Sociale

Jaupllari për Report Tv: Harta e murtajës së kafshëve po zgjerohet, s’ka rrezik për njerëzit! 800 krerë u eliminuan në 5 vatra, i kërkuam KE të ndihmojë fermerët

13 Qershor, 15:22| Përditesimi: 13 Qershor, 19:38

  • Share

Murtaja e kafshëve të imta po përhapet me shpejtësi në Shqipëri, teksa sot u regjistrua edhe vatra e pestë në vend, në qarkun e Korçës.

Ministria e Bujqësisë ka marrë të gjitha masat duke urdhëruar izolimin e fermave dhe bllokimin e lëvizjeve të kafshëve nga fermat apo në tregje, duke ngritur edhe grupe kontrolli me shërbimetë Policië së Shtetit, Ushtrisë dhe Policisë Bashkiake.

Masat janë sipas standardeve të BE-së, teksa i është kërkuar edhe Komisionit Europian që të ndihmohen fermerët e dëmtuar ekonomikisht, pasi legjislacioni nuke njeh të drejtën e dëmshpërblimit për murtajën. Deri tani ka 800 kafshë të prekura të eliminuara me pistoletë sipas rregullores së vendeve të BE-së, teksa përhapja e sëmundjes tek njerëzit është e pamundur, sepse ajo mbetet vetëm te kafshët dhe nuk është lejuar nxjerrja e këtij mishi në treg.

Këto informacione ndau në emisionin “Sot, Live në Shqipëri” Arjan Jaupllari, Zv/ministër i Bujqësisë, që apeloi nëpërmjet Report Tv edhe në sensibilizimin e qytetarëve.

“Ka shkuar në 5 numri i vatrave të prekura nga murtaja në Shqipëri, (me gjithë Korçën). Sëmundje që ka nisur prej dy javësh, që nga ajo e qarkut Shkodër, harta sa vjen e zgjerohet. Pra kemi të bëjmë me një infeksion i cili fillimisht mund të jetë importuar nga vendet e rajonit. Sepse vendet e prekura tashmë janë Rumania, Bullgaria dhe Greqia, por pas kësaj periudhe është edhe përhapja e vatrave, që janë bërë burim infeksioni për përhapje të këtij virusi të rrezikshëm, i cili pavarësisht se nuk shkakton probleme, pra nuk përhapet te njeriu, ai përhapet me shpejtësi nëpërmjet kontaktit te kafshët dhe bën dëme të konsiderueshme në të imtat”, nisi shpjegimin e tij për situatën zyrtari i lartë i MB.

Ai shpjegoi edhe masat e marra deri tani, mbërritjen e dy ekspertëve nga BE dhe raportimet në qendrën e krizave.

“Shërbimi Veterinar është i angazhuar maksimalisht me plan masash dhe po ndjek hap pas hapi, sipas rregullores edhe të BE-së. Qendra e krizës mblidhet edhe dy herë në ditë për masat dhe ecurinë e sëmundjes. Dy ekspertë të BE-së ishin prej dy ditësh në Shqipëri dhe sot u larguan. Kanë marrë pjesë, investiguan në një vatër të ndodhur në Skrapar, në dy tufa të dhive me 230 krerë. Sot zhvilluam takimin përmbyllës me ta dhe rekomandimet që ata dhanë, e që do vijnë me shkrim. Ecuria e sëmundjes është problematike se përhapet shumë shpejt”, shpjegoi zëvendësministri për Report Tv.

Por si parandalohet përhapja e vatrave dhe sëmundjes në territor dhe cilat janë masat e marra deri tani nga Ministria e Bujqësisë?

“E vetmja mënyrë për ta ndaluar është lëvizja e kafshëve nga ferma në fermë, nga ferma në treg apo kullota. Lëvizja e kafshëve në thertore nuk përbën rrezik se ato atje eliminohen dhe nuk përhapet. Është ndaluar transportimi i kafshëve në të gjithë vendin. Monitorohen edhe të gjitha tregjet. Qendra e Krizave, me praninë e Policisë së Shtetit dhe të Ushtrisë, Doganave dhe organet e pushtetit vendor, mbahen takime të përhershme, madje dhe me prefektët dhe 61 kryetarët e bashkive online, për sensibilizim dhe lëvizje deri te kryepleqtë, që të marrin masa, të mos lejojnë lëvizjen e kafshëve nga fermat, t’i informojnë fermerët për situatën dhe këta të fundit të vënë në dijeni Shërbimin Veterinar me shfaqjen e një shenje klinike të kësja sëmundjeje dhe të izolojë fermat. Veterinerët janë në terren, Policia ka ngritur postblloqe për kontroll certifikatash të fermerëve. Njësitë vendore kanë vënë në lëvizje me grupe Policitë Bashkiake, kryepleqtë e fshatrave, ku kemi dërguar urdhrat e ndalimit dhe fletë-palosjet për masat”, vijoi Jaupllari shpjegimin e masave të marra.

Zëvendësministri shpjegoi edhe dëmin e madh ekonomik që u shkaktohet fermerëve duke mos i mbrojtur nëpërmjet marrjes së masave dhe informimit, pasi sëmundja përhapet me shpejtësi nëpërmjet kontaktit.

“Janë shkëmbyer kontaktet e mundshme në 12 rajonet, jo vetëm takime në nivel qendror por edhe lokal. Do vihet në lëvizje edhe shërbimi veterinar privat nëse do jetë e nevojshme, mbi bazën e urdhrit të mjekut, por edhe rregullores së BE-së mbi masat. Sipas planit të emergjencës. Mediat duhet të ndihmojnë edhe me informimin e publikut. Nuk është çështje zbulimi, nuk është informacion sekret, por të veprohet sa më shpejt për marrje të masave, ndaj duhet informuar publiku, që nëse ka kafshë të sëmurë personi ta izolojë e mos ta nxjerrë në kullotë. Sepse duke i zhvendosur këto kafshë dëmton edhe fermerët e tjerë ku dërgohen, por edhe ekonominë e tyre. Aktualisht edhe numri i krerëve është ulur ndjeshëm pas këtij virusi”, tha ai.

Për fat të keq, legjislacioni shqiptar sipas Jaupplarit nuk e njeh dëmshpërblimin e fermerëve për sëmundjen e murtajës së kafshëve, por sipas tij i ëhstë bërë kërkesë Komisionit Europian që të ndihmojë në këtë rast, pasi është e importuar nga vendet e tjera dhe jo për shkak të shkeljes së rregullave nga Shqipëria. Ai shtoi se edhe shteti nuk do i braktisë fermerët dhe do kontribuojë në ndihmë të tyre.

“Nuk është sëmundje që dëmshpërblehet sipas legjislacionit shqiptar dhe europian, por fermerët tanë nuk do lihen në mëshirë të fatit. Ne ia ngritëm këtë çështje edhe Komisionit Europian, ku parashtruam se nuk duhet ta shikojnë si një problem të përgjithshëm apo që erdhi nga mosbzatimi i rregullave të shërbimit veterinar por ka ardhur nga vendet e tjera, ndaj duhet të ndihmohen këta fermerë të gjithë bashkë për të kontribuar. Hapat e mëtejshëm do vlerësohen për të marrë këto masa, kërkesën ia kemi bërë edhe Komisionit Europian për dëmshpërblimin. Por duhet të shihet mundësia, të ndryshohet edhe legjislacioni, sepse deri më sot këtë sëmundje nuk e dëmshpërblen”, sqaroi zyrtari.

Cilat janë dëmet e deritanishme dhe si bëhet eleminimi i kafshëve të infektuara?

“Deri tani janë 800 krerë që janë të eliminuara, por të shpresojmë që ta izolojmë dhe ndalojmë dhe kjo lëvizja e kafshëve të bëjmë ta bllokojmë sepse përhapet vetëm me kontakt. Ndaj me rëndësi është që të gjithë të ruajnë fermat e tyre. Por edhe fermerëve u krijohet një stres i madh psikologjik, ndaj po punojmë ehde për t’ju gjendur pranë atyre. Eliminimi i kafshëve bëhet me pistoletë, siç i bëjnë edhe në vendet e BE-së, mënyrë më pak e mundimshme”, vijoi ai.

Jaupplari qetësoi qytetarët duke thënë se nuk ka mish të infektuar që ka dalë në treg dhe sqaroi se sëmundja nuk përhapet nga kafsha te njeriu por vetëm mes kafshëve, duke theksuar se s’duhet të ketë panik.

“Ky mish nuk ka dalë në treg të konsumatori,sepse çdo groposje është bërë në prani të shërbimit veterinar, çdo gjë është konfirmuar me procesverbale dhe në bazë matrikulash të kafshëve. Është ndjekur procesi deri në fund,  deri në mbyllje nga shërbimi veterinar. Nuk duhet të jetë panik, por nëse vijon përhapja do jetë dëm i madh ekonomik për fermerët”, përfundoi Jaupllari.

 

 

A.Q/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?