Jakup Krasniqi, fjalim emocionues në Hagë: Qava kur pashë fëmijët e vrarë të familjes Jashari! Kuptova se ky ishte çmimi i lirisë por aty vendosa ‘o vdekje, o liri’

5 Prill 2023, 10:45| Përditesimi: 5 Prill 2023, 11:56

  • Share

 

Jakup Krasniqi ka emocionuar në Hagë me fjalimin e tij në Hagë teksa ka treguar gjithë rrugëtimin e tij jetësor.

Fjalimi i z. Krasniqi
Jam lindur më 1 janar 1951 në Drenicë. Në familje kemi qenë 8 vëllezër dhe 8 motra. Unë jam vëllai i dytë nga mosha. Baba ii im ishte i arsimuar dhe me pak angazhim do të ishte bërë mësues. Por ai nuk u pajtua me regjimin e kohës dhe zgjodhi të punojë tokën dhe të kujdesej për arsimin e fëmijëve të tij. U linda 6 vite pas janarit të vitit 1945 kur forcat serbe vranë mijëra shqiptarë, burgosjen e shumë të tjerëve dhe dëbimin e programuar të shqiptarëve për në Turqi.

Në Bujan delegatët e Kosovës miratuan një rezolutë që pas përfundimit të luftës Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit të bashkoheshin me Shqipërinë. Por Serbia imponoi regjimin ushtarak dhe vrau pa gjyq mijëra shqiptarë.

I përmenda këto fakte për të ilustruar rrethanat në të cilat kam lindur dhe jam rritur. Që në fëmijëri kam qenë i rrethuar nga njerëz që i kanë mbijetuar gjenocidit, familjarët e të cilëve isgin vrarë.

Nga historitë e tmerrshme që rrëfeheshin dhe tregoheshin, kudo ku kam shkuar, se pas propagandës jugosllave për barazi, qëndron një terror i tmerrshëm ndaj shqiptarëve.

Kur isha 5-6 vjeç në vitin 1957 regjimi komunist jugosllav filloi një valë të re dhune. Babai im ishte viktimë e kësaj dhune. Më kujtohet kur erdhi i rrahur dhe në një qoshe nëna ime mundohej t’ia lehtësonte këto dhimbje. Edhe sot e kësaj ditë më kanë mbetur në mendje përpëlitjet e tij prej dhunës.

Edhe pse unë përfundova shkollën me rezultate të mira nuk arrita të futesha në shkollë të mesme dhe për një vit ruajta delet tona. Babai insistoi dhe unë u shkollave dhe punova si mësues në fshatin tim dhe më pas si profesor në gjimnaz. Por isha i vetëdijshëm që të gjitha dijet e botës nuk do të ishin të bollshme për të ndryshuar gjendjen e shqiptarëve.

Më 1981 për arsye të pakënaqësive të mëdha rinia e Kosovës organizoi demonstrata për të kërkuar të drejta të barabarta me kombet e tjera në Jugosllavi. Këto demonstrata u shtypen me dhunë nga forcat e atij vendit. 11 të rinj u vranë, 285 u plagosën dhe me qindra e mijëra përfunduan të burgosur.

Dhunë e tmerrshme është ushtruar edhe ndaj meje. Kam përmjetuar tmerre që nuk përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Më dënuan 2 herë. I përmenda torturat për të nënvizuar një fakt se asnjë hetues, prokuror apo gjyqtar i ish Jugosllavisë që ishin përgjegjës në atë kohë nuk kanë qenë asnjëherë objekt i shkrimeve të mia, i kam lënë në ndërgjegjen e tyre.

Unë e urrej dhunën jo vetëm sepse janë ushtruar ndaj meje dhe popullit tonë por sepse i konsideroj të ulëta dhe çnjerëzore. Unë asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje. Integriteti im intelektual dhe njerëzor më ka mundësuar të jem i qartë për mjetet që duhen përdorur.

Pas më shumë se 10 viteve vuajtje u lirova nga burgu i Novi Sadit. Por kjo nuk nënkuptonte lirinë. Populli i Kosovës ishte i robëruar. Nga muret e burgut të Novi Sadit që ishte plot me shqiptarë hyra në burgun me 2 milionë shqiptarë që quhej Kosovë.

Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhua në LDK. Në atë kohë LDK angazhohej që të organizonte një jetë politike dhe institucionale në Kosovë. Në vitin 1992 fitova 96% të votave të qytetarëve të zonës sime dhe u zgjodha deputet. Kam qene edhe kryetar i degës së LDK-së në Drenas. Është absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar i saj. Familjarët e mi ishin anëtarë të saj. Vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë mund të persekutoja veten, familjarët apo bashkëluftëtarët,.

Vëllai im Agim Krasniqi ka qenë gjatë gjithë jetës anëtar i LDK. Vajza e tij, mbesa e tij, pas luftës u zgjodh anëtare e Këshillit Komunal me LDK. Kur filloi lufta në vend që të ballafaqoheshin me UÇK forca serbe masakruan fëmijë, gra, pleq. Shkatërruan gjithçka që ishte lidhur me identitetin e shqiptarëve. Shumë krime të llahtarshme kanë qenë akte të pastra gjenocidi. Shumë familje që u janë vrarë anëtarët i kam vizituar.

Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha ‘Jakup nuk ka fitore’ pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte ‘çmimi i lirisë’. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre,.

Në ato momente e kuptova se nuk mund të jetoja më duke futur kokën në zall si struci. Ishin momente vendimtare. Në ato momente thashë ‘liri a vdekje’ por kurrë më nën këtë gjenocid. Në qershor 1998 dola publikisht si zëdhënës i UÇK. Unë isha i vetëdijshëm si paraqitja ime publike do të vendoste edhe familjen time në rrezik. Familja tashmë ishte target.

Sa herë është varur nga ne, paqes i kemi hapur gjithmonë portat. Ne udhëhiqeshim nga ‘porosia e Skënderbeut’ që na thoshte ‘të kërkosh luftë është çmenduri por t’i përgjigjesh asaj është urti’”.


Lajmi kryesor:

Gjyqi në Hagë, Jakup Krasniqi: Akuzat më dhembin më shumë se torturat e Serbisë! Ne shqiptarët jemi vrarë, por kurrë s'e refuzuam paqen, udhëhiqemi nga porosia e Skënderbeut


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?