Gjatë takimit me vajza dhe gra të Qarkut Dibër këtë enjte, kryesocialisti Edi Rama, nuk la pa përmendur edhe kreun e SPAK, Altin Dumani "meqë është i zonës".
Teksa nënvizoi integritetin e këtij të fundit në detyrën e tij, ai deklaroi se arsyeja përse Dumani sot duket "i fortë" në luftën me krimin, është vullneti i Partisë Socialiste për të ndërtuar dhe mbështetur një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm.
"Ju këtu në Dibër keni dhe drejtuesin e SPAK, e keni këtu, dhe dua ta sjell në vëmendje për këtë arsye: Altin Dumani, meqë është i zonës po e përmend, ka qenë prokuror shumë vite, dhe po ky ka qenë nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier veçse me punën e vet. Kishit dëgjuar ndonjëherë që Altin Dumani të merrte në pyetje ndonjë person të njohur? Po si u bë kaq i fortë Altin Dumani? Ai u bë i fortë sepse ne nuk e kemi bërë asnjëherë për vete. Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit që i takon drejtësisë, dhe është për të vënë duart në kokë kur çohen dhe thonë: “Si mund të votoni PS, kur gjysma janë burg, gjysma tjetër janë për burg?” Sepse sot, nëse ju shihni që mund të ketë barazi para ligjit në Shqipëri, këtë e bëri PS",-tha Rama.
"Kur unë thosha atëherë që duam të kemi një drejtësi që të mos shohë majtas dhe djathtas, e kisha dhe për ne. Dhe fuqia jonë morale, karakteriale, politike, qytetare është për të tejkaluar veten dhe për të qenë të aftë moralisht për të pranuar dhe goditjet e drejtësisë kur ato vijnë edhe brenda shtëpisë sonë",-tha Rama.
Lajmi kryesor:
'4 me 1', Rama nga Dibra: Nëse komandën s'e merrnin gratë, PS s'fitonte kurrë këtu! Altin Dumani, që e keni të zonës, u bë i fortë se shpatën e ndëshkimit ia dhamë ne
K.M/r.k./ReportTv.al