Roven Zeka dhe Sokol Novaku

Kronikë

‘Kam të tjerë mbi kokë, duhen edhe 1 mijë €...! Report Tv siguron pjesë nga dosja e arrestimit të 2 shefave dhe policit të Rrugores së Tiranës: Morën 2 mijë € që të mos prangosnin gruan e biznesmenit

21 Prill, 17:05| Përditesimi: 21 Prill, 17:29

  • Share

TIRANË- Arrestimi i 3 oficerëve dhe shefave të Policisë Rrugore për korrupsion erdhi pas përgjimeve që janë kryer dhe provave të siguruara. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi siguron një pjesë të dosjes së SPAK për drejtuesit e policisë rrugore. Në dosje thuhet se ka qenë Oficeri i Policisë, Edison Tabaku i cili ka kryer veprimet hetimore.

Duke qenë se ai e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin. Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të Policise Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të policisë rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.

Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen.

Aksidenti ka ndodhur më 16 prill të këtij viti në Tiranë, ku është përfshirë Anisa Vrioni, bashkëshortja e biznesmenit Ergest Vrioni. Hetimet e para për rastin i ka kryer polici rrugor nën hetim Edison Tabaku, me të cilin Vrioni kishte edhe njohje.

Në këtë rast, SPAK thotë se janë implikuar edhe eprorët e efektivit, Sokol Novaku, shef i seksionit të hetimit të aksidenteve rrugore dhe Roven Zeka, shef i Komisariatit të Policisë Rrugore. Të tre këta punonjës janë transferuar nga strukturat e policisë Elbasan.

“Personi nën hetim ka paguar shumën e parave prej dy mijë eurosh, me qëllim që të mos arrestojnë bashkëshorten e tij. Nga të dhënat e përftuara gjatë hetimeve, nga komunikimet telefonike rezulton se Ergesti ka kërkuar para tek persona të ndryshëm, per t'ia dhënë oficerit të policisë giyqësore dhe se i ka paguar paratë, nga të dhënat e rezultuara nga sistemi ‘Adams’ për veprimet që kanë kryer punonjësit e policisë rrugore, nga këqyrja e telefonit të personit tashmë nën hetim Ergest Vrioni, nga të dhënat e rezultuara nga pamjet filmike, nga deklarimet e dhëna nga personi nën hetim Ergest Vrioni, nga kontrolli personal dhe i banesës së personit nën hetim Edison Tabaku, rezultojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova, se personi nën hetim Edison Tabaku i ka kërkuar Ergestit shuma monetare për lehtësimin e pozitës së bashkëshortes së tij, e cila nuk është arrestuar në lidhje me ngjarjen”, thekson Prokuroria në hetimet e kryera deri tani.

Kjo shumë parash i është dhënë atij nga biznesmeni Vrioni, pranë banesës së punonjësit të Policise Rrugore Edison Tabaku.

Hetimet e thelluara zbuluan gjithashtu se Vrioni dhe Tabaku janë takuar së bashku në një lokal pranë Komisariatit të Policisë Rrugore. Efektivi i ka thënë se duhet edhe një njëshe tjetër (1 mijë euro), pasi ‘ai ka persona të tjerë mbi kokë’.

Në këtë kohë, nga komunikimet rezulton se është vënë në lëvizje për të gjetur paratë, të cilat ia ka dhënë Tabakut në orët e vona të darkës së asaj dite takimi dhe që SPAK thotë se i ka provuar.

“Nga këyrja e aparatit të telefonit të personit nën hetim Edison Tabaku, rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij eprorë, konkretisht personat nën hetim Sokol Novaku, shefi i Seksionin për hetimin e aksidenteve në Komisariatin e Policisë Rrugore dhe Roven Zeka, shef i Komisariatit të Policisë Rrugore. Nga komunikimet me personin nën hetim Sokol Novaku, rezulton se i ka bërë me dije atij se personi ka vetëm një njëshe dhe nëse pret puna deri të nesërmen, se sa ka ardhur nga Ksamili dhe se e ka shok. Ai i thotë ok dhe se mos del keq me shefin. Të nesërmen ai komunikon me gruan dhe i thotë se kishte takuar Rovenin dhe kishte tjetër sjellje. Ai i thotë se normal dhe ajo do ndryshonte sjellje po të ishte në këtë rast”, theksohet në dosjen hetimore ndër të tjera.

Një nga tre blutë në kryeqytet, të arrestuar për korrupsion, është lënë sot (21 prill) nga gjykata në masën “arrest me burg”. Para gjykatës ka dalë oficeri i policisë gjyqësore Edison Tabaku, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë drejtuesi Roven Zeka dhe Sokol Novaku do të dalin të martën (nesër, 22 prill).

SPAK thotë se ata i morën 2 mije euro nga bashkëshorti biznesmen i një shofereje që kishte shkaktuar aksident me 5 të plagosur. Arrestimet u bënë më 19 prill, menjëherë pas zbulimit të rastit korruptiv.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?