Kaloi 26 kg kanabis drejt Greqisë, përjashtohet nga policia kryekomisari Stiljan Pasho

1 Dhjetor 2023, 19:45| Përditesimi: 1 Dhjetor 2023, 19:52

  • Share

1701370073_stiljanpasho.jpg

Shefi i sektorit të Kufirit në Korçë, Stiljan Pasho është përjashtuar nga policia e shtetit pas arrestimit të tij ditën e djeshme nga AMP nën akuzën e përfshirjes në trafikun e lëndëve narkotike.

Pasho ka kryer shkelje të rëndë disiplinore të disa pikave në rregulloren e policisë, siç janë veprimtaria korruptive, përdorja e pozitës për interesa private ose për të tjerët.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas hetimeve paraprake të kryera, i ka propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka miratuar menjëherë, përjashtimin e  punonjësit të Policisë, Kryekomisar Stiljan Pasho, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Përjashtimi i menjëhershëm i tij u bë për  shkelje të rëndë disiplinore të rregullores së Policisë së Shtetit, parashikuar nga neni 208 “Rastet e veprimeve korruptive”, pika 3 “Përdor pozitën e tij si punonjës i Policisë, për interesa private për vete ose për të tjerët’”, dhe nga neni 209 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë”, pika 1 “Pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

Më datë 30.11.2023, Drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan–Korçë ndaloi punonjësin e Policisë Kryekomisar Stiljan Pasho, në kuadër të një procedimi penal të referuar nga Sektori i AMP-së, Korçë, për veprën “Trafikim i narkotikëve”.

Konkretisht, nga hetimet rezulton se Kryekomisar Stiljan Pasho, me veprime konkrete dhe të drejtperdrejta, si dhe duke përdorur detyrën e tij ne DVKM Korçë, në intervale të ndryshme, ka ndihmuar shtetasin L. L., të kalojë kufirin në PKK Kapshticë, pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, dhe ka urdhëruar dhe vartësit e tij që të mos ushtrojnë kontroll.

Policia e Shteti mbetet e vendosur që në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me qytetarët, të largojë nga rradhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën apo përfshihet në veprimtari kriminale.


Lajmi kryesor:

Kaloi 26 kg kanabis drejt Greqisë, shefi i kufirit në Korçë doli nga makina pasi e kaloi në Kapshticë pa kontroll! Përjashtohet nga policia


B.V/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?