'Do kthej për 2 ditë materialet te shtëpia e Mandit'/Report Tv zbardh deklarimin e Ardian Kallamit në polici

29 Maj 2018, 16:35| Përditesimi: 29 Maj 2018, 16:49

  • Share

Ardian Kallami, 47-vjeçari nga Vau i Dejës i cili kreu vetëvrasje ditën e djeshme, ka pranuar në polici, pas shoqërimit si i dyshuar për grabitjen e banesës së fqinjit, se është ai autor i kësaj vepre.

Në deklarimin përpara uniformave blu, të firmosur nga Kallami ai shkruan se brenda dy ditëve do kthejë në shtëpinë e fqinjit materialet e vjedhura.

Unë Ardian Ndreli Kallami ju garantoj se brenda dy ditëve do shkojnë materialet tek banesa e fqinjit Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin në vullnetin tim dhe që mos kryeja e kësaj pune që premtova jam dakord për të mbajtur përgjegjësi ligjore.

Deklarimi i Ardian Kallamit në polici ku pranon vjedhjen

(Deklarimi i Ardian Kallamit në polici ku pranon vjedhjen e shtëpisë së fqinjit)

Sipas burimeve nga SHÇBA, Kallami ka patur edhe precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjeve ndërsa për rastin e fundit ka qenë vetë fqinji i tij që e ka identifikuar si autorin e dyshuar të vjedhjes së banesës. Nga ana tjetër, familjarët pretendojnë se deklarimi nuk është i Ardian Kallamit, pasi sipas tyre ai nuk di shkrim dhe këndim, duke hedhur kështu hije dyshimi se kemi të bëjmë me një falsifikim të materialit nga policia.

Familjarët hedhin gjithashtu akuza në drejtim të këtyre të fundit se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 47-vjeçarit çka e çoi atë drejt aktit të vetëflijimit.

Ky është rasti i dytë në një kohë të shkurtër, pas 27-vjeçarit Enea Ftoj në Korçe, ku familjarë akuzojnë policinë e shtetit për ushtrim dhune deri në vdekje në mjediset e komisariateve. Shqetësimin abuzimet në komisariate e ka ngritur herë pas here edhe avokati i popullit.


Lajmi kryesor:

Vetëvrasja e 47-vjeçarit pas shoqërimit nga policia, 'shkrihet' Komisariati i Vaut të Dejës


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?