I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për kancerin e mitrës tek gratë, simptomat, shkaktarët dhe kujdesin përmes ushqimeve dhe stilit të jetesës.
“Kanceri i mitrës dhe i vezoreve janë nga kancerat më të përhapura sot në botë dhe kryesisht vjen si pasojë e rritjes së nivelit të estrogjenit” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se ka disa faktorë dhe jo vetëm një që ndikojnë.
”E para janë mutacionet gjenetike që aktivizohen kur disa funksione të trupit fillojnë dhe bien. Element tjetër është obeziteti si dhe çekuilibrat hormonal kryesisht estrogjeni dhe progesteroni. Sipas studimeve, kanë ndikim menstruacionet e hershme tek gratë, sikurse fillimi i shpejtë i menopauzës, apo niveli i ulët i aktivitetit fizik, konsumimi më i lartë i alkolit dhe duhanit. Faktorët mjedisor të elementeve me kimikate kanë gjithashtu një ndikim në kancerin e mitrës. Faktor tjetër është dhe fakti që ne sot kemi larguar shtatzaninë në kohë dhe kjo sjell probabilitetin e kancerit të mitrës. Problem tjetër që ndikon është dhe përdorimi i lartë i kontraceptivëve tek vajzat sot. Gjithashtu, nëse kemi dy sëmundje autoimune, do kemi një probabilitet të lartë për kancerin e mitrës”, theksoi Altini.
Faktor ndikues është dhe stresi që ndikon drejtëpërdrejtë në kancerin e mitrës, sikurse mungesa e orëve të gjumit tek gratë.
- ”Shkaktari numër një i sëmundjeve sot në botë është aspekti emocional, pastaj fillojnë të tjerat” nënvizoi Joka, duke shtuar se stresi ndryshon dhe qarkullimin e gjakut pasi ngushton enët e gjakut.
Cilat janë disa nga simptomat që nuk duhet të injorohen për të dalluar kancerin e mitrës?
Së pari duhet të mos ngatërrojmë kancerin e mitrës nga kanceri i vezores që janë dy lloje të ndryshme. Kanceri i vezores është më pak i shpeshtë, por është më vdekjeprurës nëse nuk trajtohet.
“Tek kanceri i mitrës mund të kemi fryrje barku, ngopje të shpejtë me ushqim, dhimbje rreth zonës së barkut, urinim sa më të shpeshtë, shtim apo ulje të peshës. Kanceri i mitrës ka gjakderdhje vaginale, sikurse dhe infeksione vaginale”.
Pyetjes se cilat janë disa mënyra natyrale për të parandaluar kancerin e mitrës, Joka i përgjigjet duke thënë se ushqimi është e vetmja klasë fiziologjike e një ilaçi.
“Ushqimet më të mira efikase për të dyja rastet e kancerit, janë ato të pasura me antioksidantë, vitamina dhe minerale, apo me acide yndyrore, sikurse ushqime të pasura me fibra dhe probiotikë natyralë si brokoli, spinaqi, domatet, karrotat, lakra, frutat e pyllit që janë shumë të mira. Nuk duhet harruar vaji i ullirit, avokados, apo vaji i peshkut. Konsumimi i fasuleve dhe thjerrëzave është gjithashtu shumë i mirë”, thotë Joka.
Gjumi është një element tjetër shumë i rëndësishëm. Të paktën 8 orë e gjysmë i bën mirë organizmit, sikurse rregullimi i metabolizmit nëpërmjet frymëmarrjes. Një person që ka kancer, duhet t’a nis ditën me ujë të vakët jo të ftohtë, çdo ditë. Më pas duhet përdorur lëngu i karrotës që ka një ndikim magjik në organizëm. Pa harruar avokadon, arroret si bajamet, lajthi, stika duhen konsumuar para drekës. Dreka duhet të ketë me patjetër një sallatë të freskët të papërpunuar, ndërsa darka rekomandohet një kos me fruta të thata, agrume, kërpudha.
Në fund të bisedës Joka foli dhe për një rast flagrant në Suedi ku u tregua se mbi 33 gra kishin bërë heqje mitre në mënyrë të gabuar dhe ku spitali më pas kish kërkuar ndjesë. Altin Joka theksoi se ruajtja e qetësisë është shumë e rëndësishme, nuk duhet të merren vendime të nxituara dhe duhen shqyrtuar mirë të gjitha alternativat përpara se të shkohet në heqjen e mitrës.
SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve dhe problematikave të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët. Ky artikull nuk mund të përdoret për të sugjeruar një kurim për çdo person.