Meloni dhe Rama gjatë nënshkrimit të marrëveshjes

Ekonomi

Kabllo nënujore nga Vlora në Pulia, detajet e marrëveshjes për energjinë! Emiratet zgjerojnë prodhimin në Shqipëri, ne e eksportojmë drejt Italisë

15 Janar, 16:56| Përditesimi: 15 Janar, 18:16

  • Share

TIRANË- Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë bashkë në një marrëveshje që synon ndërtimin e një linje interkonjeksioni të energjisë së rinovueshme. Marrëveshja u firmos ditën e sotme në Abu Dhabi, në kuadër edhe të Javës së Qëndrueshmërisë. Investimi shkon në 1 miliardë euro dhe do të jetë gati brenda 3 viteve, sipas kryeministrit Edi Rama, i cili këtë detaj e ndau për mediat italiane.

Marrëveshja u nënshkrua nga Sulltan Al Jaber, Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Ministri italian i Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin dhe Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre e Shqipërisë dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Çfarë përfshin marrëveshja për energjitë e rinovueshme?

Detajet e publikuara deri tani janë të pakta, por disa pika kryesore duken tashmë të qarta:

1-Bëhet fjalë për një linjë nënujore që do të lidhë portin shqiptar të Vlorës me Pulian, pikën më të afërt mes dy vendeve dhe pritet të funksionojë brenda tre viteve.

2- Linja do të shërbejë për të importuar në Itali energji të rinovueshme të prodhuar në Shqipëri.

3- Roli i Emirateve do të jetë kryesisht zgjerimi i prodhimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

4- Shqipëria mund të shesë energjinë e rinovueshme të prodhuar në vend.

Linja elektrike në Adriatik do të mundësojë importimin e energjisë së gjelbër nga Shqipëria, ku një ndërmarrje e përbashkët me kompaninë emiratase Masdar do të zhvillojë projekte të energjisë diellore dhe asaj të erës.

“Është një projekt ambicioz mes dy brigjeve të Adriatikut,” theksoi Meloni, një ndërlidhje e re energjetike, për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për të eksportuar një pjesë të saj në Itali, falë një kabulli nënujor në Adriatik. Një projekt që përfshin qeveritë tona, si dhe sektorët privatë dhe operatorët e rrjetit.”

"Marrëveshja do të forcojë lidhjet ekzistuese të energjisë që shtrihen “430 km përgjatë shtratit të detit Adriatik, duke lidhur Italinë me Malin e Zi dhe rajone të tjera të Ballkanit,” tha Kryeministrja italian Giorgia Meloni në Samitin Botëror të Energjisë së Ardhshme në Abu Dhabi.

Marrëveshja përcakton fushat kryesore të bashkëpunimit midis Emirateve të Bashkuara Arabe, Italisë dhe Shqipërisë, duke përfshirë krijimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në shkallë gigavat në Shqipëri, me fokus në energjinë diellore fotovoltaike dhe atë të erës. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj energjie të rinovueshme do të transmetohet në Itali.

Prodhimi i energjisë në Shqipëri

Shqipëria prodhon energji elektrike nga burime të rinovueshme, ku pjesën më të madhe e mbulon energjia hidrike (98%) me 6.841 GWh të prodhuara në vitin 2022 nga tre hidrocentrale të mëdha në veri të vendit. Pjesa e mbetur prej 2%, që korrespondon me 160 GWh të prodhuara në vitin 2022, vjen nga energjia diellore.

Por synimi është zgjerimi i prodhimit të energjisë së rinovueshme. Këtu hyn në lojë bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Në nëntor 2024 është arritur një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Emirateve për zgjerimin e sektorit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, përmes një partneriteti mes KESH-it, operatorit të energjisë elektrike në Shqipëri, dhe kompanisë Masdar./Shqiptarja.com

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?