrisë në Telegram, ku në përshkrim thuhet se Forcat Ajrore izraelite “po vazhdojnë të godasin objektiva për të eliminuar kërcënimet në Iran”.

Ora 14:17
Federata Iraniane e Taekwondo: Tre anëtarë tanët janë vrarë nga sulmi izraelit, përfshirë një adoleshent

Federata Iraniane e Taekwondo-së tha se tre anëtarë të saj u vranë në sulmet izraelite në Teheran.

Midis të vrarëve ishin Amir Ali Amini, një luftëtar taekwondo në ekipin e të rinjve të Taekwondo-së të Iranit, Mir Ali Amini, një anëtar adoleshent i federatës dhe Hojatoleslam Ahmadpour, imami i federatës.

Disa media iraniane raportuan për vdekjen e tyre, ndërsa vazhdojnë të dalin detaje rreth numrit të viktimave nga sulmet e Izraelit ndaj Iranit.

Ora 12:26
Izraeli shpall Gazën 'front dytësor të luftës', vëmendja kryesore e ushtrisë do përqendrohet te Irani

1749896987_thumbsbca165911dfabd157071204.jpg

IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) deklaruan sot se Gaza është kthyer në një front dytësor në luftë, ndërsa vëmendja kryesore e ushtrisë është përqendruar tashmë te Irani.

Ushtria bëri të ditur se operacioni i forcës ajrore ka krijuar një korridor të sigurt drejt Teheranit dhe se tashmë avionët luftarakë mund të veprojnë lirisht në hapësirën ajrore iraniane.

Ora 11:49
Izraeli: 9 shkencëtarë iranianë u eliminuan në sulmin e parë të Operacionit ‘Si një Luan’ (EMRAT)

1749894728_73b8d3374ae04b04badc297824b2.jpg

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftoi se në sulmet ajrore të Forcës Ajrore izraelite, në fillim të Operacionit “Si një Luan”, janë eliminuar nëntë shkencëtarë dhe ekspertë të nivelit të lartë që kishin avancuar programin e armëve bërthamore të regjimit iranian.

“Sulmi u bë i mundur falë informacionit të saktë të mbledhur nga Divizioni i Inteligjencës,” thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Ndër shkencëtarët e lartë të përfshirë në projektin bërthamor iranian që u eliminuan janë:

Fereydoon Abbasi, ekspert i inxhinierisë bërthamore;

Mohammad Mahdi Tehranchi, ekspert i fizikës;

Akbar Motallebi Zadeh, ekspert i inxhinierisë kimike;

Saeed Borji, ekspert i inxhinierisë së materialeve;

Amir Hassan Fakahi, ekspert i fizikës;

Abd al-Hamid Minuchehr, ekspert i fizikës së reaktorëve;

Mansour Asgari, ekspert i fizikës;

Ahmad Reza Zolfagari Dariani, ekspert i inxhinierisë bërthamore;

dhe Ali Bookai Katriemi, ekspert i mekanikës.

“Eliminimi i tyre përbën një goditje të rëndësishme për aftësinë e regjimit iranian për të siguruar armë të shkatërrimit në masë,” thuhet në deklaratë.

Ora 11:35
Akuzohen se kanë bashkëpunuar me Izraelin, 5 të arrestuar në Iran

1749839560_AFP20250613626Z4RMv2High.jpg

Sipas disa mediave izraelite, autoritetet iraniane kanë arrestuar pesë persona në qytetin e Yazdit, në qendër të vendit, me akuzën se kanë “bashkëpunuar me Izraelin”.

Ora 11:32
Papa Leoni XIV, apel për Izraelin dhe Iranin: Përgjegjësi dhe arsyetim

1749893739_250518HOLYMASSFORTHEBEGINNI.jpg

«Këto ditë po vijnë lajme që ngjallin shumë shqetësim. Situata në Iran dhe Izrael është përkeqësuar ndjeshëm», tha Papa Leoni XIV në një apel në përfundim të audiencës jubiliare.

«Në një moment kaq delikat, dëshiroj të përsëris një thirrje për përgjegjësi dhe arsyetim – vijoi ai. – Angazhimi për të ndërtuar një botë më të sigurt dhe të lirë nga kërcënimi bërthamor duhet të ndiqet përmes një takimi të respektueshëm dhe një dialogu të sinqertë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, të bazuar mbi drejtësinë, vëllazërinë dhe të mirën e përbashkët».

Sipas Papës, «askush nuk duhet të kërcënojë kurrë ekzistencën e tjetrit. Është detyrë e të gjitha vendeve të mbështesin çështjen e paqes, duke nisur rrugë pajtimi dhe duke nxitur zgjidhje që garantojnë siguri dhe dinjitet për të gjithë!»

Ora 11:27
Media iraniane: 60 të vdekur, mes tyre 20 fëmijë nga shembja e një ndërtese pas sulmit izraelit

Një ndërtesë banimi në zonën Shahid Chamran, pranë Teheranit, është shembur si pasojë e sulmeve izraelite, duke shkaktuar vdekjen e 60 banorëve, përfshirë 20 fëmijë. Lajmi është raportuar nga televizioni shtetëror iranian, i cili thekson se në sulmin izraelit të një dite më parë ndaj kësaj ndërtese banimi kanë humbur jetën 60 persona, 20 prej të cilëve ishin fëmijë.

“Trupat e 10 prej viktimave ndodhen ende nën rrënoja. Disa prej tyre janë foshnja 6 dhe 9 muajshe,” deklaroi korrespondenti i televizionit iranian.

Ora 11:25
Libani hap sërish hapësirën ajrore

Libani ka rihapur hapësirën e tij ajrore që nga ora 10:00 me orën lokale. Njoftimi u dha nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, e cila theksoi se vendimi për mbylljen ishte marrë për arsye sigurie të domosdoshme. Më herët edhe Jordania kishte rihapur hapësirën e saj ajrore.

Ndërkohë, nuk ka asnjë përditësim nga Ministria e Transportit e Izraelit që nga dita e djeshme, kur njoftoi se hapësira ajrore e vendit do të qëndrojë e mbyllur "deri në një njoftim të dytë".

Agjencia shtetërore iraniane IRNA ka deklaruar gjithashtu se asnjë fluturim nuk do të zhvillohet në Iran "deri në një njoftim të mëtejshëm".

Në foton më poshtë mund të shihni se si faqja Flightradar24 tregon mungesë të avionëve në një pjesë të madhe të hapësirës ajrore të Lindjes së Mesme.

1749893232_flightradar.JPG

Ora 11:25
Irani: Do të godasim bazat e atyre që mbrojnë Izraelin

1749893361_iran.jpg

Irani do të intensifikojë sulmet ndaj Izraelit dhe do të synojë bazat rajonale të çdo vendi që përpiqet ta mbrojë atë. Kështu ka deklaruar një zyrtar iranian për CNN.

“Irani e rezervon të drejtën, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, të përgjigjet me vendosmëri. Çdo vend që përpiqet të mbrojë regjimin izraelit nga operacionet e Iranit, do të shohë bazat dhe pozicionet e tij në rajon të kthehen në objektiva të rinj,” tha zyrtari iranian.

Ora 11:19
Hamas përshëndet sulmet ndaj Izraelit: Mbrojtja e tyre dështoi

Një ndërtesë e dëmtuar në Tel Aviv

Një zyrtar i Hamasit ka vlerësuar sulmet iraniane dhe ka deklaruar se mbrojtja “e mbivlerësuar” e Izraelit ka dështuar, raporton Al Jazeera.

Lideri i Hamasit, Izzat al-Risheq, ka përgëzuar suksesin e Iranit në sulmet ndaj objektivave në Izrael, “pavarësisht gjithë bujës rreth Kupolës së Hekurt dhe sistemit të mbrojtjes raketore David’s Sling”.

Në deklaratën e publikuar nga mediat palestineze, al-Risheq thotë se mbrojtja e sofistikuar e Izraelit ka dështuar dhe se shteti hebre “do të vuajë nga zjarri që vetë ka ndezur prej kohësh mes popujve të rajonit”.

“Përgjigjja e fortë e Iranit tregon se nuk ka arrogancë pa kundërpërgjigje dhe nuk ka agresion pa ndëshkim,” përfundon ai.

Ora 11:17
Sulmet e Iranit, ministri izraelit: Nëse Khamenei vazhdon të lëshojë raketa ndaj nesh, Teherani do të digjet

1749892843_0001DJ7V4.jpg

Pas një vlerësimi të situatës me Shefin e Shtabit të IDF, Eyal Zamir, Drejtorin e Mossad-it, Dadi Barnea, dhe komandantët kryesorë të IDF-së, Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi:

“Diktatori iranian po i kthen qytetarët iranianë në pengje dhe po krijon një realitet ku ata, veçanërisht banorët e Teheranit, do të paguajnë një çmim të rëndë për shkak të sulmit kriminal ndaj qytetarëve izraelitë. Nëse Khamenei vazhdon të lëshojë raketa ndaj territoreve izraelite – Teherani do të digjet.”

Ora 10:20
Mediat iraniane: Teherani synon të godasë bazat amerikane në rajon

1749889297_8a1588701cb340a8acb0d544757d.jpg

“Sipas komandantëve të lartë ushtarakë të Iranit, lufta do të zgjerohet në ditët në vijim dhe do të përfshijë edhe bazat amerikane në rajon. Agresorët do të jenë objektivi i një përgjigjeje të vendosur dhe në shkallë të gjerë nga ana e Iranit.”

Kështu raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar një “burim të informuar” në Iran.

Ora 09:50
Irani: Dy gjeneralë të tjerë të vrarë nga sulmet izraelite

1749887520_israelistriketehraniran.jpg

Në Iran raportohen edhe dy viktima të tjera të rangut të lartë ushtarak si pasojë e sulmeve izraelite. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit ka njoftuar se dy nga zëvendëskomandantët e tij janë vrarë gjatë bombardimeve të kryera nga Izraeli.

Qendra e Komunikimit dhe Informacionit e Shtabit të Përgjithshëm, e cituar nga mediat zyrtare, bëri të ditur se Gholamreza Mehrabi, zëvendës i sektorit të inteligjencës, dhe Mehdi Rabbani, zëvendës përgjegjës për operacionet në selinë qendrore, humbën jetën në valën e fundit të sulmeve.

Ora 09:43
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, raketa kalon pranë Kullës së Marganit: Momenti i goditjes i filmuar nga një ballkon

 

Një nga raketat balistike iraniane që i shpëtoi sistemit të mbrojtjes izraelite ra pranë Kullës Marganit, e përfunduar në vitin 1987. Me një lartësi prej 138 metrash, ajo ka qenë dikur ndërtesa më e lartë në vend.

Në videon e regjistruar nga një banor i zonës, nga ballkoni i shtëpisë së tij, grataçiela duket e ndriçuar me dritë blu.

Ora 09:36
Teherani: Jemi gati të hedhim 2.000 raketa ndaj Izraelit

Ushtria iraniane është e gatshme të lëshojë “rreth 2.000 raketa drejt Izraelit në sulmet e ardhshme”, dhe “sulmet tona raketore do të jenë 20 herë më të fuqishme se ato të mëparshmet”. Kështu ka deklaruar një burim nga ushtria e Teheranit, sipas asaj që raporton televizioni shtetëror. Garda Revolucionare iraniane ka theksuar se “operacioni kundër Izraelit do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Ora 09:17
VIDEO e momentit kur raketa iraniane bie pranë selisë qendrore të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit

Një video e verifikuar nga CNN tregon momentin dramatik kur një raketë godet pranë zonës së Kirya-s, në Tel Aviv, ku ndodhen selia qendrore e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe Ministria e Mbrojtjes.

Në një video të xhiruar nga një dëshmitar nga një ndërtesë aty pranë, shihen disa raketa ndërprerëse që lëshohen nga toka drejt qiellit, ndërsa Irani lëshoi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit gjatë natës së të premtes duke u gdhirë e shtunë. Pak çaste më vonë, një raketë godet tokën duke shkaktuar një shpërthim të madh dhe një sasi të konsiderueshme tymi që ngrihet nga vendi i goditjes, siç shihet në pamje. Pamjet e pasgoditjes tregojnë se një ndërtesë apartamentesh është dëmtuar rëndë.

Një video e dytë, e filmuar nga agjencia e lajmeve Reuters, tregon një raketë që godet zonën e Kirya-s rreth orës 01:35 të mëngjesit, me orën lokale. Shpërthime janë raportuar në disa zona të Tel Avivit.

Forcat izraelite janë përpjekur të zmbrapsin disa valë sulmesh ajrore të lëshuara nga Irani që nga e premtja dhe gjatë mëngjesit të së shtunës. IDF ka deklaruar se “nuk jep komente për goditjet apo vendndodhjet.”

Ora 09:10
Irani akuzon SHBA-në në OKB: Është bashkëpunëtore në sulmet izraelite

Irani akuzoi Shtetet e Bashkuara se janë bashkëpërgjegjëse për sulmet e Izraelit ndaj Republikës Islamike, një akuzë që Uashingtoni e mohoi, duke i thënë Teheranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se do të ishte “e mençur” të negocionte për programin e tij bërthamor.

Irani ndërmori sulme hakmarrëse ndaj Izraelit në orët e vona të së premtes, pasi Izraeli kishte sulmuar Iranin më herët gjatë ditës. Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, tha se Irani kishte qenë "duke u përgatitur për luftë" dhe se sulmet e Izraelit ishin "një akt mbrojtjeje kombëtare".

Kolegu i tij iranian, Amir Saeid Iravani, akuzoi Izraelin se po përpiqet "të vrasë diplomacinë, të sabotojë negociatat dhe ta tërheqë rajonin drejt një konflikti më të gjerë", ndërsa deklaroi se përfshirja e SHBA-ve është "përtej çdo dyshimi".

"Çdokush që mbështet këtë regjim, me Shtetet e Bashkuara në krye, duhet ta kuptojë se është bashkëfajtor," tha Iravani në Këshillin e Sigurimit. "Duke ndihmuar dhe duke lejuar këto krime, ata mbajnë plotësisht përgjegjësi për pasojat."

Danon tha se Izraeli kishte treguar durim pavarësisht rreziqeve në rritje.

"Ne pritëm që diplomacia të funksiononte... Ne pamë se si negociatat zgjateshin, ndërsa Irani bënte lëshime të rreme ose refuzonte kushtet më themelore," tha Danon në Këshillin e Sigurimit.

Zyrtari i lartë amerikan, McCoy Pitt, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje diplomatike që të sigurojë se Irani nuk do të arrijë kurrë të sigurojë një armë bërthamore apo të përbëjë kërcënim për stabilitetin në Lindjen e Mesme.

“Udhëheqja iraniane do të ishte e mençur të negocionte tani,” tha Pitt në Këshillin e Sigurimit. Ai shtoi se, megjithëse Uashingtoni ishte njoftuar paraprakisht për sulmet fillestare të Izraelit, nuk kishte qenë i përfshirë ushtarakisht.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së, Rafael Grossi, informoi Këshillin e Sigurimit se impianti pilot i pasurimit mbi tokë në objektin bërthamor të Natanzit në Iran ishte shkatërruar, dhe se Irani kishte raportuar se edhe objektet bërthamore në Fordow dhe Isfahan ishin sulmuar.

Ora 07:33
Irani: Bisedimet bërthamore me SHBA-në janë të ‘pakuptimta’ pas sulmit të Izraelit

Irani tha të premten se dialogu me SHBA-në mbi programin bërthamor të Teheranit është "i pakuptimtë" pas sulmit më të madh që kreu ushtaria izraelite.

“Pala tjetër (SHBA-ja) veproi në një mënyrë që e bën dialogun të pakuptimtë. Nuk mund të pretendosh se negocion dhe në të njëjtën kohë të ndash punën duke lejuar regjimin sionist (Izraelin) të shënjestrojë territorin e Iranit”, citoi agjencia e lajmeve Tasnim zëdhënësin e ministrisë së jashtme Esmaeil Baghaei.

Ai tha gjithashtu se Izraeli “ia doli mbanë të ndikonte” në procesin diplomatik dhe se sulmi izraelit nuk do të kishte ndodhur pa lejen e Uashingtonit.

Irani akuzoi SHBA-në se ishin bashkëpunëtor në sulmet e Izraelit, por Uashingtoni i mohoi akuzat teksa i theksoi Teheranit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se do të ishte "e mençur" të negocionte për programin e tij bërthamor.

Raundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore SHBA-Iran ishte planifikuar të mbahej të dielën në Muscat, por nuk ishte e qartë nëse do të vazhdonte pas sulmeve izraelite.

Irani mohon se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka për qëllime të tjera përveç atyre civile, duke hedhur poshtë akuzat izraelite se po zhvillon fshehurazi armë bërthamore.

Ora 07:29
Përkeqësohet bilanci i sulmit ndaj Izraelit, 3 të vdekur dhe mbi 80 të plagosur

Në agim të ditës së sotme, një valë e re sulmesh ka goditur Izraelin. Sipas agjencisë iraniane Irna, raketat janë lëshuar nga kryeqyteti Teheran dhe nga Kermanshah, në Iranin perëndimor, drejt objektivave në zemër të Izraelit.

Më shumë se 80 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmet, tre prej të cilëve kanë ndërruar jetë nga plagët e marra. Sipas The Times of Israel, disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Mediat iraniane raportojnë se qindra raketa janë lëshuar gjatë sulmit të parë, të nisur në orët e vona të së premtes.

Ora 07:21
Izraeli vijon sulmet ndaj Iranit: Po eliminojmë kërcënimet

1749846394_4772ea728f9a4df4b609de32725.jpg

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë deklaruar se po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran.

Në një njoftim të shkurtër të publikuar në Telegram, IDF shkruan se “Forcat Ajrore të Izraelit vazhdojnë të godasin objektiva për të eliminuar kërcënimet në Iran”.

Ky zhvillim vjen më shumë se 24 orë pas sulmit fillestar të Izraelit ndaj bazave ushtarake iraniane, ku sipas IDF-së, u vranë tre komandantë ushtarakë iranianë.

Pas këtij sulmi, Irani ka ndërmarrë sulme me raketa ndaj Izraelit në orët e mëngjesit të së shtunës.

Ora 07:14
Ministri i Jashtëm i Iranit: Do t'i përgjigjemi me vendosmëri Izraelit

1749878106_abbasaraghchi.jpg

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi

"Irani do t'i përgjigjet sulmit izraelit me vendosmëri të fortë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e tij kombëtare", theksoi Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në dy biseda të ndara telefonike dje me homologët e tij nga Franca, Britania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku, Australia, Qiproja, India dhe Pakistani, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres. Duke folur me homologun e tij britanik David Lammy, Araghchi paralajmëroi për pasojat e mbështetjes "të pajustifikuar dhe provokuese" të shteteve evropiane për Izraelin mbi  paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. "Irani nuk do të pranojë thirrje për përmbajtje kundër agresionit izraelit", theksoi ai. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, në bisedimet me Ministrin e Jashtëm francez Noel Barrot, Araghchi tha se "mbështetja e disa vendeve evropiane për rezolutën e fundit kundër programit bërthamor të Iranit i ka dhënë një pretekst Izraelit për të sulmuar centralet bërthamore iraniane".

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • KATUNARI: 14/06/2025 12:06

    E VËRTET QË U.S.A. PËRKRAHË IZRAELIN.NE SHQIPTARËT THEMI QË PLUMBI DEL ME PLUMB.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?