Gjyqi në Hagë, Jakup Krasniqi: Akuzat më dhembin më shumë se torturat e Serbisë! Ne shqiptarët jemi vrarë, por kurrë s'e refuzuam paqen, udhëhiqemi nga porosia e Skënderbeut

5 Prill 2023, 07:42| Përditesimi: 5 Prill 2023, 13:26

  • Share

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i ndjekjes "nuk ka prova" që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara.

Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.

“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.

“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.

Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se "ndaj popullit tonë është nënshkruar dhunë sistematike".

Jakup Krasniqi para trupit gjykues tha se gjatë kohës sa ka qenë zëdhënës i UÇK-së, është përpjekur që përmes deklarimeve të mbajë shpresën te populli për të vazhduar rezistencën.

“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë për të mbajtur shpresë te populli”, tha ai.

Prandaj, Krasniqi tha se “deklaratat e mia duhet të shihen si pjesë e propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare”. Ndër të tjera ai ka theksuar se ai është i lënduar nga aktakuza e ZPS-së, më shumë sesa burgjet e torturat nga Serbia.

“Sa herë është varur nga ne, paqes i kemi hapur gjithmonë portat. Ne udhëhiqeshim nga ‘porosia e Skënderbeut’ që na thoshte ‘të kërkosh luftë është çmenduri por t’i përgjigjesh asaj është urti’”, tha mes emocionesh Jakup Krasniqi. 

Çfarë ndodhi në ditën e dytë të gjyqit të ish-krerëve të UÇK-së?
Gjatë ditës së dytë të gjykimit, trupit gjykues iu drejtuan dy të akuzuarit: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi. Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se klienti i tyre nuk ka pasur fuqi komanduese mbi UÇK-në, e as nuk ka ushtruar pushtet efektiv si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit tha se ndaj tij nuk ka asnjë provë e dëshmitarë që e lidh me krimet e pretenduara në aktakuzë Sipas mbrojtjes së Rexhep Selimit, në aktakuzë nuk ka aludime se ai ka urdhëruar ndonjë krim të pretenduar

Gjatë fjalimit para trupit gjykues, ish-eprori i UÇK-së, Hashim Thaçi, tha se ndien keqardhje për të gjitha viktimat dhe sërish u shpreh së është i pafajshëm. Thaçi tha se ky gjykim ka shfajësuar atë, UÇK-në dhe popullin e Kosovës me pretendimet për trafikim organesh. Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë fjalimit të tij para trupit gjykues tha se ai nuk ka frikë nga drejtësia, por "nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë", duke shprehur bindjen se në fund të procesit gjyqësor do të dëshmohet pafajësia e tij.

Çfarë ndodhi në ditën e parë të gjyqit të ish-krerëve të UÇK-së?
ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte objektiv kundërshtarët, por që përfshinin edhe ata që konsideroheshin: Tradhtarë; Kolaboracionistë; Mbështetës ose anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në thelb, Prokuroria Speciale u shpreh se gjykimi nuk i shkonte në fakt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por këtyre 4 individëve të cilët përpos se ishin drejtues kishin për qëllim që të shfrytëzonin organizatën apo nismën e tyre në luftë, për qëllime vetjake pushteti.  Prokuroria tha se do të dëshmojë se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen. Një ndër argumentet që ata mbështetën për këtë tezë të tyren ishte fakti se shumica e viktimave në fakt ishin shqiptarë. Sipas Ëhiting, provat e Prokurorisë së Specializuar do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionalistë - shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe - si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”. Prokuroria argumentoi se në mesin e kundërshtarëve përfshihen edhe personat e lidhur me LDK-në, ata me përkatësi etnike apo rome.

*Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Ora 12:24
FOTOLAJM/ Jakup Krasniqi me kravatën me shqiponjën dykrenare gjatë seancës gjyqësore në Hagë

Ish kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi u shfaq ditën e sotme në Gjykatën Speciale në Hagë, me një simbol patriotik. Përveç fjalimit të tij emocionues për shenjtërinë e luftës çlirimtare të UÇK-së, Krasniqi ka dalë në seancë duke mbajtur veshur një kravatë me shqiponjën dykrenare.

Ora 10:53
Jakup Krasniqi në gjyqin në Hagë lutje për trupën gjykuese: Mos përdorni shënimet e mia si prova

 

Ish-kreu i UÇK-së Jakup Krasniqi në gjyqin e Hagës në fund të fjalës së tij bëri tre lutje për trupën gjykuese!

‘Tri lutje për trupin gjykues mos lejoni që të keqpërdoren mendimet dhe opinionet individuale të pas luftës për kohën e luftës.

Kërkesa e dytë mos lejoni që shënimet e mia të përdoren si dëshmi për vepra penale siç pretendon ZPS.

E treta për komunikatat! Komunikatat ishin rritja për respektin e UÇK-së për unitetin e saj me qëllim që njerëzit të anëtarësoheshin në të.

Ju lus që materialet mos të keq përdoren. Shënimet e mia për të shkruar libër prokuroria i ka përdorur skajmërisht por nuk janë prova. Ma e gjatë është aktakuza. Fjala ime ishte e shkurtër në raport me atë që duhet të them për jetën dhe veprën time jetësore.’- tha Kransiqi.

Ora 10:45
Jakup Krasniqi, fjalim emocionues në Hagë: Qava kur pashë fëmijët e vrarë të familjes Jashari! Kuptova se ky ishte çmimi i lirisë por aty vendosa ‘o vdekje, o liri’

 

Jakup Krasniqi ka emocionuar në Hagë me fjalimin e tij në Hagë teksa ka treguar gjithë rrugëtimin e tij jetësor.

Fjalimi i z. Krasniqi
Jam lindur më 1 janar 1951 në Drenicë. Në familje kemi qenë 8 vëllezër dhe 8 motra. Unë jam vëllai i dytë nga mosha. Baba ii im ishte i arsimuar dhe me pak angazhim do të ishte bërë mësues. Por ai nuk u pajtua me regjimin e kohës dhe zgjodhi të punojë tokën dhe të kujdesej për arsimin e fëmijëve të tij. U linda 6 vite pas janarit të vitit 1945 kur forcat serbe vranë mijëra shqiptarë, burgosjen e shumë të tjerëve dhe dëbimin e programuar të shqiptarëve për në Turqi.

Në Bujan delegatët e Kosovës miratuan një rezolutë që pas përfundimit të luftës Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit të bashkoheshin me Shqipërinë. Por Serbia imponoi regjimin ushtarak dhe vrau pa gjyq mijëra shqiptarë.

I përmenda këto fakte për të ilustruar rrethanat në të cilat kam lindur dhe jam rritur. Që në fëmijëri kam qenë i rrethuar nga njerëz që i kanë mbijetuar gjenocidit, familjarët e të cilëve isgin vrarë.

Nga historitë e tmerrshme që rrëfeheshin dhe tregoheshin, kudo ku kam shkuar, se pas propagandës jugosllave për barazi, qëndron një terror i tmerrshëm ndaj shqiptarëve.

Kur isha 5-6 vjeç në vitin 1957 regjimi komunist jugosllav filloi një valë të re dhune. Babai im ishte viktimë e kësaj dhune. Më kujtohet kur erdhi i rrahur dhe në një qoshe nëna ime mundohej t’ia lehtësonte këto dhimbje. Edhe sot e kësaj ditë më kanë mbetur në mendje përpëlitjet e tij prej dhunës.

Edhe pse unë përfundova shkollën me rezultate të mira nuk arrita të futesha në shkollë të mesme dhe për një vit ruajta delet tona. Babai insistoi dhe unë u shkollave dhe punova si mësues në fshatin tim dhe më pas si profesor në gjimnaz. Por isha i vetëdijshëm që të gjitha dijet e botës nuk do të ishin të bollshme për të ndryshuar gjendjen e shqiptarëve.

Më 1981 për arsye të pakënaqësive të mëdha rinia e Kosovës organizoi demonstrata për të kërkuar të drejta të barabarta me kombet e tjera në Jugosllavi. Këto demonstrata u shtypen me dhunë nga forcat e atij vendit. 11 të rinj u vranë, 285 u plagosën dhe me qindra e mijëra përfunduan të burgosur.

Dhunë e tmerrshme është ushtruar edhe ndaj meje. Kam përmjetuar tmerre që nuk përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Më dënuan 2 herë. I përmenda torturat për të nënvizuar një fakt se asnjë hetues, prokuror apo gjyqtar i ish Jugosllavisë që ishin përgjegjës në atë kohë nuk kanë qenë asnjëherë objekt i shkrimeve të mia, i kam lënë në ndërgjegjen e tyre.

Unë e urrej dhunën jo vetëm sepse janë ushtruar ndaj meje dhe popullit tonë por sepse i konsideroj të ulëta dhe çnjerëzore. Unë asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje. Integriteti im intelektual dhe njerëzor më ka mundësuar të jem i qartë për mjetet që duhen përdorur.

Pas më shumë se 10 viteve vuajtje u lirova nga burgu i Novi Sadit. Por kjo nuk nënkuptonte lirinë. Populli i Kosovës ishte i robëruar. Nga muret e burgut të Novi Sadit që ishte plot me shqiptarë hyra në burgun me 2 milionë shqiptarë që quhej Kosovë.

Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhua në LDK. Në atë kohë LDK angazhohej që të organizonte një jetë politike dhe institucionale në Kosovë. Në vitin 1992 fitova 96% të votave të qytetarëve të zonës sime dhe u zgjodha deputet. Kam qene edhe kryetar i degës së LDK-së në Drenas. Është absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar i saj. Familjarët e mi ishin anëtarë të saj. Vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë mund të persekutoja veten, familjarët apo bashkëluftëtarët,.

Vëllai im Agim Krasniqi ka qenë gjatë gjithë jetës anëtar i LDK. Vajza e tij, mbesa e tij, pas luftës u zgjodh anëtare e Këshillit Komunal me LDK. Kur filloi lufta në vend që të ballafaqoheshin me UÇK forca serbe masakruan fëmijë, gra, pleq. Shkatërruan gjithçka që ishte lidhur me identitetin e shqiptarëve. Shumë krime të llahtarshme kanë qenë akte të pastra gjenocidi. Shumë familje që u janë vrarë anëtarët i kam vizituar.

Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha ‘Jakup nuk ka fitore’ pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte ‘çmimi i lirisë’. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre,.

Në ato momente e kuptova se nuk mund të jetoja më duke futur kokën në zall si struci. Ishin momente vendimtare. Në ato momente thashë ‘liri a vdekje’ por kurrë më nën këtë gjenocid. Në qershor 1998 dola publikisht si zëdhënës i UÇK. Unë isha i vetëdijshëm si paraqitja ime publike do të vendoste edhe familjen time në rrezik. Familja tashmë ishte target.

Sa herë është varur nga ne, paqes i kemi hapur gjithmonë portat. Ne udhëhiqeshim nga ‘porosia e Skënderbeut’ që na thoshte ‘të kërkosh luftë është çmenduri por t’i përgjigjesh asaj është urti’”.

Ora 10:29
Mbrojtja e Krasniqit: NATO nuk do të mbështeste një ndërmarrje kriminale

1680682406_avokatja.JPG

Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.

“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.

Ajo tha se ZPS-ja nuk ka asnjë “provë të besueshme që e lidh Krasniqin me asnjë krim, nuk ka prova për qëllime të përbashkët kriminal”.

Ora 10:21
Avokatja e Krasniqit: Ai nuk kishte pushtet të kontrollonte ushtarët

1680681894_Screenshot1.jpg

Në vazhdimin e fjalës hyrëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra, tha se prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.

“Ai nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Ai nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar”, tha Alagendra.

Sipas saj, prokuroria ka dështuar ta bëjë lidhjen e krimeve të pretenduara me vendndodhjen fizike të Krasniqit nëpër periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 1999.

Alagendra deklaroi se “prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”.

“Provat do të tregojnë se organizimi i UÇK-së ishte i ndryshëm në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme”, tha ajo dhe shtoi se UÇK-ja asnjëherë nuk ka pasur një hierarki vertikale të komandës.

Ora 10:08
Mbrojtja: Provat e prokurorisë nuk e lidhin Krasniqin me krimet e pretenduara

Në ditën e tretë të gjykimit, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj hyrëse.

Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin klientin e saj me krimet e pretenduara.

“Provat e prokurorisë do të tregojnë rolin e vërtetë të Krasniqit. Ai nuk kishte kompetenca dhe përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë ZPS-ja dhe as aktivitetet e tij nuk mund të lidhen me asnjë krim që pretendohen nga prokuroria”, tha ajo.

Avokatja tha se Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të vitit 1998 dhe të gjithë aktivitetin e tij e ka pasur publik.

“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale”, tha ajo.

Alagendra tha se Krasniqi ishte emëruar një prej dy zëvendëskomandantëve të UÇK-së për një periudhë të shkurtër kohore, por ai kishte qenë zëvendëskomandant për mbështetje dhe nuk kishte të bënte me çështje operacionale.

Sa i përket disa dokumenteve që ZPS-ja ka gjetur në shtëpinë e Krasniqit, pas arrestimit të tij, mbrojtja tha se ZPS-ja duhet të vërtetojë autorësinë e tyre.

“Gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën autentike”, tha Alagendra.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • GOLI: 06/04/2023 09:28

    JEMI GJENERATA TE TILLA QE NE TE ZEZE NE TE BARDHE KEMI BERE VAJTJE ARDHJE NE HAPSIRAT E FEUDALISTAVE...KEMI TE BEJME ME QENIE TE NGRIRA PER NGA NDJENJAT...ATO FJALE PREKSE QE I CEKE ATO FARE SJA DALIN TI KUPTOJNE....TEK ATO SUNDON MATERIALIZMI...FYTYRA OSE NDERI TEK ATO ESHTE FJALE SHKEL E SHKO.....KRIJESAT FEUDALOPERENDIMORE NE KAFAZ I FUT MATERIALIZMI.....NDERGJEGJA E TYRE ESHTE FRIGORIFER.

    Përgjigju
  • atdhetari: 05/04/2023 22:20

    Jakup rrespekte për kravatën shumë domethënëse që ke vendos. Mir do bonit që ta kishit dhe në FLAMUR .Zoti ju nimoft me gjykatën e zhdrrejtësisë

    Përgjigju
  • Muzaka i Ri: 05/04/2023 14:32

    Rrofte UÇK, Rofshin heronjt e pupullit te rene ne lufte apo te gjalle. Poshte shpifesit e bashkpunetoret e kombit qe dalin e llomotitin neper studio televizive, do te mbeten gjithemone jashteqitje e ketij kombi.

    Përgjigju
  • artan: 05/04/2023 11:53

    Serbet fituan perseri fale botes kurve qe denon viktimat.

    Përgjigju
  • Arbërori: 05/04/2023 11:34

    O Patriot i kombit Jakup Krasniqi, shenimet e tua do forcohen dhe do të mbesin për jet e mot të pa vdekshme për breza me radhë …! Armiqët shekullor u mundua dhe po tentojn ende të na shkatrrojn edhe me ndihmen e tradhtarëve shqipfolës! Mund të na vrasin fizikisht tradhtarët shqipfolës dhe armiqët shekullor, por kurr idealet nuk do munden të na i asgjësojn …! Drejtsia do dal në dritëpa as një dyshim…!

    Përgjigju
  • e drejta: 05/04/2023 11:22

    JU JENI KRENARIA E POPULLIT TONE, RESPEKT PA FUND TRIMAVE TE UCK

    Përgjigju
  • Gjergj Kastrioti: 05/04/2023 10:53

    Rroft UÇK, lufta e saj ka qene e drejte! Posht akuzat e sajuara te cetnikeve dhe nderkombetareve te paguar prej cetnikeve!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?