Folezimi i flamingove në Lagunën e Nartës, dukuri e shfaqur për herë të parë këtë vit, shihet nga ekspertët si një moment shumë i rëndësishëm për biodiversitetin e zonës. Por ata ngrenë shqetësimin se pakujdesia njerëzore mund t’i largojë sërish.
Jo më vetëm një stacion migrimi, por flamingot po gjejnë në Lagunën e Nartës në Vlorë habitat për fole.
“Narta në vetvete është e rëndësishme për popullatën folezuese të shpendëve. Kjo është shumë e rëndësishme për pasurinë biologjike, pasi shton numrin e llojeve folezuese duke pasuruar edhe lagunën,” thotë Vorpsi.
Eksperti shpjegon arsyet përse ky shpend i veçantë është stacionuar për t’u shumuar në Nartë.
“Edhe më parë, flamingot kanë tentuar të folezojnë në Nartë, por asnjëherë nuk është vërtetuar folezimi i tyre. Flamingot tentojnë disa vite me radhë derisa arrijnë të folezojnë. Çelja e vezëve duhet të paktën 27 ditë,” -vijon Vorpsi.
Por, Vorpsi ngre shqetësimin se pakujdesia njerëzore mund të çojë në largimin e kolonisë së flamingove.
“Shqetësim mbeten dronët, por sidomos aeroporti. Gjatë fluturimit testues flamingot u larguan për disa orë. Nëse do të ketë qindra fluturime, flamingot do e kenë të vështirë folezimin. Turistët apo kushdo duhet t’i vëzhgojë nga larg, pasi ekziston frika e largimit të kolonive të flamingove dhe braktisjes së vezëve të tyre,” -tha Vorpsi.
Përmes folezimit të tyre në Nartë, shpendi kontribuon në riprodhimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj specieje në Shqipëri dhe Evropë. Sipas ekspertëve, numri i flamingove të stacionuar në vendin tonë është më i larti në Ballkan.
Komente
