Banorët e Delvinës kaluan një natë të vështirë mbrëmjen e së martës, ku qyteti ishte i rrethuar nga flakët.
Sot, disa prej tyre kanë folur për mikrofonin e Report Tv, duke treguar situatën e vështirë me të cilën u përballën.
Banorët thonë se zjarri u afrua shumë pranë banesave të tyre, pasi flakët zbritën nga pylli.
Të gjithë ata thonë i kanë shuar vetë flakët që u afruan pranë banesave, pasi zjarrfikëset nuk shkuan për shkak se ishin përqëndruar në zonën e puseve të naftës.
“Na u afrua zjarri mbi shtëpi. Erdhi policia, na tërhoqi na solli këtu, na largoi nga vdekja. Megjithatë, zjarri është nën kontroll, po vazhdon akoma”, thotë një banor.
“100 rrënjë ullinj shekullorë u dogjën, asnjë njeri nuk erdhi, s’na e varën fare këtë radhë. Mbrëmë ishte panik. Nuk ishte parë ndonjëherë si kjo”, shprehet një tjetër.
“Mbrëmë ishte një natë shumë e vështirë për lagjen tonë. U dogj një pyll aq i bukur këtu lart. Zjarri arriti deri poshtë. U dogjën edhe 2-3 shtëpi këtu. Asnjë zjarrfikëse, sado që bëmë disa kërkesa, nuk erdhi. Vetëm njerëzit me tubo dhe me kova uji. Të gjitha zjarrfikëset që kishin ardhur që thonë, ishin përqëndruar lart te gazi. Këtu nuk erdhi asnjë”, thotë një i tretë.
Lajmi kryesor:
Shqipëria lufton me zjarret! Delvina dhe Gramshi zonat më kritike, situata e qëndrueshme dhe nën kontroll
V.GJ /E.H/ReportTv.al
