Sociale

Jetë në det! Pasioni i peshkatarëve të Orikumit e Radhimës: Shfrytëzimi pa kontroll po e varfëron detin

5 Janar, 16:40| Përditesimi: 5 Janar, 23:36

  • Share

VLORË - Çdo ditë, pa orar dhe pavarësisht kushteve atmosferike, peshkatarët e Orikumit dhe Radhimës dalin në det për të gjahun e ditës.

Shumë prej tyre, tashmë i kanë mbushur disa dekada në det, për të siguruar përmes peshkimit, jetesën e tyre.

Muaji mars konsiderohet periudha më e favorshme për peshkim, kur deti është i pasur me gjallesa. Ndërkohë, janari dhe shkurti janë muajt më të vështirë për ta, të cilët peshkatarët i quajnë “ditët më të këqija”.

Jani Kushtën dhe Kujtim Myftarin i gjejmë në breg, por ata thonë se kushtet atmosferike shpesh herë janë sfiduese, me dallgë që ua bëjnë të pamundur daljen në det. Për më tepër, shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve detare ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të gjallesave ujore, duke e bërë punën e tyre edhe më të vështirë.

“Dimri ka shumë vështirësi, behari është më i thjeshtë. Kur prishet koha, rrimë në tokë, nuk dalim të peshkojmë. Gjuetia kështu e ka, njëherë më shumë një herë më pak, por është varfëruar, jo ndotja, jo vaskat”, shprehet Jani Kushta.

“Deti është shumë i vështirë, duhet të shohësh kohën. Limiti i peshkimit, që nga 3 ballë deri në 4 ballë, po kaloi më shumë nuk lejohemi sepse jemi varka të vogla. Dalja në mëngjes, është pa orar, nuk është si puna në zyrë. Në mars është periudha më e mirë për të peshkuar, ndërsa koha më e vështirë është kjo periudhë, janari, shkurti, sepse mund të ketë prodhim, por ulet çmimi, por edhe koha më e keqe, nuk del dot”, thotë Kujtim Myftari.

Peshkimi me grepa apo me varka të vogla është kthyer në një mënyrë jetese për banorët e Orikumit dhe Radhimës, të cilët përballen çdo ditë me sfidat e këtij profesioni. Përballë vështirësive, ata kërkojnë më shumë mbështetje dhe mbrojtje për burimet natyrore të detit, në mënyrë që kjo traditë të vazhdojë të jetë pjesë e jetës së brezave të ardhshëm.

G.K/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?